E djathta përballë autokracisë elektorale: Take Democracy BACK

E djathta përballë autokracisë elektorale: Take Democracy BACK

13:50, 04/03/2024
A+ Aa A-

Nga Pranvera Shehaj/

Në vazhdën e ciklit të dekriptimit, përkufizimit, dokumentimit dhe reflektimit me propozime konkrete mbi situatën politike në Shqipëri, e definuar në statistika, ashtu sikurse e dëshmuar dhe jetuar në realitet prej një dekade si autokraci elektorale, vëmendje i duhet kushtuar propozimit dhe ndërtimit të strategjisë së përballjes së autokracisë elektorale, të nisur nga partia socialiste, aktualisht drejtuese e vendit prej një dekade, jo rastësisht në fakt, pasi për trashëgimni ideologjike të saj ka totalitarizmin, armikun nga përtej humanizmit dhe principeve njerëzore e shoqërore. Demaskimi, shpërbërja, dhe ndëshkimi ligjor i autokracisë elektorale, ashtu sikurse i çdo portreti publik e jo publik që ka kontribuar në konsolidimin e saj prej një dekade, është përgjegjësi, detyrë e për hir të raportit me veten e me kombin, amanet i Partisë Demokratike dhe së djathtës shqiptare në tërësinë e saj.

Në emër të eshtrave të atyre që nuk kursyen jetën si revoltë ndaj mohimit të dinjitetit njerëzor në thuajse pesë dekada, në emër të ëndrrave të mbetura çalë të atyre që besuan se rrëzimi i bustit të diktatorit ishte kushti i parë ndaj një Shqipërie në Evropë andaj si Evropa, e sot, në emër të brezit tonë, të lindur në vendin që prindërit e tyre projektuan si demokratik e të zhvilluar ashtu si kishin shpresuar e vetëm falë shpresës kishin frymuar në burgun e Evropës deri në vitet 90’. Në emrin tonë në fakt, brezit të ri që sot fajësojmë prindërit tanë sepse në një pikë dështuan, ashtu sikurse ata më realistët e autokritikët prej nesh fajësojnë veten për braktisjen e vendit dhe kërkimin e rrugës gjetkë në Evropë e botë. Nëse duket e dhimbshme të thuash se prindërit tanë dështuan, është fakt se ne Shqipërinë fizikisht e lamë, sot e mjerë ajo është padenjësisht e kthyer në një formë totalitarizmi të tipit autokraci elektorale. Ka më shpresë? Pa dyshim që ka, përsa kohë ka dhembshuri, vizion, atdhedashuri, familje, ndjenjë trashëgimnie, arsimim e vlerë midis nesh, kudo qofshim, ka shpresë për të djathtët dhe Partinë demokratike për të marrë mbrapsht atë që firmosi, nisi e konsolidoi mes shumë sfidave: Demokracinë.

Si rifitohet demokracia në një sistem politik që çarmatos, asgjëson dhe shtyp deri në fatalizëm çdo shtyllë të demokracisë, prej të drejtave themelore të njeriut, lirisë së shprehjes, pluralizmit real politik, parlamentarizmit, konkurrencës së lirë të tregut, meritokracisë, pronës private, decentralizimit të pushteteve, lirisë së medias, zgjedhjeve demokratike e legjitime, mbizotërimit të Kushtetutës, etj? Si mund të luftohet e të asgjësohet njëherë e përgjithmonë një autokraci pa tradhëtuar dhe pa u vetëvrarë ne demokratët në bindjet dhe vizionin tonë demokratik, pa lënduar atë që kërkojmë të rikthejmë, demokracinë? Së pari, ne nuk duhet dhe nuk mundemi të armatosim veten me atë që nuk na përket dhe nuk na identifikon duke rënë në grackën e regjimeve totalitare, dikur fashiste e sot autokrate, të cilat të imponojnë përballjen me to përmes gjuhës, metodës, strategjisë dhe filozofisë së tyre antidemokratike. Ata që kërkojnë demokracinë nuk i zotërojnë dot mjetet antidemokratike, andaj dorëzuar atyre, ata janë të destinuar të dështojnë. Njëjtë ne demokratët. Nuk jemi masters të dhunës se për hir të së ardhmes dinjitoze të këtij vendi kurrë nuk morëm pushtetin me dhunë, edhe pse në emër të vendit, pranuam faje që nuk i kishim dhe dorëzuam pushtetin prej dhunës. Nuk jemi masters të mohimit të ligjit sepse ne besojmë në funksionimin e tij si mekanizëm demokratik rregullator i rendit publik. Ne nuk djegim parlamente sepse respektojmë tempullin simbolik të përfaqësimit të vullnetit qytetar edhe kur ai është i përdhosur dhe i degraduar deri në mohim. Ne nuk shkatërrojmë pronën private a publike, sepse respekti për pronën private është themel i identikitit tonë ideologjik. Ne nuk vandalizojmë shtazërisht institucione që aty janë vetëm prej betejës sonë demokratike të nisur më shumë se 30 vite më parë. E vërtetë, tashmë janë të degraduara - po, të kapura - po, të sekuestruara - po, aspak funksionale - po, mekanizma të autokracisë së majtë - po, por sërish janë aty qoftë edhe simbolikisht, si dëshmi e asaj që demokratët krijuan pas tmerrit diktatorial. Ne nuk e luftojmë totalitarizmin e majtë me mjete të imponuara nga totalitarizmi, për të vetmen arsye se kjo na dallon. Kjo na dalloi në të shkuarën, na identifion në të tashmen, na prezanton si alternativë një dhe të vetme për të ardhmen.

Atëherë si ne demokratët rikthejmë demokracinë që prej një dekade kemi humbur? Së pari, cilido prej nesh, i cili në dëshpërimin dhe dëshirën e përbashkët tonën për ta parë autokracinë majtiste të shkelmuar propozon akte të tipit revolucionar demonstrativ violent, kjo nuk është e mundur politikisht, apo në aspektin social e njerëzor. Autokracia shqiptare e partisë socialiste të Rilindjes ka dhe do të mbahet mend për fizionominë e një shteti të fortë deri brutal policor, i cili nuk kursehet të sakrifikojë në emër të mbajtjes së pushtetit shqiptar pa dallim moshe, gjinie, krahine, feje. Kjo do të thotë se protestat e dhunshme kanë rrezikun që përballë këtij brutaliteti policor të autokracisë së Rilindjes të eskalojnë në dhunë masive mbarëkombëtare, deri edhe luftë civile. Demokratët nuk ishin kurrë motiv i vëllavrasjes, ashtu sikurse e vërteta që kurrë nuk mund t’i fshihet dritës ka dëshmuar e do dëshmojë.

Së pari, parimisht,nga njëra anë mjetet ligjore do të ishin fillimisht mekanizmi primar në duar të opozitës për të mos lejuar shumicën parlamentare autokratike të kapë institucionet dhe të minojë ndarjen e pushteteve. Si? Përmes hartimit të një sistemi zgjedhor që shmang shndërrimin e shumicës normale të votave në super-shumicë mandatesh. Së dyti, sërish parimisht, mekanizmi i dytë do të ishte forcimi i ligjit kushtetues dhe i rolit të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të rregullave zgjedhore ndaj amendamenteve të shumicës autokrate. Fakti është se autokracia elektorale socialiste është aq e konsoliduar sa sot për sot përmes super-shumicës parlamentare shpërfill çdo dispozitë kushtetuese. Andaj, asnjë prej dy mekanizmave ligjorë nuk mund të funksionojë. Si rrjedhojë, së pari në kushtet e zgjedhjeve fondamentalisht jo të lira, jo të drejta, jo demokratike, ne mund dhe duhet të bindim çdo shqiptar se shumica jonë, si brenda dhe jashtë kufirit në fakt mbështet ndryshimin dhe se fuqia e Rilindjes dhe vetë Ramës mbështetet në paligjshmëri, represion dhe shkelje flagrante të të drejtave njerëzore, elektorale, civile dhe politike.

Së dyti, kontestimi bërtitës i zgjedhjeve dhe formimi i organizatave brenda demokratëve me qytetarë brenda, por më së shumti tashmë me ata jashtë kufirit nën një lidership të besueshëm, të cilat të organizojnë përfshirjen e shtresave të ndryshme të shoqërisë, do të çonte në krijimin e rrjetit të solidaritetit dhe mbështetjes të ndërsjelltë përballë regjimit autokrat elektoral Rama.

Së treti, ndërtimi i një sistemi novator paralel i tabelimit të votave, i cili do të ekspozonte më shumë shtrirjen e manipulimit zgjedhor, do të krijonte më tepër solidaritet e do të bindte edhe ata apatikët se ndryshimi është i mundur.

Së katërti, ndërkohë ashtu si klasikisht ndodh, regjimet autokrate të tipit Lukashenko, të përqafuara nga Shqipëria rilindase e kësaj dekade përdorin propagandën për të bindur elektoratin se nuk ka alternativë duke demoralizuar çdo zë kundërshtues, e duke e ditur se diktatura është realitet kur ngulitet ideja: - “Nuk jemi mirë, por s’është askush që mund ta bëjë më mirë”,- në raste si Bjellorusia, shfaqja e kandidatëve opozitarë sfidues të identifikuar tipikisht me eksperiencë profesionale të lartë në fusha si financa dhe ekonomia, ligji apo administrata publike, ia ka dalë të rindezë sidoqoftë një dritë jeshile brenda autokracisë absolute elektorale bjelloruse. E njëjta ka gjasa të funksionojë tek ne.

Së pesti, qëndresa civile (civil resistance) në masë është sot në mbarë globin mekanizmi i ndryshimit të sistemit politik apo ndryshimit të reformave të çfarëdo lloji të motivuara më së shumti nga rrëshkitja e 89 shteteve të globit në regjime autokrate. Suksesi i qëndresës civile e jo të dhunshme lehtësohet nga shpërndarja e informacionit, bindja se është thelbësor respektimi i të drejtave të njeriut dhe ka si kusht të saj pjesëmarrje masive. Është e rrallë se si vetëm dy vite më parë, e djathta me në krye Partinë demokratike, me një popullsi të tkurrur në vetëm rreth 1.5 milion banorë (më pak se votues zyrtarë në fakt), ia doli të organizonte protestën më masive të 30 viteve të fundit pas atyre të ndërrimit të sistemit. Dy vite janë pak për të besuar se ata demokratë nuk janë më të gatshëm për të organizuar një rezistencë civile masive. Studime të mirëfillta, të bazuara në qindra raste të rezistencave civile jo violente në masë prej viteve 1900 deri në vitet 2020, dëshmojnë se kur këto qëndresa civile kombinohen me aksione të tipit demonstrativ e që ironizojnë çdo aksiomë të propagandës autokrate, që do të pengonin arrestimin qoftë edhe të vetëm një qytetari kanë rezultuar të suksesshme në mbi 64% të rasteve.

E djathta shqiptare me në krye demokratët, ashtu si deri më sot, duhet dhe do të vazhdojë të qëndrojë denjësisht përballë historisë, e papërlyer në krime njerëzore, pa mëkatet e vrasjes së të drejtave njerëzore, dhe idhtare e besimit se demokracia dhe liria është fillimi dhe do të jetë përmbyllja e triumfit të saj.

Referenca

Batura, A. (2022). How to Compete in Unfair Elections. Journal of Democracy, 33(4), 47-61.
Chenoweth, E. (2020). The future of nonviolent resistance. J. Democracy, 31, 69.
Gamboa, L. (2023). How Oppositions Fight Back. Journal of Democracy, 34(3), 90-104.
Greenberg, U. (2015). Militant Democracy and Human Rights. New German Critique, 42(3), 169-195.
Grimm. D. (2018). How can a democratic constitution survive an autocratic majority? Verfassungsblog on Matters Constitutional.
Loewenstein, K. (1937). Militant democracy and fundamental rights, I. American Political Science Review, 31(3), 417-432.
Loewenstein, K. (1937). Militant democracy and fundamental rights, II. American Political Science Review, 31(4), 638-658.
McClennen, S., Popovic, S., & Wright, J. (2023). How to Sharpen a Nonviolent Movement. Journal of Democracy, 34(1), 110-125.
Rød, E. G., & Weidmann, N. B. (2023). From bad to worse? How protest can foster armed conflict in autocracies. Political Geography, 103, 102891.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco