Mesianizmi i korrupsionit politik

Mesianizmi i korrupsionit politik

18:07, 12/01/2024
A+ Aa A-

Nga Shpëtim  Dodda 

11 janari 2024 do të përmendet nga historianët dhe teologët më të famshëm të shekujve dhe të mijëvjeçarëve të ardhshëm si një datë boshtore e historisë së njerëzimit. Këtë ditë, engjëjt në Parajsë, djajtë në Ferr, dhe bijtë e Ademit në tokë panë se si Edi Rama zgjoi mrekullisht prej gjumit të vdekjes politike Lulzim Bashën shkimtazi si Jezu Krishti zgjoi mrekullisht prej gjumit të vdekjes biologjike Lazarin.

Dhe nuk mbaron me kaq; ndonëse ndajnë të njëjtën natyrë, mrekullibërja e pasardhësit të Kristaqit shpërfaqet dukshëm më sipëranore se e pasardhësit të Abrahamit dhe Davidit; më së paku për dy arsye, të cilat taumatologët e Vatikanit dhe e sinodeve të shenjta ortodokse nuk mund kurrsesi t’i anashkalojnë.

Së pari, ndryshe nga Lazari, Lulzim Basha kishte, jo katër ditë, por plot një vit që ishte mbyllur në qivurin e tij politik; shkurt, pra, kur nuk ishte përpos se një grusht kokallesh, një skelet politik. Kjo e bën mrekullibërjen e Birit të Kristaqit në Lezhë më sipëranore sesa mrekullibërja e Birit të Njeriut në Betani.

Së dyti, për ta zgjuar nga gjumi i vdekjes biologjike, Mesia i shfaqur 2000 vjet më parë në dheun e profetëve nuk pati tjetër zgjedhje përpos se të shkonte tek varri i Lazarit, njëlloj siç iu desh të shkonte te shtëpia e Jairos për të zgjuar nga gjumi i vdekjes biologjike bijën e këtij. Ndryshe nga ky, Mesia i shfaqur një ditë më parë në dheun e shqipeve e zgjoi Lulzim Bashën nga gjumi i vdekjes politike pa patur aspak nevojë t’i shkonte tek varri e t’i hapte kapakun e qivurit politik në të cilin ishte ndryrë. I mjaftoi një "zgjohu, Lul, të rëntë gjëma!" nga Lezha, që Lulzim Basha të mblidhte kokallet dhe të dilte prej qivurit i mbështjellë me qefinin e korrupsionit politik. Kjo e bën mrekullibërjen e Birit të Kristaqit në Lezhë më sipëranore sesa mrekullibërja e Birit të Njeriut në Betani.

Krahas këtyre, ka edhe një sërë arsyesh të tjera të epërsisë taumaturgjike që Biri i Kristaqit shfaq ndaj Birit të Njeriut, evidentimin e të cilave po ua lë taumatologëve të Vatikanit dhe të sinodeve të shenjta ortodokse gjatë trajtesës që do t'i bëjnë dosjes për shpalljen e Edi Ramës si mesia i korrupsionit politik.

11 janari 2024 do të përmendet nga historianët dhe teologët më të famshëm të shekujve dhe mijëvjeçarëve të ardhshëm si një datë boshtore e historisë së njerëzimit...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco