'Sistemi TIMS u manipulua për të shpëtuar Olsi Ramën nga dosja e drogës'

'Sistemi TIMS u manipulua për të shpëtuar Olsi Ramën nga dosja e drogës'

11:05, 11/01/2024
A+ Aa A-

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha në intervistën për Ermal Rizajn në SYRI TV, se do të denoncojë publikisht se ndërhyrjet në sistemin TIMS janë bërë për të favorizuar vëllain e kryeministrit Edi Rama. Sipas Bardhit, Olsi Rama është i përfshirë në dosjen e drogës së Xibrakës.

“Ajo që unë kam thënë është se do dal të provoj se si vëllai i kryeministrit Olsi Rama është i përfshirë në dosjen Xibraka përmes të dhënave të sistemit TIMS. Dhe ekzaktësisht për të prishur këto të dhëna, ka pasur një ndërhyrje të paligjshme në sistemin TIMS.

Absolutisht kam qenë dhe mbetem i gatshëm për të bërë këtë denoncim sa kohë kam pasur një dakordësi me një koleg tuaj në një media tjetër për ta denoncuar rastin në emisionin e tij. I kam qëndruar atij premtimi dhe po pres të kem hapësirën e nevojshme.

Dhe meqenëse kanë qenë edhe festat dhe rrjedha e emisionit ka qenë e tillë që e pamundësonte daljen, besoj në nisjen e sezonit të ri do kem një komunikim për të koordinuar hapësirën që mund të kem në emisionin përkatës. Dhe nëse nuk do kem hapësirë në atë emision dhe unë e mirëkuptoj, do e bëj atë denoncim në një formë tjetër publike,” tha Bardhi.

Në intervistën për SYRI TV, Gazment Bardhi tha gjithashtu se kërkon nga SPAK të mos zvarrisë çështjen e aferës Rama-McGonigal.

“Kallëzimi im është publik. Unë nuk kam firmosur asnjë dokument. Unë kam bërë një kallëzim për këtë çështje. Besoj se është e provuar. Prokuroria nuk ka nevojë të bëjë hetime të thelluara për këtë rast, mjafton të marrë dosjen e drejtësisë amerikane, ku ka edhe provat përkatëse, ku prokuroria e SHBA ka dalë në atë konkluzione dhe hetimi është i mbyllur.

Mjafton një letërporosi drejtuar SHBA për të tërhequr një kopje të dosjes dhe prokuroria provon fajësinë e kryeministrit Edi Rama, që ka korruptuar një zyrtar të huaj për të përfituar favore dhe më pas në këmbim të kësaj, i ka dhënë edhe vetë favore dhe kjo është e provuar për sa i takon tenderin që lidhet me vendburimet e naftës.

Në kuadër të këtij kallëzimi, i kam kërkuar informacion drejtuesit të prokurorisë para disa kohësh se çfarë po bëhet me kallëzimin tim. Kam marrë përgjigje përkatëse nga zoti Dumani në përputhje me ligjin.

Në atë shkresë më është vendosur detyrimi në përputhje me ligjin që unë të ruaj konfidencialitetin e informacionit që më është përcjellë nga prokuroria. Dhe unë e kam ruajtur konfidencialitetin e informacionit që më është përcjellë. Por gjej rastin të bëj thirrje publike për mozvarritje të hetimeve dhe për hetim të plotë dhe të paanshëm në këtë rast,” tha Bardhi.

INTERVISTA E PLOTE

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco