'Me vdekjet më të larta nga COVID në Evropë, na duhet reformë në shëndet publik, por është sikur flet me murin'

'Me vdekjet më të larta nga COVID në Evropë, na duhet reformë në shëndet publik, por është sikur flet me murin'

10:01, 10/01/2024
A+ Aa A-

Në kushtet kur infektimet me COVID-19 kanë filluar sërish të përhapen në botë, përfshirë edhe vendin tonë, sa e përgatitur është tashmë Shqipëria në këtë fazë të re për ta përballuar situatën nëse do të agravojë?

Epidemiologu Taulant Muka nga Zvicra, i ftuar sot në Kafe Shqeto në SYRI TV, tha se Shqipëria ka pasur vdekshmërinë më të lartë në Evropë përsa i përket COVID-19 e megjithatë, ende nuk ka planifikuar një reformë të mirëfilltë të shëndetit publik të bazuar në shkencë. Madje, edhe mendimet e idetë që vijnë nga ekspertët e fushës për këtë qëllim, duket sikur i propozohen murit, sepse shteti shqiptar nuk i përfill.

“Nuk kemi ende një studim të mirëfilltë se çfarë ka ndodhur me vendin tonë, ku kemi pasur një vdekshmëri shumë të lartë, - tha Muka ndër të tjera. -  Pra, jemi vendi me vdekshmërinë më të lartë në Europë nga COVID-19, pavarësisht të gjitha masave apo vendimeve që u morën në atë kohë.

Nga ana tjetër duhet kuptuar që Shqipëria ka 30 vjet që nuk prodhon epidemiologë apo studiues në fushën jo vetëm të infeksioneve respiratore, por edhe të shumë sëmundjeve të tjera. Rrjedhimisht, ende sot nuk ka p.sh. kapacitete që të krijohen këta specialistë që do të na duhen për të ardhmen e sigurisht që ne do të jemi besoj drejt vuajtjes me rezistencën  mikrobiale, për shkak të të antibiotikëtev të shumtë që u përdorën gjatë COVID-19.

Është bërë një shqetësim i madh edhe në Europë e më i theksuar në Shqipëri dhe kjo ka nevojë për një rivlerësim të të gjithë aktorëve që morën pjesë në menaxhimin e situatës së COVID-19 si dhe përgjegjshmëri e nga ana tjetër, ndërtimin e një reforme të mirëfilltë të Shëndetit Publik, që kërkon një qasje të bazuar në shkencë dhe jo “copy - paste” sikurse ndodhi në Shqipëri. Po ne do të vazhdojmë të kopjojmë!

Pra, si të thuash, meqenëse po bëhet situata alarmante - le të themi në shtetin fqinj - pavarësisht se nuk kemi numrat tanë konkretë me raste specifike të COVID-19 apo të infeksioneve të tjera respiratore, atëherë ngremë edhe ne një shqetësim të madh, ndërkohë që harrojmë që kjo na bëri shumë dëm sepse na kushtoi shumë jetë dhe sot nuk ka kapacitete të reja të Shëndetit Publik, nuk ka kapacitete të reja spitalore që janë të përhapura në të gjithë vendin për menaxhimi e situatës së COVID-19 dhe të infeksioneve të tjera respiratore dhe vazhdohet me një … Nuk e di çtë them, është një situatë që duket sikur flet me murin. Pra ke një shtet që i jep të dhëna se si duhet bërë dhe nuk reagon, vazhdon një plan që nuk e di se si do të shkojë”, nënvizoi Muka.

Ndiqni intervistën e plotë në videon e SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco