Kë do të bëjnë të lumtur 1 MILIARD Lekë (të reja) shtesë të incineratorit fantazëm të Tiranës?

Kë do të bëjnë të lumtur 1 MILIARD Lekë (të reja) shtesë të incineratorit fantazëm të Tiranës?

18:48, 21/12/2023
A+ Aa A-

Nga Ilda Zhulali

Sot, Erion Veliaj refuzoi të merrte pjesë në mbledhjen e posaçme të thirrur nga 1/3 e anëtarëve të Këshillit Bashkiak për incineratorin e Tiranës. Edhe pse i janë përcjellë tre kërkesa zyrtare me pyetje konkrete, edhe pas kërkesës për seancë të posaçme për të bërë transparencë, përsëri REFUZOI!

Ndërkohë, në projekt-buxhetin 2024-2026, Veliaj ka planifikuar që të paguajë 1 miliard lekë shtesë për çdo vit për incineratorin e Tiranës.

Sipas Bashkisë, ligji i buxhetit 2024 nuk ka parashikuar fonde për shlyerjen e detyrimeve të qeverisë, ndryshe nga sa parashikohet në kontratën koncesionare dhe ndryshe nga sa ka deklaruar Veliaj në mbledhjen e këshillit bashkiak në shtator të 2017.

Mirëpo, në ligjin për buxhetin 2024 dhe relacionin shoqërues, qeveria thotë se ka parashikuar në mënyrë eksplicite mbështetje financiare prej 1.2 miliardë lekë për Bashkinë Tiranë, në formën e transfertës së pakushtëzuar, si pagesë për incineratorin.

Ndaj, kemi kërkuar që kryetari i bashkisë të bëjë transparencë të plotë se sa na kushton incineratori i Tiranës, edhe pse ai nuk ekziston. Ne duhet ta dimë se ku shkojnë këto para?

Ne duhet ta dimë se cilat programe buxhetore do të ndikohen nga pagesa shtesë për incineratorin inekzistent?

Ne duhet ta dimë se si janë llogaritur detyrimet e palëve në kontratën koncesionare, dhe çfarë ka ndryshuar krejt papritur për këtë rritje marramendëse për Bashkinë Tiranë?

Ne duhet ta dimë se sa janë sasitë e depozituara të mbetjeve urbane, inerte dhe dhera?

Ne duhet ta dimë se cilat janë shpenzimet faktike të Bashkisë Tiranë për këtë koncesion, sipas këtyre zërave?

Ne duhet ta dimë përse janë krijuar detyrime të prapambetura, kush i ka krijuar ato dhe kush mban përgjegjësi për mosshlyerjen e tyre?

Ne duhet ta dimë se çfarë problematikash janë evidentuar në Njesinë e Zbatimit të Projektit, pse Bashkia refuzon emërimin e dy përfaqësuesve të saj aty, dhe çfarë masash janë marrë për zgjidhje?

Le të kujtojmë edhe një herë se në shtator të vitit 2017, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Erion Veliaj, me zë dhe figurë, ka deklaruar se “nuk do të ketë kosto shtesë për bashkinë e Tiranës”, dhe se “angazhimi konkret i kostove do t’i paraqitet Këshillit Bashkiak sapo të jetë gati.”

Jemi në fund të vitit 2023, dhe kërkojmë nga Erion Veliaj që të zbatojë detyrimet ligjore, dhe të bëjë transparent angazhimin konkret të kostove që ai ka marrë përsipër si Kryetar i Bashkisë Tiranë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco