The Times në Portin e Lezhës: Kush ka nevojë për Ruandën, kur kemi Shqipërinë? Italia ka shpresa, banorët të shqetësuar

The Times në Portin e Lezhës: Kush ka nevojë për Ruandën, kur kemi Shqipërinë? Italia ka shpresa, banorët të shqetësuar

19:30, 17/12/2023
A+ Aa A-

Media prestigjioze britanike The Times i ka kushtuar një artikull marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.

Ata kanë ardhur në Shqipëri ku kanë vizituar nga afër vendin ku pritet që të ndërtohet qendra që do të presë emigrantët.

“Ky është vendi ku italianët do të ndërtojnë qendrën e tyre të emigrantëve,” tha Sandër Marashi, drejtori i portit të Shëngjinit për The Times.

Marashi ka folur lidhur me sipërfaqen që do të vihet në dispozicion dhe ndikimin që do të ketë kjo qensër në aktivitetin e portit.

“Kampi do të mbulojë mbi 3000 m2, por nuk do të ndikojë në aktivitetin e portit dhe është kënaqësi të ndihmosh pasi kjo është ajo që bëjnë partnerët evropianë për njëri tjetrin.”, tha ai.

Pjesë nga artikulli i publikuar:

Ndërsa qeveria britanike po lufton me mënyrën se si të zhvendosë azilkërkuesit e saj, marrëveshja e Italisë për të dërguar 36,000 emigrantë në vit në Shëngjin, e shpallur muajin e kaluar, ka ngritur pyetjen se kujt i duhet Ruanda kur ke Shqipërinë?

Pasi 153,000 emigrantë zbarkuan në Itali këtë vit, marrëveshja e kryeministres italiane Meloni me Tiranën parashikon që të ardhurit e tjerë të merren në det, të zbresin në Shëngjin, të identifikohen më pas në një qendër mbajtëse në një bazë të vjetër ajrore.

“Me sa di unë italianët zgjodhën Shëngjinin dhe hartuan planin për qendrën e përpunimit duke përdorur një foto satelitore, më pas shkuan te shqiptarët për miratim”, tha Marashi, duke treguar hapësirën që zakonisht përdoret për grumbullimin e shkëmbinjve të bazaltit të gatshëm për eksport në Itali.

Ka shumë arsye pse marrëveshja nuk mund të krahasohet me Planin e Ruandës që kishte Britania e Madhe, pasi emigrantët do të kapen në ujërat ndërkombëtare dhe do të dërgohen në Shqipëri para se të arrijnë në Itali. Aty do të përfshihen vetëm emigrantët nga vendet “të sigurta” si Tunizia, për të cilët Italia beson se mund të riatdhesohen shpejt, qendra do të jetë nën juridiksionin italian dhe nëse emigrantët marrin azil apo riatdhesohen, ata do të largohen nga Shqipëria dhe nuk do të lihen të jetojnë aty.

E përbashkëta e planeve të Ruandës dhe Shqipërisë është se të dyja janë kundërshtuar në gjykata. Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë bllokoi votimin parlamentar për të miratuar marrëveshjen e Tiranës me Romën, duke këmbëngulur se ajo duhej ta shqyrtonte atë së pari.

“Askush në Shqipëri, përfshirë deputetë dhe anëtarë të qeverisë, nuk ka asnjë detaj në lidhje me këtë marrëveshje,” tha Belind Kelliçi, një anëtar i Partisë Demokratike të opozitës shqiptare, i cili akuzoi Edi Ramën, për ndjekjen “me arrogancë” të marrëveshjes italiane në fshehtësi.

Taulant Balla, Ministri i Brendshëm , tha se kishte besim se gjykata do ta miratonte. “Jam 100 për qind i sigurt,” tha ai.

Ajo që është evidente është faktori parandalues . Emigrantët e dinë se mund të arratisen nga qendrat e pambrojtura italiane për t’u nisur drejt veriut drejt Francës, Gjermanisë ose Britanisë së Madhe, por në vend të kësaj nëse arratisen ata do të kapen me shpejtësi nga policia shqiptare.

Kjo nuk u ka bërë përshtypje vendasve në fshatin e afërt Gjader, të cilët thanë se kishin frikë se disa do të shpëtonin.

“Shumica e njerëzve nuk do të flasin për këtë, por nuk i duan emigrantët këtu sepse kanë frikë se do të ketë vetëm burra, kështu që ata janë të shqetësuar për gratë dhe motrat e tyre,”tha Agron Kola, 47 vjeç, një fermer.

Edhe në qytetin e Lezhës, kryebashkiaku Pjerin Ndreu ka kërkuar masa të forta sigurie rreth bazës. “Ne duhet të mbajmë emigrantët atje,” tha ai.

Ndreu ishte i bindur se 3000 emigrantë pas telave me gjemba nuk do të dëmtonin reputacionin e plazheve aty pranë, duke treguar se si qindra refugjatë afganë kanë jetuar në një vendpushim plazhi lokal që nga viti 2021, si pjesë e një marrëveshjeje që Shqipëria ka arritur me SHBA-në.

“Ata janë sjellë në mënyrë të shkëlqyer,” tha ai. Shqipëria ka pranuar tashmë të vendosë 3000 anëtarë të një grupi opozitar iranian, përsëri pas një kërkese të SHBA-së, e cila dyshohet se provokoi një sulm të rëndë kibernetik nga Irani ndaj Shqipërisë në vitin 2022. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco