SYRI TV/ Sharra, pikëpyetjet e forta mbi dosjen e SPAK: Pse shpërdoruan detyrën 12 zyrtarë të ndryshëm?

11:28, 11/12/2023
A+ Aa A-

Hetimet e SPAK më shumë se kanë qartësuar, kanë ngritur pikëpyetje të mëdha për aferën e inceneratorit të Tiranës. SPAK nuk ka dhënë shpjegim pse 12 zyrtarë të ndryshëm kanë shpërdoruar detyrën, duke lënë pa përgjigje faktin se këta zyrtarë kanë abuzuar për llogari të drejtuesve të lartë të tyre

SYRI TV

Hetimi i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, për koncesionin e Sharrës, megjithëse mori më shumë se tre vjet, sërish ka lënë disa pikëpyetje të forta pa përgjigje.

Të shtunën e kaluar, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ishin miratuar 15 masa sigurimi, nga të cilat 12 ishin për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Kjo vepër i atribuohet zyrtarëve e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit e Bashkisë së Tiranës, të cilët ishin pjesë e Komisionit për Dhënien me Koncesion të landfillit të Sharrës, si edhe dy zyrtarë të Qendrës Kombëtare të Biznesit, të cilët janë marrë me regjistrimin e dokumenteve të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy TV”.

Në hetimet e SPAK-ut nuk jepet asnjë arsye se përse këta 12 zyrtarë, nga institucione të ndryshme, janë dakordësuar që të shpërdorojnë detyrën në favor të biznesit të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.

Dyshimet e forta janë që ata kanë vepruar për llogari të titullarëve të tyre dhe drejtuesve qeveritarë, të cilët kanë miratuar në përfundim të gjithë procedurën koncesionare. Megjithatë, ky dyshim nuk gjendet askund në dosjen e prokurorisë speciale.

Po ashtu, sipas dosjes hetimore, i vetmi që akuzohet për korrupsion është ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Sipas SPAK-ut, Bllako ka përfituar nga Zoto një dhuratë me vlerë 120 mijë euro, në formën e një linje prodhimi birre për biznesin e babait të tij, Edmond Bllako. Dhe, gjithnjë sipas SPAK-ut, në këmbim të kësaj dhurate 120 mijë euro, Bllako ka orientuar procedurat koncesionare 129 milionë euro në favor të dyshes Zoto-Mërtiri.

Pra, nëse i besohet plotësisht hetimit të Prokurorisë së Posaçme, atëherë duhet besuar edhe se Bllako u ble me 120 mijë euro për të falur koncesionin 129 milionë euro. Skenari i prezantuar nga SPAK-u është shumë i vështirë për t’u besuar, megjithëse prokurorët e posaçëm duket se kanë vendosur ta mbyllin këtu aferën me kosto koncesionare 129 milionë euro, por që mund t’u rëndojë qytetarëve shqiptarë deri në 1 miliard euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco