Pas mashtrimit me fondet e IPARD, Ministria e Bujqësisë: Programi III varet nga besimi i KE

Pas mashtrimit me fondet e IPARD, Ministria e Bujqësisë: Programi III varet nga besimi i KE

07:12, 04/12/2023
A+ Aa A-

Hetimet e nisura në muajin korrik nga zyra europiane kundër mashtrimit (OLAF) për fondet e bujqësisë nëpërmjet programit IPARD II vijojnë të mbajnë ende në pritje hapjen e programit IPARD III. Programi pritej të çelej këtë vit me një fond prej 146 milionë euro apo 55% më shumë fonde sesa IPARD II. Kontributi i BE-së ishte në një fond prej 112 milionë eurosh.

Ministria e Bujqësisë tha për Monitor se hapja e programit IPARD III është në varësi të dhënies së besimit nga Komisioni Europian.

“Zbatimi i Programit IPARD III është në varësi të dhënies së besimit të detyrave të zbatimit të buxhetit nga Komisionit Europian dhe finalizimit të Marrëveshjes së Financimit të këtij Programi”, sqaron Ministria e Bujqësisë.

IPARD III do të përfshinte 9 masa të reja financimi nga 3 masa që përfshinte programi i mëparshëm. Ndërsa programi IPARD II i cili u përfshi në një proces hetimi nga OLAF ishte gjithsej 94,6 milionë euro në total, nga të cilat 71 milonë euro ishin financime të BE. Gjatë zbatimit të tij nga viti 2018 deri më 2022, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2018 u disbursuan 20,6 milionë euro, në 2019 u dhanë 15,6 milionë euro, 26,8 milionë euro u shpërndanë në 2020 dhe për vitet 2021-2022 janë dhënë 31,6 mln euro.

Në vitin e parë me grantet e programit IPARD II u mbështetën investimet në ferma, në sektorin e përpunimit të qumështit, mishit dhe fruta-perimeve. Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të thirrjes të parë dhe të dytë ishte 57,6 milionë euro. Në thirrjen e tretë IPARD II financoi 29,1 milionë euro në dy masa mbështetëse për investime në ferma dhe përpunim.

OLAF në fund të muajit Shtator në përgjigje të kërkesës për informim të Monitor tha se pritet të vijojë hetimet për korrupsionin në shpërndarjen e fondeve në ndihmë të bujqësisë nëpërmjet programit IPARD II, edhe pas dorëzimit pranë autoriteteve shqiptare të raportit përfundimtar për fondet e IPARD II prej muajit gusht dhe se mbetej në pritje të dhënies së përgjigjes nga autoriteti kompetent.

OLAF nuk pranoi të japë detaje nga konkluzionet e raportit përfundimtar, ndërkohë që ndjekja është në vazhdim, pasi bërja e tyre publike qoftë edhe pjesërisht, mund të rrezikojë në procedurat vijuese.

“OLAF mbylli hetimin në gusht 2023 dhe ia komunikoi konkluzionet e tij autoritetit kompetent me rekomandime për fillimin e procedurave të duhura. OLAF ka marrë informacion të njëkohshëm nga autoriteti kompetent që nuk e ka përfunduar ende ndjekjen. OLAF konsideron se periudha, e cila ka kaluar ndërmjet datës së transmetimit të raportit tek autoriteti kompetent dhe data e kësaj përgjigje duhet të konsiderohet si e arsyeshme duke pasur parasysh mbylljen e fundit të rastit”, citohej më herët në sqarimin e zyrës së OLAF për Monitor.

Por edhe Ministria e Financave nuk programon fonde nga programi IPARD të paktën deri në vitin 2025. Të dhënat tregojnë se në vitin 2023 kishte 260 përfitues nga programet IPARD II, por për vitin 2024 dhe 2025 nuk priten disbursime./D.Azo/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco