Berisha: Ne do të fitojmë, se sot jemi në misionin e shpëtimit të Shqipërisë! Do të fitojmë, se kauza jonë është e drejtë!

13:22, 02/12/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e mbylli fjalimin e tij në Kuvendin Kombëtar të PD, në një mënyrë befasuese. "Do ta mbyll këtë fjalë duke u dhënë përgjigje në emër tuaj tre pyetjeve që çdo shqiptar ka nevojë të dëgjojë," tha ai dhe shtroi pyetjet, që iu dha përgjigje. Ndiqeni të plotë fjalimin në videon më sipër.

Berisha: "A do fitojmë?!" - Po, më thoni ju mua, kush del fitimtar në një betejë, një luan i zgjuar apo një grup çakejsh dhe hienash të cilët presin t’ia mbathin sa më parë?!

Do të fitojmë sepse idealet e lirisë, me forcën e tyre janë të pathyeshme, janë forca jetike i suksesit në të gjitha betejat e luftëtarëve të lirisë.

Ne do fitojmë sepse sot jemi në misionin e shpëtimit të Shqipërisë.

Do të fitojmë sepse kauza jonë është e drejtë. Do fitojmë sepse sot çdo shqiptar ka një arsye për të luftuar pa kthim. Do fitojmë sepse do bashkohemi në frontin më të gjerë me çdo shqiptar, me çdo forcë politike, grup interesi, çdo organizatë që vendos të angazhohet me ne në betejën pa kthim kundër narkoregjimit të Edi Ramës. Do fitojmë sepse kurrë në jetën time nuk kam parë një dëshirë më të zjarrtë për rotacion sesa sot.

Po si do fitojmë?! - E kemi demonstruar se si. Me mosbindje civile, me aksion pa kthim. Por mosbindja civile është tmerri i diktatorëve. Thonë shqiptarët dhe pyesin, kur do bëhemi si Europa, kur do çohemi për të drejtat tona? Të sigurt të jeni ju, se në këtë betejë pa kthim, jemi ne që do bëhemi shembull për Europën.  Djem dhe vajza, burra dhe gra të lirisë, që në 32 vite, përmbysën dy diktatura.

Pyetjes së drejtë, se çfarë do bëjmë pasi të fitojmë?! - Do shpëtojmë Shqipërinë duke rikthyer votën e lirë për çdo shqiptar. Ne kurrë nuk marrim pushtet tjetër përveç atij që buron nga vullneti i lirë i shqiptarëve. Por rikthimi i votës së lirë ka si kusht të të gjitha kushteve, përmbysjen e diktaturës së bandave, të armikut të egër të votës së lirë, Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike për përgatitjen e zgjedhjeve të lira për shqiptarët.

Do ta shpëtojmë Shqipërinë duke vendosur kushtetutshmërinë, shtetin ligjor, barazinë para ligjit të qytetarëve shqiptarë. Do ta shpëtojmë Shqipërinë duke asgjësuar krimin e organizuar.

Shqipëria nuk do të jetë më eksportues i rrezikshëm që kërcënon sigurinë e vendeve të tjera, por partner dinjitoz në luftën kundër tij.

Do e shpëtojmë Shqipërinë duke luftuar korrupsionin me forcën e ligjit dhe duke krijuar drejtësinë e pavarur, në të cilën do të jenë të gjithë të barabartë para ligjit.

Do e shpëtojmë Shqipërinë duke krijuar kushte të kalkuluara për ripopullimin, për rikthimin e shqiptarëve në Shqipëri.

Do e shpëtojmë Shqipërinë duke u rikthyer ëndrrën shqiptarëve, duke iu rritur pagat, duke investuar në burimet njerëzore, arsim, shëndetësi, duke vendosur minimumin jetik., duke ulur taksat, duke krijuar klimën më të përshtatshme se kurrë për biznesin.

Do e shpëtojmë Shqipërinë duke ndezur motorët e reformave të thellë dhe të gjithanshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Ylli polar i yni është dhe do mbetet integrimi i plotë evropian.

Shqipëria kaloi një natë të gjatë 10-vjeçare, por dielli po lind përsëri për shqiptarët.

Rrezet e para kanë lindur në parlament, prandaj sa më shpejt të hidhemi në aksion pa kthim me mosbindje civile, të mbyllim këtë dekadë të errët dhe të shpëtojmë Shqipërinë.

Ne sot jemi në misionin e shpëtimit të Shqipërisë, historia jonë në betejë pa kthim është historia e Azem Hajdarit, e studentëve liberatorë.

Këtu në sallë me ne janë burra dhe gra, që jo 1, por sa e sa raste, u rrëmbyen armët nga duart atyre që donin t’i shkrehnin kundër nesh, apo që u vërsulën mbi tanke që ishin nisur drejt nesh.

Ndaj dhe sot, krenar më shumë se kurrë në misionin që historia, Shqipëria dhe kombi na besuan, të ecim besimplotë drejt fitores që meritojmë.

Zoti do e ndihmojë edhe këtë herë Shqipërinë. Ne e duam shumë Shqipërinë. Ne do i dalim zot asaj, do e shpëtojmë atë."

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco