Berisha: Asgjë s’duhet të na pengojë në asnjë akt të mosbindjes civile për të bllokuar këtë regjim!

Berisha: Asgjë s’duhet të na pengojë në asnjë akt të mosbindjes civile për të bllokuar këtë regjim!

20:20, 29/11/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi edhe njëherë tjetër se asgjë nuk duhet të pengojë demokratët në asnjë akt të mosbindjes civile për të bllokuar këtë regjim.

Gjatë takimit me Kryesinë e PD-së, Berisha tha se ‘sirenat e luftës së egër kundër PD-së dhe opozitës bien në të katër anët dhe se kushtrimi i demokratëve duhet të jetë betejë pa kthim’.

Berisha: Si u arrit këtu? Pse u arrit këtu?

Thjesht fare. Edi Rama, që ndan me etërit e tij xhelatë, etjen e pashuar për pushtet, faktikisht rrugën e pati të shtruar. Nuk gjeti rezistencë në këtë rrugë. Duhet të themi të vërtetën.

Zgjedhjet e fundit, ai i zhvilloi më të deformuara se kurrë. Votat në shumë qytete, i numëruan bandat dhe banditët.

Ai gaboi, ai mendoi se ne do të qëndrojmë spektatorë në këto zhvillime dramatike.

Ai mendoi se opozita e mbytur, siç është shprehur vetë, një anije e mbytur që do i dalin copëzat mbi ujë, nuk përbënte problem për të.

Pra, në këtë kuadër është e një rëndësie jetike vendimtare, që ne të përqendrohemi me të gjithë forcën tonë kundër këtij armiku të egër të rendit kushtetues, të pluralizmit, të demokracisë dhe të Shqipërisë.

Është hera e dytë që ne përballemi me diktatorë. Por duhet të themi se diktatori i parë ishte në rrokullisje. Dhe ai në tërësi, siç e ka shprehur, druante një skenar si ai i Çausheskut, ndaj dhe zhvillimet qenë ato që dihen në ato revolucion.

Kurse sot kemi një diktator tjetër, një diktator që ka pa asnjë diskutim, një pushtet të paktën 10-15 përqind më shumë se ai i fundit që përmbysëm ne në vitet 90.

Një diktator që bëri gjithçka për të shkatërruar opozitën. Ramiza Alia kishte në dorë armën më kriminale të vendeve ish-komuniste në Europë, që ishte Sigurimi i Shtetit. Në rast se ai do e angazhonte atë, mos të keni dyshim se ai opozitën do e zhdukte, se ajo ishte një armë terroriste, vrasëse. Por ai vendosi të pranojë opozitën.

Kurse Edi Rama do të zhdukë opozitën, pasi me raportin krim-votë, votë-krim, ka shkatërruar vullnetin, tani kaloi në uzurpimin e të drejtave kushtetuese, e pushtetit kushtetues të parlamentit. Qoftë në ushtrimin e kontrollit mbi qeverinë, në emër të atyre që përfaqësojnë, qoftë në nismën ligjvënëse të deputetit që ia garanton Kushtetuta. Qoftë në emërimin e përfaqësuesve të opozitës në komisionet parlamentare.

Sirenat e luftës së egër kundër PD-së dhe opozitës bien në të katër anët. Kushtrimi ynë duhet të jetë betejë pa kthim. Duhet të jetë betejë pa kthim!

Ekip drejtues i forcës politike që aktualisht është shpresa e vetme për të shpëtuar këtë situatë, demokratët dhe populli opozitar pret nga ne një udhëheqje të vendosur, një mosbindje civile që Shqipëria nuk e ka parë ndonjëherë.

Nuk ka më kohë tjetër, akt tjetër, vendim tjetër përveç mosbindjes civile më të fuqishme që ka njohur ky vend në historinë e vet. Nëse nuk duam që votat të na i numërojnë Bajrët, të na i numërojnë bandat tjera dhe ne të mashtrojmë shqiptarët se do e mundim Edi Ramën. Nëse nuk duam që pushtetet e parlamentit të kalojnë të gjitha në duart e Edi Ramës, nëse nuk duam që hanxharët e krijuar në institucionet sot, SKAP-i është një organizatë kriminale absolutisht pa asnjë ndryshim nga hetuesia e Sigurimit të Shtetit. Por jo në bazë ideologjie, se ata e bënë mbi bazë ideologjie se armiku i klasës duhet zhdukur, kurse këta mbi bazën e bandave, ryshfetit, mbi bazën e vrasjeve.

Ndaj dhe një kthesë kërkohet nga ne. Një kthesë rrënjësore në qëndrimet tona ndaj diktaturës.

Për çdo njeri me minimumin e njohurive politike, kjo është një diktaturë, mobokraci. Nuk është ideologjike, nuk është as fetare. Diktaturë që bazohet në sundimin të një njeriu që përdor bandat, përdor çdo gjë kundër nesh.

Ky do jetë mesazhi, por mbi të gjitha, secili nga ne, duhet në këtë betejë pa kthim, të pozicionohet, të kontribuojë me të gjithë mundësitë e tij.

Po vijmë nga një mbledhje me kryetarët. Një mbledhje, gjykoj, mjaft e dobishme në diskutimet e tyre.

Aty u ra dakord që, e vërteta është se ka njerëz që janë shmangur, ka njerëz që kanë problematikat e tyre dhe nuk para pëlqejnë përballjen, por u ra dakord që ka shumë të tjerë që presin përballjen dhe vetëm përballjen. Ka shumë të tjerë që presin t’u prijmë, që presin të na shohin në drejtim të tyre, siç janë deputetët në parlament.

Ajo që ishte e ligjshme në këtë mbledhje, ata kërkojnë drejtuesit të jenë në takime intensive me bazën, në motivim.

Sot, ajo që ndodh në parlament, duhet të ndodhë në çdo pikë nevralgjike të këtij regjimi diktatorial.

Nuk ka më, asgjë nuk duhet të na pengojë ne në asnjë akt të mosbindjes civile për të bllokuar këtë regjim.

Duhet të jemi të përgatitur, beteja me diktaturën është e vështirë, është betejë me sakrifica, është betejë me dhimbje. Por në qoftë se nuk e bëjmë ne, Shqipëria vidhiset gjithnjë e më poshtë. Dhe mos harroni se mund të duhen jo vite, por dekada për të rimarrë kthesën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco