‘Banda e Bajrëve shkarkoi në vetting prokurorin’/ Kjo është trupa e vettingut që shkarkoi Anton Martinin

‘Banda e Bajrëve shkarkoi në vetting prokurorin’/ Kjo është trupa e vettingut që shkarkoi Anton Martinin

17:30, 27/11/2023
A+ Aa A-

Dy ditë më parë, në emisionin ‘Breaking’ në Top News, avokati Arben Llangozi dhe ish-drejtuesi iPolicisë së Shtetit, Shemsi Prençi, lëshuan një akuzë të rëndë ndaj trupës së vettingut që shkarkoi prokurorin Anton Martini si trupë të lidhur më bandën e Barjëve.

“A e dini ju që prokurori Anton Martini, është shkarkuar nga vetingu, nga grupi kriminal i Bajrave? Kemi përgjime në dosjen Metamorfoza 1, që drejtuesja e vetingut në atë kohë ka komunikuar me grupin kriminal dhe ka shkarkuar një prokuror.

Këto ngjarje duhen publikuar dhe duhen hetuar. Po pse nuk hetohet ky rast? Atëherë dihen edhe lidhjet e vetingut me qeverinë.

Të arrijë një grup kriminal të shkarkojë një prokuror, që ka qenë një nga prokurorët më shembull, vetëm pse ka ndikuar një grup kriminal, ndodhet në mes të katër rrugëve.

Këto janë të rënda, që shteti jonë, drejtësia jonë është e kapur nga krimi i organizuar. Kjo është për të ardhur keq,” tha Llangozi.

Deklarata e tij u mbështet edhe nga ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi.

“Të mendosh që sot Shqipëria ka krizë prokurorësh dhe të kesh jashtë loje ish-prokurorë si Anton Martini, është e tmerrshme.

Imagjino të ta bëjë gjyqin një punonjëse drejtësie, e cila ka qenë vegël e Bajrëve? Si ai prokurori që merrte 100 mijë e 200 mijë.

Duhet të shkojë në burg, por ne nuk i bëjmë dot avokatinë. Një punonjës që është sot në polici, prokurori, organet e vetingut, ai e dëmton shumë shtetin,” tha Prençi.

Syri ka hulumtuar se cila ka qenë trupa e vettingut që ka shkarkuar prokurorin Anton Martini dhe me cilin arsyetim është shkarkuar ai nga Vettingu.

Në janar të vitit 2020, prokurori Anton Martini kishte kaluar shkallën e parë të Vettingut me një vendim të marrë me shumicë votash nga Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Për konfirmimin e Anton Martinit në detyrë votuan Genta Tafa Bungo dhe Pamela Qirko, kurse Etleda Çiftja kërkoi shkarkimin e prokurorit.

Vendimi i konfirmimit u ankimua nga Komisioneri Publik në qershor 2020 dhe një vit më vonë prokurori u shkarkua përfundimisht nga detyra.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i qëndroi kërkesës për shkarkim, ndërsa Martini asokohe i pati kundërshtuar të gjitha shkaqet e ankimit dhe pretendoi se komisioneri nuk po përfaqësonte interesin publik..

Komisioneri Publik, në pretendimin e tij paraqiste problemet e Martinit në deklarimin e pasurisë së tij, të ardhura të deklaruara si dhurata nga një prej vëllezërve të tij që nuk janë konsideruar burim i ligjshëm.

Martini, i cili ka patur një karrierë rreth 22 vjeçare në sistemin e drejtësisë, ka qenë gjithashtu prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku edhe ka patur në hetim dosje të organizatave nga më të rrezikshmet kriminale. Më pas Martini u rendit i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, ambicie e cila duket se është edhe shkaku që "dogji" karrierën tij.

Në qershor të vitit 2021 Kolegji i Posaçëm i Apelimit konkludoi se kandidati për SPAK, prokurori Anton Martini kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për burimin e këstit të parë për një apartament në Tiranë dhe se nuk kishte pasur burime të ligjshme për kryerjen e këtij investimi. Gjithashtu, u konkludua se Martini ka cënuar besimin e publikut me veprimet e tij gjatë ushtrimit të detyrës dhe jashtë saj. 

Kolegji i Posaçëm i Apelimit konkludoi se kandidati për SPAK, prokurori Anton Martini kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për burimin e këstit të parë për një apartament në Tiranë dhe se nuk kishte pasur burime të ligjshme për kryerjen e këtij investimi. Gjithashtu, u konkludua se Martini ka cënuar besimin e publikut me veprimet e tij gjatë ushtrimit të detyrës dhe jashtë saj. 

Trupa e Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) që shpalli vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Anton Martini ishte:  Kryesues i trupës, Ardian Hajdari, relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomon.

Në seancën e shpalljes së vendimit prokurori Martini nuk ishte i pranishëm, por ai u mbroj në një komunikatë për mediat:

Reagimi i Martinit pas shkarkimit:

Të dashur miq dhe bashkëpunëtorë të mi!Dje nuk ishte një ditë e mirë për mua dhe familjen time.

Padyshim, që isha i përgatitur edhe për këtë vendim, sepse kisha të gjithë të dhënat e nevojshme që po punohej fort dhe në menyrë të kamufluar kundër meje.

Me këtë, nuk dua ta mbivlerësoj për asnjë moment veten time, më besoni.

Dje, shteti im më “pushkatoi” mua dhe familjen time, në mënyrë krejt të padrejtë e të pabesë,

shtet për të cilin, prej 23 vitesh punova shumë shumë fort, duke u munduar te ruaj e të mos cënoj për asnjë moment besimin ndaj qytetareve të mi.

Dje, faktori ndërkombëtar dështoi të monitorojë procesin kompleks ndaj meje, rol të cilin parlamentarët e vendit tim, j`ua besuan nëpërmjet dispozitave kushtetuese.

Jam sigurisht i mërzitur nga vendimi i djeshëm, por pavarësisht kësaj, dua që sot, të falenderoj çdo mik dhe bashkëpunëtor timin, që kam pasur ndër vite, me të cilët kemi ndarë orët e gjata dhe netët pa gjumë, për të punuar që ky vend të behej më i sigurtë.

Falenderoj nga zemra cdo qytetar që më ka mbështetur me fjalë e komente gjatë kësaj periudhe, të cilët kanë besuar te parimet që unë mbroj.

Beteja ime ligjore do vazhdojë, me shpresë, që e drejta e cënuar, të vihet në vend.

Duke e përfunduar këtë përshendetje me plot emocion nga unë, dua ta mbyll me një pasazh nga një bashkëbisedim që pata mbrëmë në orët e vona, me një mikun tim të ardhur nga larg në shenjë solidariteti me familjen time në këto momente, i cili më pyeti; “këta që të kanë rënë në qafë ty dhe fëmijëve te tu, si mund t’i zëjë gjumi të qetë”? – e si përgjigje nga unë, mori një shprehje biblike e cila mu kujtua në çast; ” Fali o Zot se nuk dinë cfarë bëjnë”!, - shkruante Martini.

Nga reagimi duket se prokurori e ka lidhur shkarkimin e tij pikërisht me punën e tij si prokuror. Arsyeja pse risollëm edhe njëherë kronologjinë e shkarkimit të Anton Martinit nga Vettingu ishin akuzat e rëndë që u lëshuan nga avokati Llangozi dhe ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit Prençi.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco