'Samiti i Kosovës, që i dha votën diasporës dhe kongresi i partisë në Tiranë, që e ndalon atë' Gazetarja Alba Kepi

'Samiti i Kosovës, që i dha votën diasporës dhe kongresi i partisë në Tiranë, që e ndalon atë'

10:31, 24/11/2023
A+ Aa A-

“Samiti III i Diasporës në Tiranë, për mua qe më shumë një kongres partie, ku Byroja Politike ishte në qendër dhe kishin ardhur delegatë nga të gjitha trojet shqiptare.”

(Nga intervista e gazetares Alba Kepi, që jeton e punon në Itali, e ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV”.  

“Pa fyer askënd, po skena që pamë nëpër kronikat televizive i ngjante pikërisht kësaj. Pashë një samit që nuk përmbante asgjë nga ajo që përmban fjala “Samit” dhe nga ajo që çka përmban fjala “Diasporë”.

Diasporë do të thotë njerëz që janë detyruar të braktisin atdheun, të braktisin familjen për motive të caktuara dhe asnjë nga këto motive nuk u mor në analizë në atë samit.

Pashë që u shpërndanë medalje, u shpërndanë urdhra nderi, siç ndodh në një regjim autokratik ku i pari i pushtetit vendos se kujt t’ia japë dhe kujt jo.

Pashë dhe show televizive që analizonin këtë samit duke bërë një tjetër show në vetvete, duke thirrur të rinj dhe duke komentuar se çfarë pretendonin nga një samit i tillë.  Fjala e tyre ishte se pretendonin projekte. Po pse, nuk kanë nevojë dhe të rinjtë shqiptarë, të cilët jetojnë në këtë vend, të realizojnë projekte?!

Pashë të rinj apo “diasporianë” që thoshin se nuk na intereson politika!!! Por si mund të marrësh pjesë në një samit kur ti shkel në një vend që pikërisht me anë të politikës po të ndalon gjënë më të rëndësishme që është vota jote?!

Pashë diskutime, panele, të cilat analizonin probleme të gjuhës shqipe, kur kemi një histori mjaft të rëndësishme, siç janë arbëreshët, që për gjashtë shekuj, edhe pse Italia ka qenë e përfshirë në luftëra, edhe pse Shqipëria ka qenë e përfshirë nën sundime pushtuese e e diktatoriale, gjuha e tyre ka vazhduar të ekzistojë.

U trumbetua bashkëpunimi me universitetet!!! Po pse, sot janë hedhur këto ide?! Në universitetin e Romës, në universitetin e Napolit, në universitetin e Kozencës kahera ekziston Katedra e Gjuhës Shqipe. Pra, nuk është se i krijoi ky pushtet socialist.

Pra, gjëra të përsëritura e të përsëritura.

U fol për turizmin. Po pse, kur nuk ka ndodhur që diasporianët, emigrantët, nuk kanë ardhur të kalojnë e të bëjnë turizëm në vendlindje?!

U fol për sipërmarrësi, por nuk u fol se cili nga këta sipërmarrës të suksesshëm diasporianë ka investuar qoftë një rrugë apo një histori suksesi në vendin, në fshatin e tyre të origjinës!

Disa kohë, disa vite më parë, Kosova i nisi pikërisht rrugëtimet e të drejtës së votës së diasporës së saj me një samit të diasporës. Unë kam qenë e përfshirë në grupin e punës dhe gjithçka ndodhi krejt ndryshe; nuk është se u bë një kongres dhe më pas të nxirreshin objektivat.

U krijuan grupe të punës me njerëz të cilët kishin profile të caktuara në orientime të caktuara që synonin të bënin një bashkërendim të punës mes pushtetit, mes qeverisë së Kosovës dhe asaj që është forca e diasporës dhe u arrit në konkluzione,  u arrit në atë çka Kosova, ky shtet i ri, ky shtet “fraxhile”, arriti të mundësojë: votën e diasporës!

Kurse ne jemi sot ende tek diskutojmë dhe nuk kemi të drejtën e votës; kur këta diasporianë të detyruar të largohen nga vendi, nuk kanë forcën të ulen në një panel dhe të thonë se kush janë motivet që u larguan e të mos thonë (se ishte e pamundur të mos dëgjoja në panelet e rëndësishme dhe në primetimet televizive ta thoshin)  se “nuk më intereson politika”!!! Po si mund të të mos të interesojë politika kur ty të mohohet e drejta e votës?!”/ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë me znj. Alba Kepi  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco