Becchetti-Don Rodrigo dhe pakti për emigrantët, ish pronari i medias rrezikon të prishë marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë

Becchetti-Don Rodrigo dhe pakti për emigrantët, ish pronari i medias rrezikon të prishë marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë

18:28, 23/11/2023
A+ Aa A-

Nga Letizia Tornello

Kërkesa për sekuestrim e kanalit televiziv shqiptar ‘Agon Channel’ nga ish-pronari mund të prishë krijimin e qendrës së azilkërkuesve të kërkuar nga Meloni dhe Rama. Dhe ka një precedent.

Ajo qendër emigrantësh duket sikur nuk ka perspektivë. Historia e marrëveshjes Itali-Shqipëri për të ndërtuar një qendër emigrantësh në brigjet e ‘Tokës së Shqiponjave’ të kujton shumë ‘I promessi sposi’ (‘Të fejuarit’, romani i shkrimtarit italian, Alessandro Manzoni). Një pakt që u prezantua më 6 nëntor nga dy kryeministrat, Meloni dhe Rama, si një nga risitë më domethënëse në menaxhimin e pritjes së emigrantëve në Europë. Që nga ajo datë, projekti ka pasur ndikim, ka ngjallur diskutime, ka zemëruar opozitën e Italisë, por edhe ka tërhequr interesin e Gjermanisë dhe Komisionit Europian.

Marrëveshja është në proces miratimi nga të dy parlamentet. Por mes peripecive të ndryshme, biznesmeni Francesco Becchetti, ish-pronari i televizionit italo-shqiptar ‘Agon Channel’, duket se ka ndërhyrë si Don Rodrigo ‘në dasmën’ Romë-Tiranë. Kanlai televiziv, i hapur në Tiranë në fund të vitit 2014, kishte zgjatur pak më shumë se një vit në atë kohë. Në muajt e aktivitetit, ky televizion kishte mbledhur emrat më të rëndësishëm të gazetarisë shqiptare dhe yjeve argëtimit vendas, me premtimin e një kapitali të madh: nga Simona Ventura te Nicole Kidman (për nisjen), nga Antonio Caprarica (i cili dha dorëheqjen dy javë pas fillimit) deri te Veronica Maya dhe nuk kursente kritikat e ashpra ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Sot, tetë vjet më vonë, mbyllja e saj rrezikon të bëhet pykë midis dy vendeve. Pasi mësoi për marrëveshjen për emigrantët, në fakt, Becchetti u rishfaq gati si një orë zvicerane. Ai njoftoi nëpërmjet avokatëve të tij një sekuestro parash ‘në emër të të tretëve’ kundër Këshillit të Ministrave italian dhe të gjitha ministrive, për një shumë prej 135 milionë euro. Sipas vendimit ARB 15/28 të datës 24 Prill 2019 të Gjykatës Icsid (Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve-Gjykatë Arbitrazhi) të Bankës Botërore, gjykuar në Uashington, ku sipërmarrësit i detyrohet kjo shumë nga shteti shqiptar si gjobë për mbylljen e televizionit të tij.

Më 8 prillin e kaluar, kërkesat e Tiranës për rishikimin e vendimit të arbitrazhit që përcaktonte dëmshpërblim për të dhe persona të tjerë u refuzuan. Tani, ish-pronari që jeton në Londër, i dënua me 17 vjet në Tiranë për pastrim parash, kërkon paratë dhe e prish kontratën Romë-Tiranë që në rrënjë. Ai në thelb kërkon përmes rrugëve ligjore që përpara se Italia të paguajë paratë në llogarinë shqiptare, siç shkruhet në marrëveshjen Rama-Meloni (16.5 milionë vitin e parë, për të mbuluar kostot e shërbimeve të ofruara nga Shqipëria dhe më pas gradualisht për pesë vitet e ardhshme), ato fonde përfundojnë në xhepat e tij, siç përcaktohet nga vendimi i Icsid. Ai kërkon pagesën direkt, pa u kredituar në llogarinë shqiptare.

Pse rrezikojnë si Roma dhe Tirana?

135 milionët që i detyrohen Becchettit korrespondojnë me 0.75% të PBB-së së Shqipërisë. Një shumë e rëndësishme, për një vend që po bën hapa për t'u bashkuar me Europën dhe që ende lufton me xhepat e varfërisë, ekonomisë informale dhe prapambetjes.

Njoftimi i Becchettit për qeverinë italiane rrezikon të shkaktojë një tërmet në të dy anët e Adriatikut. Tirana nuk ndihet e përfshirë dhe shprehet se këto janë problemet e Italisë. Sepse paratë e qendrës së emigrantëve janë para italiane, ndaj Shqipëria nuk do të pësojë asnjë dëm edhe nëse një gjykatës (duhet të kuptojmë italian apo shqiptar) thotë se 16.5 milionët e para dhe ato që pasojnë do të sekuestrohen.

Në fakt, nuk është tamam kështu, le të shohim pse. Sipas kontratës Rama-Meloni – citojmë marrëveshjen –, ‘brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi të Marrëveshjes, pala italiane duhet të kreditojë llogarinë e posaçme të thesarit me shumën 16,5 milionë euro, në titullin e paradhënies ose rimbursimeve, në përputhje me nenin 10 për vitin e parë’. Mund ta bëhet ‘pagesë në euro dhe të kthehet në lekë’ me kursin e këmbimit të monedhës në ditën e pagesës, shkruhet në dokument. Përsëri brenda 90 ditëve, Italia duhet të hapë një llogari bankare të dedikuar për ‘depozitimin e burimeve në lidhje me fondin e garancisë’, që korrespondon me 100 milionë lekë.

Nga pala Italiane

Përpara se të paguajë, shteti italian duhet të mendojë dy herë. Nëse do të paguante shumën kontraktuale dhe një gjyqtar nuk do të kishte vendosur të drejtën Becchettit për ta përfituar atë, Italia mund të rrezikonte të shkelte rregullat e mbrojtjes ndaj sipërmarrësit. Kështu, Italia do të gjejnë veten, duke paguar dy herë: fillimisht Shqipërinë për shërbimin, pastaj Becchettin. Megjithatë, nëse Italia nuk paguan, nuk e respekton kontratën me Shqipërinë.

Nga pala Shiptare

Edhe e parë nga Tirana, është gjithmonë një problem i mundshëm. Sepse është e vërtetë që, nëse nuk mbërrijnë eurot italiane, nuk do të nisë shërbimi i pritjes dhe identifikimit të azilkërkuesve në Shëngjin dhe Gjadër. Por nëse gjyqtari do të urdhëronte sekuestrimin, Shqipëria në të ardhmen do të duhej të ofronte një shërbim pa kompensim nga Roma, duke qenë se marrëveshja - e citojmë sërish - funksionon që ‘brenda 15 mars dhe 15 shtator për secilin vit të vlefshëm në marrëveshje, pala shqiptare i komunikon palës italiane në rrugë diplomatike shumën e shpenzimeve të bëra në gjashtë muajt e mëparshëm’.

Lëvizja e Becchettit sigurisht që do t'u japë avokatëve të shtetit të të dy vendeve punë. Ekziston një precedent që i shton peshë delikatesës së çështjes. Francesco Becchetti, për të marrë shumën që i detyrohet Shteti Shqiptar, mori masa edhe ndaj kompanisë ajrore shqiptare ‘Albcontrol’, në pronësi të shtetit, e cila menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore sipas standardeve ndërkombëtare të navigimit ajror dhe është anëtare e Eurocontrol që nga viti 2003. Kompania po shkon drejt kolapsit financiar, pasi Gjykata e Apelit e Brukselit vendosi të ngrijë llogaritë në favor të ish-pronarit të Televizionit të yjeve. Për të fshehur dështimin, Tirana ndihmoi Albcontrol me 32 milionë euro, raporton faqja ‘Ina-Media’ - Investigative Network Albania. Me pak fjalë, ‘Agon Channel’ mungon prej tetë vitesh, por disi ‘show’ vazhdon.

/SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco