BE: Një Parlament që ushtron rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është shtyllë qendrore e integrimit

BE: Një Parlament që ushtron rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është shtyllë qendrore e integrimit

10:05, 22/11/2023
A+ Aa A-

Dy ditë pasi në Kuvend u miratua në parim në më pak se 5 minuta projektbuxheti për vitin 2024, ka ardhur reagimi i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri. 

Delegacioni i kujton Shqipërisë se një parlament funksional, është shtylla e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. 

Po ashtu, përfaqësuesit e unionit në Shqipëri kujtojnë se dialogu konstruktiv në parlament është i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë. 

"Pas zhvillimeve të fundit në Parlamentin e Shqipërisë, Bashkimi Evropian rikujton se një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në BE. Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në parlament është shumë i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë," thuhet në deklaratën e tyre.

Një ditë më parë, për krizën që ka përfshirë parlamentin reagoi edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner. Diplomati gjerman i bëri thirrje mazhorancës dhe opozitës që të bashkëpunojnë, teksa theksoi se parlamenti duhet të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues.

Ndërsa ambasada e SHBA vuri në dukje se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t'u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco