Dëshmitari në gjyqin e Hagës: Hashim Thaçi nuk u jepte urdhra luftëtarëve

Dëshmitari në gjyqin e Hagës: Hashim Thaçi nuk u jepte urdhra luftëtarëve

09:47, 17/11/2023
A+ Aa A-

Ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sadik Halitjaha tha në gjyqin e Hashim Thaçit dhe të pandehurve të tjerë me të në Hagë se në kundërshtim me pretendimet e prokurorisë, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk jepte urdhra dhe forca guerile nuk kishte një strukturë të përcaktuar ushtarake.

BIRN 

Sadik Halitjaha, ish-zëvendës komandant i Zonës Operative të Pashtrikut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i tha Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë këtë javë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk u dha urdhra luftëtarëve të tij, madje edhe rregulloret ushtarake ishin përpiluar në nivelin e zonës operative.

Halitjaha tha gjithashtu në gjyqin e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre të pandehurve të tjerë bashkë me të se përpjekjet për t'i dhënë UÇK-së një strukturë të duhur ushtrie mbetën në letër.

“Nuk mbaj mend të kem marrë ndonjë urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm”, tha Halitjaha në gjykatë të premten.

Prokuroria po kërkon të vërtetojë se Thaçi dhe tre të pandehurit e tjerë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ishin përgjegjës si oficerë të lartë të UÇK-së për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Halitjaha tha të hënën se nuk kishte protokolle të dakorduara mes zonave të ndryshme operative të UÇK-së dhe Shtabit të Përgjithshëm. Por në zonën e Pashtrikut, ku ishte zëvendës komandant, ai dhe të tjerët hartuan rregulloret e tyre.

Ai gjithashtu dëshmoi se në UÇK-ja nuk kishte grada në kuptimin tradicional ushtarak.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të Thaçit, Gregory Kehoe, Halitjaha i tha gjykatës se “nuk kemi marrë asnjë urdhër nga Hashim Thaçi” sepse dhënia e urdhrave “nuk ishte pjesë e përshkrimit të punës së tij… ai ishte më shumë si një politikan, një komisar, sesa një luftëtar, i cili punonte vetëm teorikisht se si po bëhej lufta”.

Dëshmitari gjithashtu pohoi se ai e kishte takuar Thaçin vetëm dy herë gjatë luftës.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen se kanë përgjegjësi individuale dhe komanduese për krimet që janë kryer kryesisht ndaj të burgosurve të mbajtur në objektet e paraburgimit të UÇK-së në Kosovë dhe Shqipërinë fqinje, përfshirë 102 vrasje.

Krimet dyshohet se janë kryer ndërmjet të paktën marsit 1998 dhe shtatorit 1999, gjatë dhe menjëherë pas luftës me forcat serbe. Të pandehurit janë vetëdeklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Gjatë dëshmisë së tij, Halitjaha i tha gjykatës se kishte raste civilësh që përdornin lidhjet e tyre me një anëtar të UÇK-së për të denoncuar dikë si spiun me qëllim që “të merrnin hak për çështje personale”.

Ai përmendi gjithashtu një rast në të cilin një civil dërgoi një listë me emra nga fshati i tij, duke pretenduar se disa njerëz ishin spiunë vetëm sepse u panë duke u ulur ose duke biseduar me serbët. Halitjaha pretendoi se e grisi listën sepse e dinte se njerëzit që ishin denoncuar nuk ishin spiunë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në vitin 2015 për të gjykuar ish-luftëtarët e UÇK-së për krime të kohës së luftës dhe të pasluftës. Gjykata u krijua në Hagë nga parlamenti i Kosovës, nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët besonin se vetë sistemi i drejtësisë së Kosovës nuk ishte mjaftueshëm i fuqishëm për të gjykuar rastet e UÇK-së dhe për të mbrojtur dëshmitarët nga kanosja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco