VIDEO/ Bashkia e Tepelenës thyen ligjin. Punëson inspektorë të pakualifikuar dhe kryeinspektorë me dy poste

21:03, 10/11/2023
A+ Aa A-

‘Vende pune ka, por nuk ka profesionistë’-është ky një nga sloganet më të njohura të kryeministrit Rama, i cili thuajse na e ka mbushur mendjen që gjerat janë vërtetë kaq mirë në këtë vend.

Dhe duket se këtë slogan e ka përkthyer në mënyrën më të mirë, Bashkia Tepelenë, e cila sipas KLSH ka të punësuar dy persona në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit në kundërshtim me ligjin

I pari është inspektori Enrik Lamaj, i cili nuk ka arsimin e duhur. Sipas ligjit, kryeinspektorët dhe inspektorët e inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të kenë arsimin e lartë të nevojshëm profesional në fushat e drejtësisë, inxhinierisë së ndërtimit, arkitekturës, urbanistikës, konstruksionit, transportit, teknologjisë së materialeve, gjeologjisë, hidrogjeologjisë dhe mjedisit.

Ndërsa zoti Lamaj, bazuar në shkresën e KLSH, ka mbaruar ‘Shkollën e lartë të Bashkuar të Oficerëve’ dhe kjo mungesë e formimit profesional të nevojshëm për pozicionin e punës, ndikon në zbatimin e detyrës si inspektor.

Kjo për Bashkinë Tepelenë, duket se nuk përbën asnjë problem.

Inspektori Enrik Lamaj shprehet se ka bërë një kërkesë pranë bashkisë për të filluar punë dhe filloi.

‘Jo, s’e kam thyer ligjin, por kërkova punë si gjithë të tjerët. E ushtroj prej 6 vjetësh, por kryeinspektori është inxhinier ndërtimi. Ne po kërkojmë edhe një inspektor tjetër, por është e vështirë. Nuk ka. Kemi kërkuar. Është mangët. Unë kam që në 2018. Kam arsimin e lartë, kam punuar në instanca shtetërore, në Policinë e Shtetit,e kam një cv.

Nuk të vjen njeri, inxhinier ndërtimi me pagë 400 mijë lekë.

KLSH t’i vërë re edhe aspektet e tjera, me kaq imtësi sa ka parë edhe inspektoratin e Tepelenës, në qytete të tjera, do më bëhej qejfi...’

I dyti në këtë listë është zoti Gezim Malka, kryeinspektori i Inspektoriatit Vendor të Territorit, i cili rezulton i punësuar dy herë në administratën shtetërore, njëherë pranë Këshillit të Qarkut dhe njëherë si kryeinspektor.

Por ushtrimi i detyrës si kryeinspektor nuk është në përputhje me ligjin, pasi nuk është emëruar si pjesë e strukturës dhe nuk mund ta ushtrojë atë detyrë, duke qenë i punësuar në një institucion tjetër me kohë të plotë.

‘Këtë s’e vendos unë, këtë e vendos burimet njerëzore dhe zyra juridike pranë bashkisë. Nuk e di nëse është shkelur ligji apo jo.

-Duke qenë se jeni me dy poste... Nuk keni pasur kontratë si kryeinspektor.

-S’e di.

-Si s’e dini?

-Keni firmosur kontratë atëherë apo jo?

-Kam firmosur kontratë për këtë vit.

-Gënjen raporti?

-Nuk di të them. Unë di që këtë punë e kam kryer pa pagesë. Edhe sot e kësaj dite që jam me kontratë, pa pagesë’- deklaroi kryeinspektori.

Ndërsa juristja e institucionit shprehet se për vitin 2022 kanë pasur vetëm një urdhër të titullarit për caktimin e tij, por jo kontratë.

‘Për këtë do mbajmë përgjegjësi duke qenë se ka dalë raporti i auditimit, secili nga ne do këtë përgjegjësitë e tij, nuk kemi pse e diskutojmë.

Ne fakt ne na duhet ta diskutojmë, por jo më me juristen, por me te parin e vendit.

 -Është shumë e vërtetë. I kemi marrë të gjitha masat. E kemi pranuar qëështë fakt.

-Dmth është bërë shkelje e ligjit?

-Të lutem, ne në 2021 kemi pasur kryeinspektor Gëzimin, lëvizi te Këshilli i Qarkut dhe ky pozicioni ngeli vakant. Bëmë ca thirrje, por nuk është se ka pasur shprehje interesi dhe e kemi anashkaluar.

-Nuk ka pasur asnjë të ri, asnjë student?

- Asnjë.

-Bëjmë një thirrje atëherë para kamerës që të ftosh të rinjtë të vijnë dhe të punojnë konform ligjit.

-Patjetër. Unë Enrikun s’e kam as të babait, as të nënës. Si çdo qytetar ka të drejtë të aplikojë.

-Edhe pse i pakualifikuar...

-Ata nuk janë pa shkollë. Nuk i kemi marrë nga rruga.

- Nëse nuk je i fushës, si mund ta zbatosh si duhet detyrën?

-Prandaj kemi marrë të jashtëm Gëzim Malkën.

-S’ka pasur kontratë gjatë 2022.

-Absolutisht me kontratë.

-Juristja thotë jo.

-Më vjen keq...

-Çfarë masash po merrni tani?

-Kemi ngritur grupet e punës dhe kemi shpallur pozicione. Dhe për të qenë korrekt është interesuar një djalë i ri, që ka mbaruar për inxhinieri.

-Pra do t’i merrni të gjitha masat për punësimin me kriter të atyre punonjësve në bashki.

-Absolutisht! Shumë respekte që e ke marrë rrugën nga Tirana në Tepelenë’.

Me këtë premtim të kryetarit shpresojmë që në vazhdim kjo bashki të punësojë inspektorë konform ligjit.

EMISIONI I PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco