Erion Veliajt, 3.200 euro 1 video për promocion!

Erion Veliajt, 3.200 euro 1 video për promocion!

16:14, 10/11/2023
A+ Aa A-

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, është “kampioni” i propagandës. Ai nuk lë asnjë rast për të bërë vetëm “show”. Në çdo aktivitet, videot e tij shkojnë të gatshme në studiot e lajmeve, madje të prera dhe montuara me të gjitha sinkronet dhe efektet. Jo më kot në të gjithë Bashkinë e Tiranës janë të punësuar dhjetëra ish-gazetarë, që tashmë janë bërë shefa, specialistë. Ka edhe montazhierë dhe kameraman, teksa e gjithë “flota” e tij konkuron denjësisht ministrinë e Propagandës së Edi Ramës, e drejtuar nga Endri Fuga. Por, Lali Eri u ka lënë dorë të lirë për shpenzime, teksa shpeshherë ai bën edhe tendera për propagandë. Nuk i mjafton një duzinë punonjësish, të cilët vetëm atë punë kanë, por edhe kontrakton firma private, më së shumti klientë të tij, për të bërë video të ndryshme. Sipas dokumenteve që disponon redaksia e BoldNews.al, Veliaj ka hapur një tender për video promocioni. Ai kërkon rreth 18 video, teksa nga kalkulimet e redaksisë rezulton se për 1 video maksimumi 3 minutëshe, ai do të paguajë një shumë prej 3200 euro. Ose sa rroga e 4 specialistëve!

Dokumenti i mësipërm është shpallja e njoftimit të tenderit të Bashkisë së Tiranës. Lënda e këtij dokumenti është “njoftimi i shkurtër i kontratës ‘realizimi i videove të shkurtra edukative dhe video-podcasteve për digjitalizim’”. Siç duket edhe nga titulli, do të bëhen edhe video të shkurtra podcasti. Nga ato që realizon javë për javë Rama. Goxha shembull, por me kosto për buxhetin e bashkisë. Mësohet se fondi limit i këtij tenderi, ose vlera e pritshme e kontratës është 5.830.000 lekë pa TVSH. Kohëzgjatja e kontratës do të jetë 7 muaj, duke nisur menjëherë pas nënshkrimit të kontratës.

BoldNews.al hulumtoi edhe dokumentet shoqëruese, ku Bashkia e Tiranës thotë se “objektivi i përgjithshëm i shërbimit të kërkuar nëpërmjet kësaj kontrate është rritja e ndërgjegjësimit dhe informimit publik përmes videove podcast të cilat do të zhvillohen në formate intervistash dhe videove edukative informuese, me fokus edukimin, teknologjinë dhe inovacionin”. Sipas saj, kërkohet krijimi i një logoje për projektin, realizimin e regjisë, ideimin dhe konceptimin e përmbajtjes së video-intervistave duke propozuar një skaletë për materialin audio-viziv që do të prodhohet. Madje, kërkohet edhe vënien në dispozicion të një ambienti/ salle /studio specifike për realizimin e regjistrimin e videove përgjatë shtrirjes kohore të projektit, kur është e nevojshme. Por, nëse ke të punësuar mbi 50 persona për propagandën, për çfarë të duhet një firmë private? Ose punonjësit janë të paaftë, ose ata janë vënë atje vetëm për të marrë një rrogë. Dhe, për më tepër, cilën audiencë do të kapësh me këto video?!

Në dokumente të tjera Bashkia e Tiranës shkruan se qëllimi i këtij projekti është rritja e ndërgjegjësimit dhe informimit publik për aktualitetin e ekosistemit shqiptar të teknologjisë dhe sipërmarrjes si dhe informimi mbi çdo nisëm të Bashkisë Tiranë për të rinjtë në fushën e teknologjisë dhe sipërmarrjes. Sipas tyre, rezultatet që priten është bërja e 6 videove podcast, të cilat do të zhvillohen në formate intervistash me përfaqësues të Bashkisë Tiranë duke prezantuar projektet e ndryshme të digjitalizimit dhe nismave për të rinjtë.

Gjashtë video podcast, të cilat do të zhvillohen në formate intervistash me përfaqësues të bizneseve dhe startup-eve të cilët do të japin perspektivën e digjitalizimit dhe inovacionit në punën e tyre. Dhe kërkohen 6 video edukative informuese të bazuara në një hulumtim mbi inovacionin dhe ekosistemin startup në Tiranë. “Videot do të jenë të animuara dhe do të kenë një gjatësi prej maksimumi 3 minutash” thuhet në këto dokumente.

Pra, në total 18 video. Nëse do të pjestojmë numrin e videove me fondin limit të akorduar 5.830.000 lekë, atëherë rezulton se shuma që do shpenzohet për 1 video është mbi 3.200 euro. Dhe, të gjitha këto, për të dalë në televizor se “po punojmë”. Kur në fakt, puna e Bashkisë së Tiranës është lehtësimi i jetesës së banorëve, jetesë e cila është vështirësuar së tepërmi nga çmimet e larta të apartamenteve, ryshfetit kudo në zyrat vendore, trafiku i tmerrshëm, balta, llumi apo edhe ndotja masive. Dhe, nëse do të rregullonte këto të fundit, atëherë mund të konsiderohej si punë, dhe jo të bëjë video të kota që si hyjnë në punë as 0.01 % e banorëve./Boldnews.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco