Marrëveshja Rama-Meloni për refugjatët/ Financial Times: Brukseli ka ngritur pikëpyetje për skema të tilla

Marrëveshja Rama-Meloni për refugjatët/ Financial Times: Brukseli ka ngritur pikëpyetje për skema të tilla

20:41, 06/11/2023
A+ Aa A-

Mediat e mëdha ndërkombëtare po i bëjnë jehonë marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane, Giorgia Meloni për ngritjen e dy qendrave për pritjen e refugjatëve në zonën e Lezhës.

Financial Times shkruan se Shqipëria do presë refugjatët që përpiqen të arrijnë në BE përmes detit.

Meloni tha se kjo është një zgjidhje inovative, duke shtuar se emigracioni i paligjshëm është një fenomen që shtetet e BE-së nuk mund ta luftojnë të vetme.

Kryeministrja italiane tha se një marrëveshje e tillë do bëhet model edhe për vendet e tjera.

Por gazeta Financial Times shkruan se Brukseli ka dyshimet e tij për marrëveshje të tilla.

“Është hera e parë që një vend i BE-së i jep procedurat e tij të azilit një vendi që nuk është ende pjesë e bllokut. Shqipëria është në bisedime për t’u bashkuar me BE-në dhe është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Marrëveshja i bën jehonë marrëveshjes së Mbretërisë së Bashkuar me Ruandën, e cila megjithatë është e zhytur në sfida ligjore.

Komisioni Europian tha se ishte në dijeni të marrëveshjes, por se nuk kishin marrë ende detaje. “Është e rëndësishme që çdo marrëveshje e tillë të jetë në respekt të plotë të së drejtës së BE-së dhe ligjit ndërkombëtar,” tha një zëdhënës i Komisionit.

Brukseli në të kaluarën ka vënë në pikëpyetje nëse skemat për përpunimin e kërkesave për azil në vendet jo anëtare të BE-së janë në përputhje me rregullat ndërkombëtare, të cilat përcaktojnë se personat që kërkojnë mbrojtje në një vend tjetër, nuk mund të dërgohen pa u dëgjuar fillimisht kërkesa e tyre,” shkruan gazeta.

Qendrat e refugjatëve do ndërtohen 20 kilometra larg bregut, në rajonin e Gjadrit. Rojet policore shqiptare do jenë në ngarkim për patrullimin e qendrave.

Sipas FT, mendohet se të paktën 36 mijë emigrantë do mbërrijnë çdo vit në këto qendra.

Ato do jenë plotësisht operacionale në pranverë të vitit që vjen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco