Si i mbikëqyrën Bajrët votimet në Shkodër deri te fitorja e Benet Becit

Si i mbikëqyrën Bajrët votimet në Shkodër deri te fitorja e Benet Becit

11:22, 31/10/2023
A+ Aa A-

Zgjedhjet e 14 Majit në Shkodër u zhvilluan nën mbikqyrjen e grupit kriminal të “Bajrave”, personazhe të akuzuar për vrasje, rrëmbime, gjobëvënie, trafik droge, shfrytëzim prostitucioni etj. Në rreth 24 minuta filmime, që u publikuan nga Sali Berisha në një konferencë për mediat nga selia e Partisë Demokratike tregohet se si grupi kriminal, pjesë e të cilit janë disa emra të njohur të botës së krimit, lëviznin bashkë me zyrtarët e Partisë Socialiste duke kontrolluar qendrat e votimit.

Në filmimet e kamerave të vendosura në rrugët e Shkodrës, fillimisht shfaqen disa mjete me xham të zinj, që qarkullojnë në qytet në 14 Maj. Auto-kolona ndalet fillimisht në qendrën e votimit në shkollën “Dëshmorët e Prishtinës”, shpjegohet në një artikull të Lapsi.al sot.

Image

Nga mjeti i parë, që parkon në hyrje të qendrës së votimit del i pari anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste në Shkodër, Erald Bushi. Pas tij, nga një mjet tjetër që e shoqëronte del Enver Bajri. Bashkë me grupin e personave të tjerë që zbresin nga disa makina ata futen në ambjentet e shkollës ku vazhdonte votimi.

Image

Enver Bajri është konsideruar koka e grupit kriminal. Në vitin 2018 ai u arrestua në Spanjë, pasi akuzohej për trafik drogash të forta, që i merrte nga Amerika Latine dhe i transportonte drejt vendeve të Bashkimit Europian. Mendohet se Enveri ka qenë edhe personi që kontrollonte financat e grupit kriminal dhe dora e hekurt që drejtonte rrjetin e prostitucionit në disa vende të Europës.

Në filmimin që publikoi Partia Demokratike, grupi i personave hyn në qendrat e votimit dhe më pas largohen për të “inspektuar” procesin në qendra të tjera.

Lëvizjet e të njëjtës auto-kolonë ndalen në ambjentet e shkollës “Ndre Mjeda”, ku të njëjtët persona zbresin për të parë nga afër procesin dhe për t’u takuar me zyrtarë të Partisë Socialiste.

Image

Në foton më lart, duket sërish Enver Bajri që hyn në ambjentet e shkollës “Ndre Mjeda”. Përkrah tij qëndron Denis Brajoviq. Së fundmi ai është akuzuar nga SPAK se ishte ekzekutori i Gjin Boriçit në Shkodër. Sipas përgjimeve të dosjes “Metamorfoza”, Denis Brajoviç (aktualisht në kërkim) i shkruajti Behar Bajrit pas ekzekutimit: “…Gjoks e kry, kapedan. Mu blloku, se dosha me ja gri kryt, se më tha diçka…”.

Image

Pas tyre ecën Erogen Brajoviq, një tjetër emër i skeduar nga prokuroria si pjesë e grupit. Kur u arrestua nga RENEA në vitin 2018, gazeta malazese Vijesti raportoi se Brajoviç ishte pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Ranka Raduloviç, i akuzuar për planifikimin e vrasjeve të zyrtarëve të policisë, por edhe anëtarëve të ashtuquajturit “Klani kavačkog”. Klani i drejtuar nga Raduloviç është një nga tre klanet kriminale në Mal të Zi, i përfshirë në trafikun e kokainës. Brajoviç ka qenë anëtar i këshillit bashkiak të Shkodrës si përfaqësues i pakicave, me logon e PBDNJ.

Image

Pas tyre, hyn në ambjentet e shkollës “Ndre Mjeda” Samet Halluni. Një tjetër personazh i akuzuar nga prokuroria si pjesë e grupit kriminal. Në vitin 2018, kur u ekstradua nga Hollanda, policia njoftoi zyrtarisht se Samet Halluni “është anëtar i grupit të strukturuar kriminal “Bajri” dhe dyshohet që në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të këtij grupi ka kanosur me anë të shtrëngimit për dhënien e pasurisë një sërë biznesesh në Shkodër duke përfituar prej tyre para dhe prona”.

Image

Në korridoret e shkollës, grupi i Bajrave priten nga kandidatja e Partisë Socialiste për Këshillin Bashkiak Ledi Bilali dhe drejtori i Autoritetit të Veterinarisë, Andi Bilali. Ndërsa shoqërohen nga anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Erald Bushi, grupi i të fortëve qëndron për disa minuta në hyrje të qendrës së votimit dhe më pas largohet.

Image

Jashtë ambjenteve të votimit, qëndron një tjetër pjesëtar i grupit, që siç duket ka për detyrë të vëzhgojë zonën.

Filmimet vërtetojnë atë që opozita e kishte denoncuar edhe më parë, se në 14 Maj, qytetarët e Shkodrës votuan nën mbikqyrjen e Bajrave, që u angazhuan për fitoren e Benet Becit.

Gjatë konferencës për mediat, Sali Berisha akuzoi SPAK se është i shërbeu bandave dhe Partisë Socialiste në rastin e Bajrave.

“SKAP-i i Partisë është një seksion i bandës së Bajrave, është një organizatë kriminale, e cila bashkëpunoi me këtë bandë për të përmbushur misionet e saj të zeza elektorale” tha Berisha.

Berisha i referohet hetimeve të dështuara të SPAK, që u zhvilluan pas operacionit të policisë për kapjen e Bajrave në vitin 2018. Dy prokurorët, Ened Nakuçi dhe Ervin Kondili e rrëzuan akuzën për grup të strukturuar kriminal dhe dosja përfundoi në Shkodër.

Në atë kohë Ministër i  Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj. Pas shkarkimit, Xhafaj u shpreh se ky grup kishte pasur mbështetje politike.

“Ky grup ka pasur influence shtetërore në kohëra të ndryshme ndër vite, madje edhe në polici. Në kohët e fundit ne kemi punuar shumë që t’ia heqim këtë influence” u shpreh atëherë Fatmir Xhafaj.

Të arrestuarit më vonë u liruan nga burgu. Nga përgjimet e SKY që erdhën nga Franca, u zbulua një marrëveshje me prokurorin Xhevahir Lita, i cili ishte në listë-pagesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka.

Ky i fundit ishte shpallur investitor strategjik nga qeveria Rama dhe ndërkohë i përdorte Bajrat për vrasjet me pagesë.

Edhe dy muaj para zgjedhjeve, Bajrat përfituan lirimin e një prej antarëve të tyre, Safetit. Emri i Safet Bajrit u kthye në shqetësim për qeverinë belge pas skandalit që u zbulua se ai iu shmang vuajtjes së dënimit atje dhe u riatdhësua në Shqipëri. Safet Bajri përshkruhet në gazetat e Belgjikës si një njeri i lidhur me 40 vrasje.

Kandidati i Partisë Socialiste, Benet Beci  fitoren në Shkodër me mbi 11 mijë vota në avantazh përballë Bardh Spahiut. Beci shprehu atëherë mirënjohje për bashkëpunëtorët e tij, ndërsa shtoi se ishte krenar për rezultatin. “Jemi krenarë për rezultatin tonë”, tha Beci për mediat./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco