KAFE SHQETO/ Haxhimali: Shqipëria nuk ka nevojë të fuqizojë prefektët! Majtas Agron Haxhimali - djathtas ish-Sekretari i PS, Taulant Balla me kryebashkiakët e rinj - poshtë prefekti i Tiranës Afrim Qendro

KAFE SHQETO/ Haxhimali: Shqipëria nuk ka nevojë të fuqizojë prefektët!

11:06, 31/10/2023
A+ Aa A-

“Ne jemi shtet i vogël me 2 milionë banorë, nuk kemi nevojë as për qeveri të madhe, nuk kemi nevojë për këtë vertikale institucionale shumë të fortë. Paguajnë taksapaguesit, mendo, edhe prefektët!!!”

Ministria e Brendshme e drejtuar tashmë nga Taulant Balla ka vendosur të bëjë ndryshime në ligjin e vitit 2016 “Për prefektin e qarkut” dhe projektligjin e ka hedhur në konsultim publik deri më 26 nëntor 2023.

Me këtë projektligj synohet fuqizimi i rolit të prefektit, të “mëkëmbësit” të Qeverisë më saktë në monitorimin dhe zbatimin e projekteve, programeve në qark dhe shtohet si risi që në kuadër të monitorimit të punës së bashkive, Prefekti të ketë të drejtën edhe të propozojë shkarkimin e kryetarit të bashkisë në rast të shkeljeve të rënda kushtetuese. Konkretisht, të shtohet neni ku thuhet se Prefekti “propozon pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore, shkarkimin e kryetarit të bashkisë -pjesë e qarkut përkatës - në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve”.

Për këto pikëpyetje, Flavio Qarri ftoi sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, për një mendim, specialistin e politikave vendore, prof. Agron Haxhimalin, Drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare.

Kafe Shqeto: Z. Haxhimali, një projektligj që furnizon prefektin, duke i dhënë kompetenca madje edhe për të shkarkuar kryetarin e bashkisë, si e keni parë ju këtë projektligj ende të pamiratuar?

Haxhimali: Kohë e humbur televizive, kohë e humbur për mua si ekspert që komentoj, për institucionet, burokraci të tilla... Vendi, Shqipëria, bashkitë, qeveria, institucionet kanë nevoja të tjera dhe të merren me histori që kanë qejf prefektët, ish-kapterë, gjeneralë, prefektë që kërkojnë të marrin një pushtet apo të vendosin me egon e tyre, kontroll në territorin e 12 qarqeve është një gjë krejt e pakuptueshme. Nuk kanë nevojë qytetarët shqiptarë të konsumojnë kohë apo dhe institucionet a media me ligje të tilla për prefektin. Prefektit nuk i ka munguar asgjë, me aq sa ka kompetenca të bëjë ato punë që i takojnë. Shqipëria po rrudhet, kultura organizative dhe institucionet në Shqipëri nuk kanë nevojë më për pushtet, për të forcuar pushtetin e prefektit. Ndaj nuk e shikoj këtë ligj aspak si të mirë publike.     

Më lejoni t’ju tregoj çfarë ka ndodhur para disa vitesh, se këto janë lojëra të çuditshme, nuk e di se kush do të gënjehet, se nuk ma merr mendja se parlamenti do ta kalojë këtë ligj, se nuk i hyjnë në punë prefektët fare, as i ka pyetur njeri deri dje, nuk i njeh as opinioni publik. Ne jemi këtu në Tiranë dhe askush nga ju nuk e di kush është prefekti i Tiranës dhe jo t’i pyesin kryetarët e bashkisë të zgjedhur. Por këtu ka njerëz të ndryshëm, ka interesa të ndryshme.

Prefektët dikur deshën të formonin edhe Shoqatën e Prefektëve të mbështetur nga disa parazitë që jetojnë me fonde dhe projekte të ndryshme, që vunë të bënin rregullore se si kryetari i bashkisë t’i raportonte prefektit dhe se si të sillej në fakt, por këtë qeveria nuk e miratoi në atë kohë dhe unë e përshëndeta vendimin e qeverisë që nuk e mori në konsideratë.

Por, kur e shikoj tashti të artikuluar prapë më shkon mendja tek fakti që “përse duhet kjo mashë sot?!”. Ne kemi qeveri shumë të fortë, një shtet shumë të fortë, një kryeministër më të fortin në historinë e këtij vendi, që për logjikë më çon që nuk iu duhen edhe këta prefektët e fortë pasi ai e ka fare të qartë se as kryetari i bashkisë së Hasit, as kryetari i bashkisë së Kolonjës, as i Gramshit nuk e pyet fare prefektin.  Pra, do të thotë që vetëm konsumojnë gjëra kot, pa vlerë.

Kafe Shqeto: Pse nuk do të duhej që dikush të shqetësohej për faktin se kjo lëvizje e re, ky fuqizim i prefektëve nuk është për të pasur masa ndëshkuese dhe një “Shpatë të Demokleut: mbi kokën e kryetarëve të bashkive të opozitës?

Haxhimali: E kuptoj që mund të jetë pjesë e qëllimit, por ju e thatë në hyrjen tuaj shumë mirë se edhe ata pak sa janë... Po pse, duhet të ndërtojë politika të tillë edhe për ata 5-6, vetëm për opozitën?! Po pse, kështu do ta ndërtojmë këtë shtet ne?! Kështu do ta mbajmë vendin tonë?! Kështu do t’i ndërtojmë këto institucioneve?!

Kafe Shqeto: Po pse, Fredi Beleri ku është?! Si është situata e Himarës? Situata e pronave atje, e banorëve?!

Haxhimali: Dakord, po nuk është ky prefekti që do të zgjidhë absolutisht asgjë. Rasti i Himarës e kemi thënë në studion tuaj, është një vullnet me fuqi madhore... Pikën zero e ka te Kryeministri dhe mbi Kryeministrin të tjerë; nuk ka asnjë pikë fuqie poshtë Kryeministrit! Çfarë zgjidh prefekti në Himarë?!

Kafe Shqeto: Po, por edhe ajo dëshirë e “forcave madhore” u realizua nëpërmjet dy policëve të Vlorës!

Haxhimali: Ja pra. Në qoftë se ne do ta ndërtojmë shtetin tonë demokratik para se të hyjmë në Evropë me masa shtrënguese, të rrepta, ushtarake, hajde e bëjmë atëherë dhe katandisemi kështu siç jemi katandisur. Por unë nuk mundem që të them që projektligje të tilla janë të shëndetshme për opinionin publik! Të ndërtojmë shtetin tonë bazuar në parimet, rregullat e decentralizimit, në pavarësinë e pushteteve vendore, në autonominë e tyre.

Unë do të them që është gabim dhe kështu do të them gjithmonë pa asnjë lloj alibie, pa asnjë lloj qasje politike, pa pasur fare ndër mend për të kritikuar njërën apo për të mbrojtur tjetrën palë. Ne jemi shtet i vogël me 2 milionë banorë, nuk kemi nevojë as për qeveri të madhe, nuk kemi nevojë për këtë vertikale institucionale shumë të fortë. Paguajnë taksapaguesit, mendo, edhe prefektët!!! Unë mendoj që me ndarjen territoriale, as 12 qarqet, as 12 prefekturat nuk kanë më vlerë, janë zhvlerësuar! Kultura  e bashkëpunimit të bashkive me këto institucione pothuajse nuk ekziston.”/ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV.  

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco