Sejamini për akuzat e SPAK ndaj Berishës: Goditje politike duke shkelur ligjet, lojë e rrezikshme

Sejamini për akuzat e SPAK ndaj Berishës: Goditje politike duke shkelur ligjet, lojë e rrezikshme

21:50, 30/10/2023
A+ Aa A-

Për analistin Neritan Sejamini shkelja e ligjeve nga drejtësia e re në emër të pastrimit të politikës është një lojë e rrezikshme. Duke iu referuar akuzave të SPAK ndaj ish-kryeministrit Berisha, ai tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, se është kundër çdo përpjekjeje për të justifikuar pastrimin e politikës shqiptare, duke shkelur të drejtat e njeriut, nga njerëz që nesër mund të abuzojnë vetë.

“Ne mund të biem dakord se kemi udhëheqës të korruptuar që kanë humbur shansin e Shqipërisë për t’u zhvilluar, janë pasuruar etj. Dhe këtu biem dakord të gjithë. Çështja që nuk biem dakord është se si ta zgjidhim këtë problem. Ka dy mënyra për ta zgjidhur: Ne do ta zhdukim këtë klasë politike. I janë shkelur të drejtat Sali Berishës? S’ka gjë se ai hajdut është, qelbësirë, të ikë. I janë shkelur të drejtat Arben Ahmetajt? Edhe ai është qelbësirë, hajdut, të ikë edhe ai. I janë prekur Saimir Tahirit? Edhe atij. Edhe Edi Ramës. Se në fund të ditës do të kemi një Shqipëri pa Sali Berishën, pa Edi Ramën, pa Arben Ahmetajn. Kjo mua më duket mënyrë e rrezikshme, sepse ne harrojmë një gjë: ai që e bën këtë shkelje të ligjit është sërish njeri. Çfarë bën ai, pasi e ka fituar këtë pushtet? Do të abuzojë për hesapin e tij.

Unë jam dakord që Sali Berisha të shkojë në gjyq dhe të përgjigjet për çdo gjë. Pyetja ime është: A duhet t’ia shkelim të drejtat Sali Berishës në këtë proces apo jo?

Unë them që jo, sepse, në konceptin tim, asnjë e mirë kolektive nuk mund të justifikohet me shkeljen  e të drejtave të një njeriu të vetëm.

SPAK, me dëshirën e mirë dhe motivimin a mos po tregohet më i zellshëm dhe ekstraligjor për këtë gjë, sepse ne dimë një gjë: sanksionimi i Berishës është bërë me një qëllim të vetëm, për të ndikuar opinionin publik shqiptar. Ai është mjet i politikës së jashtme amerikane. Amerika e përdor kudo dhe thotë se unë po sanksionoj disa persona që vetë popullsia e këtyre vendeve të reagojë dhe t’i shmangë nga jeta politike dhe t’i distancojë dhe kështu përmirësojmë politikën.

Kjo në Shqipëri dështoi, madje dha efektin e kundërt, sepse z. Berisha u zgjua. Tani, ne, në mënyrë arbitrare, edhe do t’i hapim një proces së diskutueshëm, meqë nuk e arritëm me non grata-n?

Mund të jetë dhe mund të mos jetë kështu. Jam krejtësisht kundër çdo përpjekjeje për të justifikuar pastrimin e politikës shqiptare, duke shkelur të drejtat dhe duke sajuar krime që nuk ekzistojnë, fajësi për ligje, për vendime qeverie. Kurrë nuk e kam menduar se mund të mbahet përgjegjës një ministër për një vendim të Këshillit të Ministrave, apo një deputet për një vendim të Kuvendit. Prokuroria po na thotë, për herë të parë në historinë e botës, se edhe këtu mund të mbash përgjegjësi. Mua më duket e rrezikshme kjo lloj loje”-u shpreh Sejamini.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco