SYRI TV/ Precedenti që rrëzon vendimet e SPAK për Berishën! Gjoka e Millonai, shkelje të rëndë kushtetuese

10:56, 25/10/2023
A+ Aa A-

Masa për heqjen e lirisë së krydemokratit Sali Berisha pa kërkuar autorizim nga parlamenti, është një shkelje e rëndë e Kushtetutës nga ana e gjyqtares së posaçme Irena Gjoka dhe prokurores së SPAK-ut, Enkeleleda Millonai. Precedenti i vitit 2017 me ish-deputetin socialist Sajmir Tahiri, ku prokuroria kërkoi autorizim për arrestimin e tij, rrëzon vendimet e SPAK-ut për Berishën. Kjo fakton se gjyqtarja Gjoka dhe prokurorja Millonai kanë cenuar sigurinë juridike, duke aplikuar masa ndaj Berishës, pa kaluar më parë për votim në parlament.

SYRI TV

Gjyqtarja e posaçme, Irena Gjoka dhe prokurorja e SPAK-ut, Enkeleda Millonai, kanë kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, kur vendosën të aplikonin heqjen e lirisë së kryedemokratit dhe deputetit Sali Berisha, duke anashkaluar parlamentin.

Fundjavën e kaluar, dy magjistratet e ‘Drejtësisë së Re’ vendosën ndaj Berishës masën e sigurimit “ndalim për dalje jashtë shtetit” dhe “detyrim për t’u paraqitur para oficerit të Policisë Gjyqësore”, në kuadër të hetimeve për kthimin e pronës dhe privatizimin e ish-klubit “Partizani”.

Dy masat e aplikuara ndaj Berishës përbëjnë heqje të lirisë së deputetit, për të cilat kërkon detyrimisht autorizimi i Kuvendit.

Këtë qëndrim ka mbajtur më herët edhe parlamenti, i cili është interpretuesi i parë i normave kushtetuese. Në vitin 2017, ish-Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi autorizimin për arrestimin e ish-deputetit Saimir Tahiri.

Anëtarët e maxhorancës socialiste në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve refuzuan arrestimin, por ata autorizuan prokurorinë për marrjen ndaj Tahirit të masave të ndalimit jashtë shtetit dhe detyrimit të paraqitjes.

Në raportin e tyre rekomandues të datës 23 tetor 2017, deputetët e maxhorancës në atë kohë konsideronin ato dy masa si “heqje të lirisë” së deputetit Tahiri.

Qëndrimi rekomandues i maxhorancës u miratua nga parlamenti me vendimin numër 104 të vitit 2017, ku ritheksohej se ndalimi për daljen jashtë shtetit dhe detyrimi për paraqitjen në policinë gjyqësore të deputetit përbëjnë heqje të lirisë dhe duhet medoemos autorizimi paraprak i Kuvendit të Shqipërisë.

Vetëm pasi mori vendimin e parlamentit, ish-Prokuroria për Krime të Rënda iu drejtua gjykatës për të vendosur masat e heqjes së lirisë, të autorizuara nga ligjvënësit për Tahirin.

Referuar këtij precedenti, tashmë konstatohet lehtësisht se gjyqtarja Gjoka dhe prokurorja Millonai kanë cenuar sigurinë juridike, duke aplikuar masa ndaj Berishës, pa kaluar më parë në filtrin e parlamentit.

Kjo shkelje e rëndë procedurale nuk është e vetmja në hetimin që po zhvillohet ndaj Berishës, e pas tij ndaj Jamarbër Malltezit dhe ndërtuesit Fatmir Bektashi.

Në dosjen hetimore të prokurores Millonai, konstatohet se ajo ka analizuar vendimmarrjen e qeverisë “Berisha” dhe të parlamentit për çështje të përgjithshme të ish-pronarëve, të cilat përbënin thelbin e programit qeverisës së demokratëve në mandatet 2005-2013, duke i thjeshtuar në maksimum e duke i konsideruar se janë miratuar për të favorizuar Malltezin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco