Kallëzimi në SPAK për gjyqtaren Irena Gjoka/ Gjokutaj: Shpërdorim detyre! Ka shkelur ligjin dhe kushtetutën

18:27, 24/10/2023
A+ Aa A-

Genc Gjokutaj, avokati mbrojtës i Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, i ftuar në Task Force në SYRI TV me Sonila Meçon ka sqaruar opinionin në lidhje me zhvillimet gjyqësore për akuzat ndaj kryedemokratit për dosjen e privatizimit të ish-klubit Partizani.

Gjokutaj ka theksuar se ditën e sotme pritej që gjykata të verifikonte ekzekutimin e masës për zotin Berisha, por nga ana e zotit Berisha është bërë një kallëzim për në SPAK dhe objekti i këtij kallëzimi penal është denoncimi dhe kërkim për fillimin e çështjes penale për gjykatësen Irena Gjoka për veprën penale të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Sipas avokatit, vendimi i gjykatëses Irena Gjoka është një shpërdorim flagrant i detyrës nga ana e saj duke shkelur ligjin dhe kushtetutën.

Gjokutaj: Siç jeni në dijeni gjykata kishte caktuar një seancë me objekt verifikimin e ekzekutimit të masës për zotin Berisha që siç dihet në vlerësimin e gjykatës ka marrë atë masën e detyrimit për paraqitje.

Jemi paraqitur të dy avokatët të pajisur me prokurë nga zoti Berisha. Para se ne të shkonim në seancë, nga ana e zotit Berisha është bërë një kallëzim për në SPAK duke e dërguar me postë se kështu e kanë procedurën dhe objekti i këtij kallëzimi penal është denoncimi dhe kërkim për fillimin e çështjes penale për gjykatësen Irena Gjoka për veprën penale të shpërdorimit të detyrës parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në kallëzim përshkruhet e gjithë procedura antiligjore e ndjekur nga gjykata në lidhje me procedimin e saj në mënyrë të drejtëpërdrejtë me kërkesë të SPAK duke shmangur procedurën parlamentare.

Ky kallëzim lidhet me konceptin e kufizimit të lirisë siç janë dy masat shtrënguese, që janë detyrim paraqitje dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit.

Ligji, neni 73 i Kushtetutës dhe 288 i Kodit të Procedurës Penale, e thotë qartë që kur janë masa shtrënguese siç janë arrestim me burg, arresti në shtëpi apo çdo lloj mase që kufizon lirinë i drejtohet me kërkesë Kuvendit i cili merr në shqyrtim për dhënien për kalimin në seancë plenare për tu marrë kjo masë.

Këtu ka juristë që nuk e di se ku e mbështesin këtë histori që masa shtrënguese detyrim paraqitje dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit nuk qenkan kufizim lirie. Këto janë kufizime të pjesshme por sigurisht që këto masa lidhen me lirinë personale të deputetit kanë domosdoshmërinë për të kaluar në Kuvend dhe kjo është e mbajtur edhe nga Gjykata e Strasburgut dhe ne do të sjellim praktikat edhe të Kartës së të Drejtave të Njeriut neni 5 i saj, pra e gjithë baza ligjore shkon në këtë drejtim.

Masat shtrënguese janë të tilla që kufizojnë lirinë dhe nuk mundet që një prokurori dhe një gjykatë të vendosë për një akuzë dy masa shtrënguese.

Nisur nga depozitimi i kallëzimit penal ku zoti Berisha e konsideron shpërdorim detyre dhe është shpërdorim i detyrës në mënyrë flagrante dhe ne si mbrojtës vlerësuam që kjo si shkak i rëndësishëm i anshmërisë së gjyqtares me një shkelje flagrante dhe me këtë arsye ne depozituam kërkesën për përjashtimin e saj në vazhdimin e këtij gjykimi dhe të gjitha kërkesave që do të bëhen deri në fund të hetimit që kjo gjyqtare të mos jetë pasi kjo gjyqtare që në rastin e parë ka shkelur ligjin dhe kushtetutën në një mënyrë flagrante dhe duke argumentuar ne kemi depozituar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares.

Ne jemi në pritje tani dhe do presim vendimin e gjykatës së parë për vendimin që do të japë për këtë gjyqtare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco