VIDEO/ Sotiraq Filo ‘braktis’ detyrën, dorëzon karrigen te nënkryetarja. Piranjat e kapin në shkelje

21:23, 20/10/2023
A+ Aa A-

Bashkia Korçë, apo e njohur ndryshe si institucioni rekordmen i Shqipërisë, për shkak të shkeljeve të evidentuara po kalon një periudhë të artë me fitimin e dy çmimeve Guinness. I pari për karburantit e harxhuar nga drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Ilirian Dinellari dhe i dyti për mbajtjen e asfaltit në magazine për 11 ditë pa ndërprerje, po nga i njëjti person.

Megjithatë, të lëmë mënjanë, shkeljet nga drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Ilirian Dinellari, dhe të flasim konkretisht për lëvizjet e fundit të kryetarit të Bashkisë.

Në një urdhër zyrtar të datës 1 qershor 2023, me numër protokolli 4284, Zoti Sotiraq Filo i ka kaluar të gjitha kompetencat nënkryetares së Bashkisë, zonjës Benila Themeli.

‘Të zëvendësohen të gjitha kompetencat ligjore që i njihen kryetarit të Bashkisë Korçë me znj. Benila Themeli me detyrë zv/kryetare e Bashkisë Korçë për periudhën 1 qershor 2023 deri më 31 dhjetor 2023, duke përjashtuar ato kompetenca dhe funksione të ndaluara me ligj të cilat nuk mund të zëvendësohen’.

Pra, për 6 muaj, kryetari Sotiraq Filo ia delegon drejtimin e Bashkisë nënkryetares së tij . Kryetari i Bashkisë Korçë e bazon delegimin e kompetencave në ligjin nr 139 ‘Për Vetëqeverisjen Vendore’ dhe në ligjin nr. 44/2015 ‘Kodi I Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë’.

‘Ky delegim nuk është i mbështetur në ligj. Delegimi ndodh vetëm kur personi është në vizitë jashtë vendit, ose është i sëmurë. Nuk ka kuptim ky delegim dhe nuk është i mbështetur në ligj’, shprehet avokati Edmond Petraj.

Pra, jemi në shkelje administrative nga kryetari i Bashkisë që mund të konsiderohet deri në braktisje detyre. Të bindur për kolapsin naiv që mund të pësojë Bashkinë Korçë, si gjithmonë nisemi me dëshirën e mirë për t’i ndihmuar drejtuesit e saj.

Gazetari Eraldo Harlicaj shkon të ballafaqohet me të. Fatmirësisht, zotin Filo e gjejmë në formë të mirë fizike në lokalin ngjitur me bashkinë duke u marrë me projekte të rëndësishme të qytetit. Pra, arsyet shëndetësore dhe vizita jashtë vendit, përjashtohen menjëherë.

‘Nuk është e vërtetë që ia kam deleguar. Nuk jeni të saktë, dërgoni shkresë zyrtare ta kuptoni. Nuk është etike nga ana juaj të reagoni kështu dhe të më kapni në lokal. I kam deleguar vetëm disa kompetenca nënkryetare Benila Themeli’.

 Largohemi të paqartë me përgjigjen e dhënë dhe veprojmë siç na e kërkoi kryetari, duke kërkuar informacion për delegimin e kompetencave drejt nënkryetares së Bashkisë, Benila Themeli.

Përgjigjja që na kthen vërteton problemet që ne kemi evidentuar, pasi duket se zoti Filo është kujtuar për kalimin e detajuar të kompetencave vetëm me datë 25 shtator, pikërisht ditën që ne patëm përballjen me të parin e institucionit.

‘Kryetari i Bashkisë ka disponuar me urdhrin nr. 980 datë 25 shtator 2023 në bazë të të cilit nënshkrimi i korrespondencës dalëse të institucionit që ka të bëjë me evidenca, shkresa përcjellëse dhe të tjera të kësaj natyre dhe rëndësie si dhe njësimi me origjinalin e akteve apo dokumenteve të tjera zyrtare të institucionit do të kryhet nga zv. Kryetarja Benila Themeli për periudhën nga data 25 shtator 2023 deri më 31 dhjetor 2023’.

Dallimi ndërmjet dy urdhrave është i qartë, madje zoti Filo meriton të fitojë çmimin e tretë Guinness, por shpresojmë të mos shkojë SPAK-u përpara Piranjave.

EMISIONI I PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco