BE me plan ekonomik të kushtëzuar për rajonin: Nuk ka fonde pa reforma

BE me plan ekonomik të kushtëzuar për rajonin: Nuk ka fonde pa reforma

10:25, 17/10/2023
A+ Aa A-

Samiti i 10-të i procesit të Berlinit u mbajt të hënën në Tiranë, ku liderët e Bashkimit Europian premtuan një plan për rritjen ekonomike për zhvillimin e tregut rajonal në Ballkanin Perëndimor, por të kushtëzuar nga reformat.

Nga Blerina Gjoka, BIRN

Në ditën e lindjes së diktatorit Enver Hoxha, i cili e mbajti të izoluar Shqipërinë për afro gjysmë shekulli nga Perëndimi, kryeministri Edi Rama zgjodhi ish-mauzoleumin e tij për të pritur liderë të Bashkimit Europian dhe homologët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e radhës së Procesit të Berlinit.

Samiti i 10-të i procesit të inicuar nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014 u mbajt për herë të parë në një vend jo anëtar të BE-së.

Kryeministri Rama ishte kujdesur për notat e spektaklit të aktivitetit, që ironikisht përfundoi me mungesën e përkthimit në konferencën finale për shtyp me kancelarin gjerman, Olaf Scholz  dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Në hyrjen e COD në kryeministri të pranishmit ndoqën një performancë baleti të koreografit Angjelin Preljocaj, ndërsa tryezës kryesore të diskutimit i parapriu shfaqja e një dokumentari mbi historinë e ndërtesës dhe të vendit, ku Rama ishte edhe narratori.

“Bashkë me 2.2 milionë shqiptarëve të tjerë na ishte mësuar që të mos vinim tek ju, të mos i shtrëngonim duart me ju, dhe nëse ju do të guxonit të vinit këtu, t'u vrisnim,” thotë ai ndër të tjera në videon 7 minutëshe.

Gjatë fotos familjare, liderët u bënë spektatorë të një shfaqje artistike me valle popullore ku përfaqësoheshin të gjitha pakicat etnike në Shqipëri.

Përtej fasadës së një fronti të bashkuar në një synim të përbashkët, samiti nuk i fshehu dot problemet mes vendeve të rajonit.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se kishte ardhur në Tiranë që t'i kërkonte Ramës që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, të lejohej të bënte betimin nga paraburgimi, ku ndodhet që në maj.

Pas një rikonstruksioni total, Piramida u përurua si kampus për degën e re të Kolegjit Europian të Bryzhit në një ceremoni tjetër të veçantë gjatë ditës, ndërsa liderët e BE-së vunë theksin tek nevoja për reforma të shpejta për përafrimin e vendeve të Ballkanit me ekonomitë e vendeve anëtare.

Plan i ri për rritjen ekonomike

Presidentja e KE-së, von der Leyen, foli me optimizëm për një plan të ri rritjeje ekonomike për realizimin e një tregu të përbashkët rajonal dhe nxitjen e këtyre vendeve drejt anëtarësimit të plotë brenda 2030-ës.

Ajo tha se bëhej fjalë për një paketë investimesh prej 6 miliardë euro, e cila, -“do të kondicionohet nga reformat në secilën fushë ku do të investohet”.

“Pavarësisht këtij optimizmi, mbetet shumë për t'u bërë,” tha ajo duke e konsideruar planin e ri si mundësi për dyfishuar potencialin ekonomik të rajonit.

Synimi kryesor i këtij plani është futja e Ballkanit në tregun e përbashkët të BE-së, por para se të ndodhë kjo, sipas von der Leyen,  “Ballkani Perëndimor duhet të plotësojë tregun e përbashkët rajonal, që do të rriste GPB e tyre me 10%”.

Kryeministri Rama foli për “detyrat e shtëpisë që duhen bërë” dhe nuk shfaqi padurimin e mëparshëm në raport me procesin e integrimit në BE.

Optimist për këtë proces ishte në fakt presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, i cili në fjalën e tij hapëse të samitit artikuloi dhe një datë kur BE do ishte gati të hapte sërish dyert e zgjerimit.

“Rrugëtimi juaj ka nisur më shumë se 20 vite më parë në BE. Ka qenë një rrugë shumë e ngadaltë. Zhgënjyese. Por tani, besoj që duhet të jemi gati në të dyja anët deri në 2030-ën për t'u zgjeruar,” tha ai duke shtuar se lufta në Ukrainë e kishte kthyer vëmendjen e Brukselit tek zgjerimi.

Sulmi i 24 shtatorit nga një grup terrorist serb në Veri të Kosovës ishte në vëmendje të samitit të Tiranës, ku liderët e Bashkimit Europian e dënuan njëzëri dhe theksuan nevojën për pajtim dhe për të ecur drejt së ardhmes.

“Mos i lini fantazmat e së shkuarës t'u vjedhin të ardhmen,” tha Michel duke u drejtuar përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco