Albin Kurti numëron 'sukseset' e bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri

Albin Kurti numëron 'sukseset' e bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri

20:35, 13/10/2023
A+ Aa A-

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka numëruar “sukseset” e bashkëpunimit me Shqipërinë gjatë dy vjet e gjysmë qeverisje, duke konsideruar se marrëveshjet i kanë sjell më shumë përfitime qytetarëve dhe ekonomisë. Ai nuk ka folur fare për raportet e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. 

Në Facebook të premten, Kurti ka shkruar se për dy vjet e gjysmë janë nënshkruar 58 marrëveshje bilaterale me Shqipërisë për t’i ndihmuar qytetarët dhe ekonominë e të dyja vendeve.

“Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar mundësuam lëvizje e lirë duke funksionalizuar 26 vendkalime të veçanta. Kurse për të gjithë, mundësuam kalimin e lirë e pa kontrolle të kufijve gjatë muajve të verës, fundjavave dhe ditëve të pushimeve zyrtare. Aktualisht jemi afër jetësimit të kalimit të lirë e pa kontrolle çdo ditë të vitit”, ka shkruar ai.

Krahas lëvizjes nga njëri shtet në tjetrin, Kurti ka shkruar se kanë lehtësuar edhe qëndrim te njëri dhe tjetri shtet, “sepse thjeshtuam procedurat për pajisjen me leje qëndrimi, me afat 5 vjeçar dhe hoqëm edhe detyrimin për apostilim të dokumenteve administrative”.

“Me dy zyra doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det. Aty bëhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën. Kjo u ka ndihmuar drejtpërdrejt bizneseve tona që tashmë kanë kursyer nëntë milionë euro, në të njëjtën kohë që edhe ekonomia e Shqipërisë ka përfituar nga rritje me 50% e dërgesave të Kosovës përmes Portit të Durrësit”, ka shkruar tutje kryeministri i Kosovës.

Sipas Kurtit, sivjet shkëmbimet tregtare të Kosovës janë më të lartat ndonjëherë, teksa ka edhe tre muaj tjerë deri në përfundim të vitit financiar.

“Investimet e Shqipërisë në Kosovë gjithashtu janë më të lartat ndonjëherë. Në vitin 2019, ato ishin vetëm 15.2 milion euro, kurse në vitin 2022, u pesëfishuan duke arritur vlerë 79.7 milionë euro”, vijon shkrimi i Kurtit.

Ai ka vlerësuar se nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme, “si në aspektin ekonomik ashtu edhe kombëtar”.

“Ajo do ta lidhë Kosovën me korridoret, që kalojnë pranë nesh, por nuk janë të lidhura me ne. Do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona. Ndërkohë që krahas unifikimit të abetares për nxënësit e klasës së parë, njësuam edhe procedurat për aplikim dhe regjistrim të studentëve në universitete, si dhe nisëm punën madhore për Enciklopedinë Shqiptare. Shumë është bërë. Edhe më shumë duhet bërë”, ka shkruar Kurti.

Marrëdhëniet mes Kurtit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, janë tensionuar që pas trazirave në veri në fund të majit. Madje, Rama kishte anuluar mbledhjen e dy qeverive që ishte planifikuar të mbahej gjatë muajit qershor në Gjakovë. Që atëherë, dy kryeministrat herë pas here janë përplasur indirekt me deklarata.

Gjatë ndeshjes së djeshme mes Shqipërisë dhe Çekisë, fotoja e Kurtit dhe Ramës nxiti debat pasi dyshja nuk ishin ulur afër njëri-tjetrit.

Në një seancë të Kuvendit të Shqipërisë të enjten, Rama pati thënë se Kurtin e ka më mik se Ramush Haradinajn, "por me të kam dallime botëkuptimore për arritjen e qëllimeve kombëtare"./KOHA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco