KAFE SHQETO/ Braimllari: Kauza e re e opozitës - pushteti vendor, transparencë LIVE, reduktim taksash

KAFE SHQETO/ Braimllari: Kauza e re e opozitës - pushteti vendor, transparencë LIVE, reduktim taksash

10:34, 12/10/2023
A+ Aa A-

Z. Endrit Braimllari, kreu i grupit të këshilltarëve të PL në Këshillin Bashkiak të Tiranës, deklaroi se opozita, e cila që pas zgjedhjeve të 14 majit është e përfaqësuar në pushtetin vendor, sot ka një kauzë të madhe: të  çojë zërin e qytetarëve në këshillat bashkiakë, të ndërmarrë nisma për mirëqënien e tyre dhe mbi të gjitha, të sigurojë transparencën e vendimeve që merren duke filluar nga bashkia e Tiranës.

Braimllari vlerësoi faktin se falë këmbënguljes, u arrit që dy mbledhjet e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës të transmetoheshin direkt në televizion, pavarësisht censurës së kryebashkiakut socialist Erion Veliaj.

Braimllari njoftoi po ashtu se këshilltarët e Partisë së Lirisë do të fillojnë Dëgjesën Publike me Qytetarët në çdo njësi të Tiranës dhe të vendit dhe po përgatiten të propozojnë një paketë shumë serioze për reduktimin e tarifave dhe taksave vendore.

I ftuar këtë të enjte në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, z. Braimllari ndër të tjera tha:

“Në kuadër të transparencës dua ta falënderoj edhe televizionin tuaj, sepse dy mbledhjet e fundit janë bërë “live” falë ndërhyrjes edhe të televizionit tuaj për të qenë në transmetim, sepse Erion Veliaj ka nxjerrë argument që “unë i transmetoj në faqen e Këshillit Bashkiak, po nuk e nxjerrin mediat”.

Por kur unë marr fjalën si kryetar i grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë, jo kamera që nuk dërgon tek unë, po as zë nuk kam për të folur! Çfarë transmeton kur nuk ka zë?! Censurë, sepse ka frikë ai!

Pse e censuron, pse e bunkerizon bashkinë, Veliaj?! Sepse e di shumë mirë se çfarë ka bërë. Por unë besoj maksimalisht se me një aksion të përqendruar opozitar në bashkinë e Tiranës dhe në të gjitha bashkitë e vendit, sepse unë besoj se opozita tani, kauzë më të madhe ka pushtetin vendor.

Opozita do t’i tejkalojë tani këto problemet e saj për emër e vulë e duhet të fokusohet fort tek pushteti vendor, sepse më 14 maj, edhe pse rezultati nuk ishte ashtu siç ne prisnim, për shkak dhe të asaj që kemi thënë (e vërtetoi Raporti i OSBE/ODIHR se çfarë masakre është bërë më 14 maj), po prapë, 14 maji prodhoi një tjetër realitet në Këshillin Bashkiak: nga zero përfaqësim, ne sot përfaqësohemi.

Në Këshillin Bashkiak të Tiranës jemi 15 anëtarë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe pastaj mund të ketë anëtarë të tjerë që janë pjesë e partive të tjera që pretendojnë se janë opozitë, por prapë janë 15 anëtarë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Kudo përfaqësohemi, në të gjitha bashkitë e vendit, që do të thotë se ka një kauzë të fortë morale opozita që do të vazhdojë nga Këshilli Bashkiak.

Ne deri tani mund të kemi dërguar mbi tetë kërkesa, bashkisë së Tiranës, për informacion, me qëllim që mbi bazën e informacionit që do të japin, ne do të përgatisim materialet tona drejtuar edhe institucioneve të drejtësisë, por edhe për t’i bërë transparent përballë qytetarëve.

Zero - reagimi nga Erion Veliaj! Monika Kryemadhi, në cilësinë e deputetes, i ka dërguar përpara katër muajsh kërkesë për informacion për qendrën e Tiranës dhe ai nuk kthen përgjigje! Pra, kur nuk i kthen një përfaqësueseje të parlamentit, imagjino çfarë mund t’i bëjë një qytetari!

Po unë besoj se duke pasur një aksion konkret në Këshillin Bashkiak të Tiranës, e para, duke ngritur zërin fort, sepse opozita zërin ka...

nëse ne nuk do të ngrinim zërin fort, asnjë nga qytetarët nuk do ta kuptonte se 4,3 milionë euro hiqen nga Arsimi dhe shkojnë tek Inceneratori;

nëse ne nuk do të ngremë zërin sot për 3-përqindshin e Ndërtimit, të gjithë mendojnë se qytetarët i kanë marrë apartamentet e tyre mbi bazën e ligjit, por s’i kanë marrë;

nëse ne nuk do të ngremë zërin për ujin e pijshëm, asnjë nuk e di që Ujësjellës-Kanalizime interesohet të bëjë 10 milionë euro tender për kamera sigurie dhe le qytetarët pa ujë; pra, ky aksion, duke u bërë transparent, duke denoncuar problemet që ka bashkia, do të rrisë ndërgjegjësimin qytetar dhe unë besoj se do të ketë një reagim qytetar.

Ne nga ana tjetër si këshilltarë të Partisë së Lirisë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, por edhe në përfaqësimet tona që kemi në bashkitë e tjera të vendit, do të ndërmarrim një nismë - Dëgjesë Publike me Qytetarët - për të marrë shqetësimet që ata kanë në çdo njësi vendore të Tiranës dhe pastaj ne do të bëjmë edhe propozimet tona, me nisma konkrete për mungesën e  shërbimit, por nga ana tjetër do të kemi një paketë shumë serioze për sa i përket reduktimit të tarifave dhe taksave vendore.

Unë gjykoj se e rëndësishme në këto momente është ndërgjegjësimi qytetar”, nënvizoi z Braimllari./ar/sh/SYRI.NET

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco