KAFE SHQETO/ Prençi: Çuçi ktheu 220 oficerë të inkriminuar në poste, Veliun të parin

KAFE SHQETO/ Prençi: Çuçi ktheu 220 oficerë të inkriminuar në poste, Veliun të parin

11:56, 10/10/2023
A+ Aa A-

Z. Shemsi Prençi, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit dhe ish-këshilltar i Presidentit për sigurinë, ka depërtuar sot në thellësitë e errëta të lidhjeve të kësaj qeverie me krimin e organizuar në funksion të mbajtjes së pushtetit dhe sidomos, sesi po shfrytëzohet prej saj, Policia e Shtetit.

Z. Prençi akuzoi drejtpërsëdrejti drejtueisn e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Ardi Veliun, si kreun e mafies në Polici duke sjellë dëshmi.

Z. Prençi deklaroi se 220 oficerë policie të inkriminuar që vetingu i kishte larguar nga radhët e Policisë, u kthyen në poste kyçe në formë të organizuar nga ish-Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi, duke filluar me Ardi Veliun të parin, për t'i përdorur për grabitjen e zgjedhjeve.

Z. Prençi ironizoi “vetëpastrimin” e Policisë që trumbetoi ministri aktual Taulant Balla dhe ngriti pikëpyetje të forta se pse pikërisht sot, qarku i Lezhës, është më i inkriminuari si në fushën e rendit, ashtu edhe në krimin zgjedhor?!

Ndiqni një pjesë nga intervista e z. Prençi sot në studion e Kafe Shqeto në SYRI TV, duke marrë shkas nga zbulimi tronditës me pamje i atentatit që iu bë 5 muaj më parë, politikanit të opozitës, z. Salvator Kaçaj.

Kafe Shqeto: Fakti që fill pasi u mohua kjo ngjarje edhe nga kryeministri Edi Rama, duket se Policia dhe Prokuroria nuk vepruan më. A konsiderohet kjo si një provë e qartë e bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me pushtetin në rastet kur ia kanë nevojën njeri-tjetrit?

Shemsi Prençi: unë e kam deklaruar se personat e rekrutuar në Policinë e Shtetit, 7-8 vitet e fundit, por edhe më shumë, janë persona të katapultuar politikisht.

Ligji për Vetingun në polici e gjeti të masakruar Policinë e Shtetit që në kohën e ministrit Tahiri dhe një pjesë e oficerëve morën arratinë për shkak të procedimeve penale. Një pjesë morën arratinë dhe ikën dhe pa deklaruar dorëheqjen, ikën jashtë shtetit e u larguan me vullnetin e tyre nga Policia sepse e dinin që ishin të implikuar në probleme të krimit dhe të korrupsionit dhe normalisht nuk e kalonin ligjin e Vetingut.

Pas vitit 2021, me ministrin Çuçi, në formë të organizuar janë kthyer mbi 220 oficerë policie, madje në detyra kyçe të Policisë së Shtetit.

Flavio: Policë të inkriminuar po thoni?

Shemsi Prençi: Po. Oficerë, të cilët u pozicionuar në detyra të rëndësishme për kontributin që ata kishin luajtur në zgjedhjet e vitit 2021. Pikërisht për këtë arsye, po t’i shikosh edhe sot janë në pozicione kyçe dhe sot, ministri Balla...

Flavio: Hyn Ardit Veliu tek ata persona?

Shemsi Preni: Patjetër. I pari! Hyn i pari dhe sot ministri Balla trumbeton me të madhe arrestimin e shefit të komisariatit të Laçit, si sukses të Policisë, si sukses të ministrisë duke deklaruar se “ne jemi këmbëngulës në procesin e vetëpastrimit”!!!

Po nuk mund të quhet “vetëpastrim” kur ta nxjerr urdhrin e arrestit, SPAK-u, kur të nxjerr vendimin e gjykatës – Gjykata Speciale dhe të arreston apo të ndalon oficerin e Policisë, sepse SPAK-u nuk është në vartësi të qeverisë. Balla dje deklaroi se e ka në varësi, si duke e urdhëruar ai që të “pastrojë” Policinë.

Nëse Balla do ta ‘pastronte” Policinë nga ky kontingjent që e ka futur ministri Çuçi, 2,5 vjet më përpara nëpërmjet Agjencisë së Mbikqyrjes Policore ose nëpërmjet vetë organizatës së Policisë ose nëpërmjet raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pra do të quhej se kemi të bëjmë me një kontribut të qeverisë. Por kur ministrin dhe zv.kryeministrin ta merr për zverku SPAK-u e ta fut në burg, nuk quhet “vetëpastrim” i qeverisë!

Kur shefin e komisariatit të Policisë dhe drejtorin e Policisë që bashkëpunon me grupet kriminale për të vrarë njerëz dhe prokurorin, ta merr SPAK-u apo Gjykata Speciale dhe ta plas në burg, nuk quhet vetëpastrim i drejtësisë dhe “vetëpastrim” i Policisë .

Në këtë kontekst, nga kjo polici dhe nga prokuroritë vendore dhe SPAK-u, duhet me çdo kusht, së pari drejtësia të japë vendimin se ku duhet të shkojë vula e Partisë Demokratike, sepse vetëm në Shqipëri mund të ndodhë që e  mbajnë opozitën  peng, e mbajnë opozitën peng dhe të përçarë për një vulë sepse ajo vulë do të japë drejtimin  caktuar dhe do të ndikojë në konsolidimin e opozitës për t’u përballur me këtë regjim.

Së dyti, SPAK-u duhet të hetojë krimet zgjedhore me prioritet se kur implikohet në Laç, Ministri i Drejtësisë me bandat që shpërndanin para; kur nuk procedohen ata të zgjedhur vendorë që rrahin policët dhe oficerët e Policisë deri drejtorë policie brenda në komisariat, kur i bëhet atentat një ish-kryetari bashkie së bashku me djalin vetëm pse është faktor për të kontribuar për opozitën, atëherë, a mund të quhet shteti shqiptar një shtet i lirë?!

Po kur kandidati dhe mbështetësit e kandidatit të opozitës nuk kanë të drejtë të ecin në rrugë, nuk kanë të drejtë të japin kontributin, nuk kanë të drejtë të kërkojnë në komunitet votën dhe kandidati në pushtet ka të drejtë të mbushë çantat me lekë, të shpërndajë lekë, t’i bëjë presion, të rrahë policin, t’i bëjë presion drejtorit të Policisë,  Zv.drejtorit të Policisë, shefit të komisariatit?!

Po si ka mundësi që qarku i Lezhës është ndër më të inkriminuarit edhe për sa i përket kriminalitetit, edhe për sa i përket krimeve zgjedhore?!

Ne kemi pasur edhe bashkinë Kurbin, edhe bashkinë Lezhë problematike në raport me fushatat zgjedhore. Ne nuk e  patëm kaq problem në disa vende të tjera, nuk patëm në Has apo nuk patëm në Tropojë.

Po pse pikërisht atje?! Sepse kokat e qeverisë janë të lidhura me grupet kriminale. “Metamorfoza 2” dhe 3 (kur të vijnë fazat) do t’i nxjerrë dhe atje do të duket SPAK-u në vërtet e ka seriozisht. Ne e kemi përgëzuar SPAK-un për të gjitha goditjet e fundit, por duhet që të shkojmë edhe tek ata ministra, te ata deputetë që kanë komunikuar në platformat SKY dhe ECR për faktin se këtu ndahen “petët”: nëse vërtet SPAK-u do të godasë deri atje tek “mbreti”, tek pseudonimet “Mbreti”, “Faraoni” apo do të ngelemi tek hallexhiu.

Rasti i fundit tregon se drejtuesit e Policisë vendore  dhe qendrore nuk heqin dorë nga bashkëpunimi me grupet kriminale, me krimin e organizuar dhe ky shefi i komisariatit të Laçit, çfarë karriere ka pasur, nga erdhi, si mbiu, si u fut ky direkt? Se ky pesë muaj ka që shkuar në Laç. Kur u lidh?! Mos ka qenë më shpejt i lidhur? Apo mos grupet kriminale kanë diktuar që ky të emërohet në atë vend? Në atë rajon?! Kjo këron një analizë.

Unë e pashë shumë mirë Kryeministrin e Shqipërisë me ministra dhe deputetë duke bërë jehonë se kanë ardhur 8,2 milionë (turistë). Nga dhjetë herë kosovarët, hyrje-dalje e bëjnë jo çdo fundjavë, por e bëjnë çdo ditë nga Prizreni; marrin speca me gjizë me vete dhe bukë sepse s’kanë mundësi të flenë në Lezhë dhe zbresin çdo ditë; pjesa më e madhe janë hyrjet-daljet nga Kosova dhe Maqedonia dhe ne i trajtojmë si turistë.

Pse nuk u ul Kryeministri së bashku me ministrin Balla dhe së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm që nuk e di se ku e ka zënë gjumi? Prokurori i Përgjithshëm është në gjumë komplet që nuk e analizon një situatë të tillë. Ose Presidenti i Republikës, e di që kur implikohet Policia dhe Prokuroria cenohet drejtpërsëdrejti siguria kombëtare?!

Pse nuk u ulën t’i analizojnë këto ngjarje kaq të rënda të implikimit të prokurorëve që marrin e japin para me dengje për të vrarë njerëz?!

Për Drejtorin e Policisë që i jep informacion grupeve kriminale për grupin tjetër kriminal?!  Po ne këtu jemi bërë më keq se në Lindjen e Mesme që çohet një grup kriminal, me mbështetjen e Policisë dhe të Prokurorisë e godet tjetrin. Dhe për krime kundër jetës, nuk po flasim për trafik hashashi, po për krime kundër jetës së personit.

Sot, për shkak të implikimeve të rënda, familjet e të implikuarëve nuk janë të lira, nuk shëtisin, janë ndaluar, nuk shkojnë në shkollë. Presidenti i Republikës, Kryeministri, nuk shqetësohen fare që të merret në analizë kjo situatë e rënduar kriminale, e rënduar e cenimit të rendit dhe sigurisë publike, të dilet me një strategji për goditjen e kriminalitetit, të merren masa me të vërtetë për ta “vetëpastruar”, por vetëpastrimi nuk do të thotë kur të nxjerr njëherë në 6 muaj apo njëherë në vit SPAK-u apo Gjykata Speciale vendimet apo urdhrat e arrestit, por vetëpastrim do të thotë që të gjitha informacionet që ka Agjencia e Mbikqyrjes Policore, nëse i ka drejta.

Sepse kreu  i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore është kreu i mafies në Polici për hir të së vërtetës, ai ka bashkëpunuar me krimin. Ai ka shkuar pa urdhër prokurori, pa vënë në dijeni prokurorët të cilët udhëheqin hetimin për krimin në Shqipëri, shkon e bën marrëveshje me Balilin! Pse të mos themi ne që i kanë të ndara parcelat, pse të mos themi që i kanë të ndara përqindjet?!

Si ka mundësi që Agjencia e Mbikqyrjes Policore nuk ka asnjë informacion për të implikuar në veprimtari kriminale, shefa komisariatesh dhe drejtorë policie dhe i ka SPAK-u?!

Hetimet proaktive të SPAK-ut nuk duhet të venë në gjumë Agjencinë e Mbikqyrjes Policore nëse vërtet e ka kreun  Agjencisë një profesionist dhe e ka një njeri të ndershëm, por kur kreu i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, është kryetari i masakrës zgjedhore duke dërguar në rajonet atje ku i duhen Çuçit oficerë të fortë, në Berat, për të masakruar.

Dje a pardje është emëruar shef komisariati në Berat, nga njerëzit e oligarkëve, të cilët janë përjashtuar për kultivim të bimëve narkotike dhe i ke shefa komisariati.

Si ka mundësi që një person i implikuar, i përjashtuar nga Policia për kultivim të bimëve narkotike, bën pushim 5-6 muaj dhe kthehet shef komisariati në një komisariat të kategorisë së dytë  dhe pastaj menjëherë të kategorisë së parë?! Pra, ngjitje katapultike të ndikuara nga politika./ar/sh/SYRI.NET

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco