BE e ka gati planin e masave kundër Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit

BE e ka gati planin e masave kundër Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit

11:52, 10/10/2023
A+ Aa A-

Bashkimi Evropian raportohet se tashmë ka hartuar masat kundër Serbisë, pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës. Siç raporton mediumi “EuroActiv”, këto masa do të kenë ndikim politik dhe ekonomik, po ashtu, në aspektin e anëtarësimit të saj në këtë bllok.

Kur kanë kaluar më shumë se dy javë prej sulmit terrorist në Bajnskë të Kosovës, presioni nga liderë rajonalë, eurodeputetë dhe nga autoritetet e Prishtinës, është rritur që të vendosen masa ndaj Serbisë.

Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka deklaruar që në sulm kanë qenë të përfshira edhe autoritetet serbe, ndërsa para pak ditësh u konfirmua se organizator i grupit terrorist ishte Milan Radojiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe i afërt me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

BE i ka gati masat, kështu raporton mediumi të ketë deklaruar në një intervistë eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

Duke folur për sulmin në veri, ajo citohet: “Si hynë automjetet me armë dhe pajisje ushtarakë në veri? Kush ishte pas kësaj dhe cilat grupe kriminale fshehen ende atje?”

Veç kësaj, eurodeputetja ka deklaruar se Vuçiç kontrollon shumë gjëra në Serbi dhe se “është e vështirë të besohet që ai nuk ishte në dijeni se çfarë po ndodhte, duke marrë parasysh blerjen e armëve dhe organizimin e një grupi agresiv”.

Nëse Serbia nuk ndërmerr ndonjë veprim, Von Cramon ishte e qartë se BE-ja do të ndërmarrë.

“Jemi duke folur për masa politike, financiare apo të ndërlidhura me negociatat për anëtarësim. Ne kemi shumë mjete në dispozicion, dhe e dijmë që nuk është në intersin e Vuçiqit, sidomos pasi bëri thirrje për zgjedhje në dhjetor, që gjërat të dalin jashtë kontrollit”, tha ajo.

Masat, të cilat duhet t’i aprovojë Këshilli Evropian, janë përgatitur.

“Masat janë hartuar tashmë…Jemi duke folur për masa financiare dhe politike, akses të limituar në fondet e IPA, të cilat pa dyshim do ta dëmtojnë Qeverinë serbe”, ka thënë ajo.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco