Policia nuk kryen detyrën/ Shtyhet gjyqi ndaj zyrtares së Shëndetësisë

Policia nuk kryen detyrën/ Shtyhet gjyqi ndaj zyrtares së Shëndetësisë

09:16, 05/10/2023
A+ Aa A-

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë konstatoi se Policia e Shtetit nuk kishte kryer detyrën e lënë për të njoftuar lidhur me seancën një prej të pandehurve në çështjen në ngarkim të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duraj, rrethanë që solli shtyrjen e seancës

BIRN

Seanca gjyqësore ndaj sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, u shty të mërkurën, pasi Policia e Shtetit nuk kishte njoftuar të pandehurin tjetër në këtë proces, Vladimir Topi.

Kur kryesuesja e trupit gjykues të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Etleva Deda kreu apelin e palëve në proces, vërejti se policia gjyqësore pranë Policisë së Shtetit nuk kishte sjellë asnjë njoftim për Topin, i cili gjendet në arrest shtëpie.

Megjithëse avokati i Topit tha se e kishte njoftuar për seancën të përfaqësuarin prej tij, gjykata vlerësoi se në kushtet kur policia nuk e ka kryer detyrën e ngarkuar, i pandehuri quhet i panjoftuar.

Në çeljen e gjykimit të themelit në proceset penale, të gjithë të pandehurit duhet të deklarohen personalisht për vijimin ose jo sipas procedurës së gjykimit të shkurtuar, të pranuar prej tyre në seancën paraprake.

Avokati të pandehurit Topi, Aqif Peza kërkoi ndërprerjen e seancës dhe që të ngarkohet policia të njoftojë të përfaqësuarin prej tij. Ndërsa përfaqësuesi i të pandehurit Silvi Sheshi, avokati Marash Ibraj vërejti se i pandehuri Topi nuk ishte njoftuar për shkak të neglizhencës së institucioneve. Ibraj e cilësoi mosmarrjen dijeni të Topit për seancën pa fajin e tij dhe për këtë arsye kërkoi ndarjen e çështjes dhe vijimin e procesit për të akuzuarit e tjerë.

Prokurori Vladimir Mara e cilësoi të pavend kërkesën e Ibrajt për ndarjen e çështjes për Topin. Ai kërkoi që Policisë së Shtetit t'i tërhiqet vëmendja për moszbatimin e urdhërit të gjykatës. Edhe gjykata e vlerësoi të pabazuar kërkesën për ndarje të çështjes.

Gjyqtarja Deda nxori urdhër të ri për policinë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe pranë Policisë së Shtetit për njoftimin e të pandehurit Vladimir Topi që gjendet në arrest shtëpie, lidhur me seancën së radhës që do të zhvillohet më datë 19 tetor, në orën 14:00.

Joana Duro u arrestua më 2 qershor pasi rezultoi se kishte përfituar ryshfet në vlerën 330 mijë lekë për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k në një procedurë prokurimi.

SPAK sqaron se kjo shoqëri kishte fituar fazën e parë të një tenderi të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për LOT 1,“Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës”, me fond limit 805 mijë lekë.

Veç Duros, akuzohen për korrupsion edhe Laura Shteto, specialiste e Nivelit të Lartë të Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara; Vladimir Topi, administratori i shoqërisë “Dricons” sh.p.k dhe Silvi Sheshi, inxhiner pranë këtij operatori ekonomik.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco