PD, Ilda Zhulali: Na përjashtuan nga pjesëmarrja, por urime zoti Ahmeti për titullin e merituar nga Këshilli Bashkiak!

PD, Ilda Zhulali: Na përjashtuan nga pjesëmarrja, por urime zoti Ahmeti për titullin e merituar nga Këshilli Bashkiak!

14:05, 02/05/2024
A+ Aa A-

Nga Ilda Zhulali, Nënkryetare grupi, Këshilltare Bashkiake, Partia Demokratike e Shqipërisë.

I nderuar zoti Ali Ahmeti

Urime për titullin e merituar “Qytetar Nderi” i Tiranës, akorduar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës!

Ky titull është njohje dhe mirënjohje e kontributit tuaj të qenësishëm për njohjen, respektimin dhe përparimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si faktor kyç shtetformues, për arritjen e marrëveshjeve historike të cilat i kanë dhënë vendit fqinj një fytyrë dhe të ardhme europiane dhe euro-atlantike, për forcimin e institucioneve demokratike dhe llogaridhënëse, duke i shërbyer bashkëjetesës së paqtë, të sigurtë dhe begatshme në Maqedoninë e Veriut dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Si këshilltare bashkiake, përfaqësuese e Partisë Demokratike, ju përcjell urimet e përzemërta. Ky është një nga ato raste që do të duhej të na kishte mbledhur të gjithëve bashkë në sallën e Këshillit Bashkiak, për të përfaqësuar dhe nderuar në emër të qytetarëve që na kanë zgjedhur, figurën tuaj.

Mjerisht, edhe në këtë rast, institucioni i Bashkisë Tiranë u trajtua si një ndërmarrje private, ku këshilltarët bashkiakë u përjashtuan nga pjesëmarrja në ceremoninë e dhënies së titullit. Mjerisht, edhe në këtë rast, Kryetari i Bashkisë Tiranë synon t’i ndajë në vend që t’i bashkojë kryeqytetasit.

Mjerisht, edhe në këtë rast, partitizimi i marrëdhënieve mbizotëroi mbi domosdoshmërinë e unitetit e mes shqiptarëve në rajon.

Mjerisht, Bashkia Tiranë sot po përjeton ditët më të vështira të saj, pas skandaleve të vjedhjeve dhe korrupsionit të patregueshëm. Ndoshta titulli që ju jepet sot, do të kishte shkëlqyer më fort i dhënë në kushte e rrethana të tjera.

E megjithatë, ju siguroj se ne dimë ta bëjmë dallimin mes aksionit të pandalshëm që kemi nisur në luftën kundër korrupsionit në Bashkinë e Tiranës, dhe detyrimit që kemi si shqiptarë për të njohur e vlerësuar kontributet tuaja të padiskutueshme.

Urime dhe përshëndetje të përzemërta,

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco