‘Fatkeqësi që del nga goja e kryeministrit shqiptar’/ Kryeziu: Kosova ka pas ndërkombëtarët por jo Ramën!

19:47, 04/10/2023
A+ Aa A-

E ftuar në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, deputetja e LVV-së, Arbëresha Kryeziu ka komentuar ashpër deklatën e fundit të kryeministri Edi Rama në raport me Kosovën, duke thënë për Financial Times, se është tokë e askujt.

Kryeziu theksoi se të thuash që deklarata e Ramës është skandaloze është pak, por fatkeqësia më e madhe është se del nga goja e kryeministrit shqiptar.

Sipas deputetes së Kosovës, deklaratat e Ramës kanë qënë të paralajmëruara që në qershor të këtij viti dhe se kjo e fundit është një propozim i frikshëm dhe i rrezikshëm për republikën e dytë të shqiptarëve në rajon.

Gjithashtu Kryeziu tha se kjo që kryeministri Rama po bën nuk i shërben aspak shqiptarëve dhe nuk i shërben aspak situatës nëpër të cilën po kalon Republika e Kosovës dhe se kjo deklaratë ka ardhur në një kohë kur Kosova ka pas saj një numër të madh të ndërkombëtarëve që qëndrojnë prapa saj, ndërkohë që prapa nuk qëndron kryeministri shqiptar.

Kryeziu: Në fakt për të thënë skandaloze është pak për ta përkufizuar atë që kjo deklaratë thotë dhe fatkeqësia më e madhe këtu është se del nga goja e kryeministrit shqiptar. E para që dihet ndërkombëtarisht është se Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj dhe tashmë është shtet i pavarur e sovran prej 2008-ës e tutje dhe i njohur ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme në botë. Përpos kësaj kjo pavarësi është shpallur mbi kufijtë e përkufizojnë Republikën e Kosovës, kufij këta të njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e cila e ka vulosur atë shtetësi kur ka thënë se Republika e Kosovës është në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare.

I përket mbi 93% shqiptarëve dhe pjesa tjetër janë pakica të komuniteteve të cilat jetojnë në kushte shumë të mira sepse gjithmonë është punuar për integrimin e tyre brenda shoqërisë tonë.

Rama ka guxuar disa herë deri tani dhe i gjithë reagimi i tij ka qënë në disfavor të Republikës së Kosovës, por më duhet ta theksoj se këtë që tha për Financial Times kanë qënë plotësisht në përputhje me atë që ai kishte thënë dhe parashikuar që në qershor të këtij viti duke e quajtur si një brengë të tij që mund të ndodhte në të ardhmen në Kosovë dhe sot brengat e tij janë kthyer në propozime të frikshme dhe të rrezikshme për Republikën e Kosovës.

Kjo që kryeministri Rama po bën nuk i shërben aspak shqiptarëve dhe nuk i shërben aspak situatës nëpër të cilën po kalon Republika e Kosovës sepse sot kemi një numër të madh të ndërkombëtarëve që qëndrojnë prapa shtetit tonë në atë që ne kaluam në 24 shtator, ndërkohë që prapa nesh nuk qëndron kryeministri Rama, sepse në të kundërt nuk do të thoshte deklarata të cilat i kemi dëgjuar kohët e fundit dhe në veçanti kjo më skandalozja që e kemi dëgjuar dje./ A. Zeneli/ 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco