Ambasadori gjerman në Kosovë kundër Ramës: S’ka nevojë që KFOR të marrë Veriun

Ambasadori gjerman në Kosovë kundër Ramës: S’ka nevojë që KFOR të marrë Veriun

22:55, 29/09/2023
A+ Aa A-

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde ka lavdëruar punën dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë ngjarjeve të fundit. Në një intervistë për mediat e Kosovës ai tha se Policia e Kosovës e ka trajtuar me shumë profesionalizëm situatën në Banjskë të Zveçanit. Ai del kundër propozimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama që veriu të kalojë nën administrimin e KFOR-it.

“Ne e kemi lavdëruar Policinë e Kosovës për trajtimin profesional të situatës. Nuk e shoh nevojën që KFOR-i të marrë përsipër këtë, sepse ne kemi një shtet sovran me një institucion të zbatimit të ligjit që ka vepruar shumë profesionalisht”, – tha ambasadori në emisionin #KallxoPërnime.

Ai shton se nuk është i vetmi që ka arritur në këtë përfundim sipas tij kjo u përmend publikisht edhe nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Unë personalisht kam folur me kreun e Policisë, me komandantin e KFOR-it dhe të gjithë kanë thënë se ky është një bashkëpunim i shkëlqyer dhe i mirë dhe duhet të vazhdojë si i tillë. Dua të them, sot në mëngjes ne folëm me Presidenten dhe unë gjithashtu përsërita se ky ishte një bashkëpunim i mirë dhe duhet të vazhdojë kështu, e veçanërisht në kohë të vështira, miqtë duhet të qëndrojnë krah njëri- tjetrit”, – ka thënë ndër tjerash ambasadori Rohde.

Ai tha se dikush dëshiron të hedhë të gjithë fajin vetëm mbi Millan Radoiçiqin.

“Ne mund të mos e kuptojmë kurrë për krejt atë që ka ndodhur në prapavijë, por është e qartë për mua se po të ishte sukses (ky aksion) atëherë suksesi do të kishte shumë baballarë apo prindër, e faji (apo dështimi) gjithmonë mbetet jetim.

Ajo që është e qartë tani është se ka ndodhur një sulm i tmerrshëm dhe vrastar dhe një polic u vra dhe kjo do të thotë se më nuk mund të vazhdojmë aty ku kishim mbet para këtij incidenti, e të sillemi sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Duhen të kërkojmë përgjigje, duhet të bëhet një hetim i plotë që shpresojmë që do të qartësojë shumë gjëra. Autorët duhet të sillen para drejtësisë”, – tha ambasadori gjerman në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco