‘Veriu në kontrollin e KFOR’/ Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës: Rama ndihmon Vuçiçin për ndarjen!

‘Veriu në kontrollin e KFOR’/ Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës: Rama ndihmon Vuçiçin për ndarjen!

20:06, 29/09/2023
A+ Aa A-

Propozimi i Aleksandër Vuçiçit dhe Edi Ramës që KFOR të marrë nën kontroll veriun e Kosovës është pritur me irritim në Prishtinë. Ish ministrja e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, e cila ka qenë ministre e jashtme në qeverinë Haradinaj, gjatë një bisede me Nacionale tha se ky skenar do të ishte një ‘prapakthim shqetësues’.

‘Prapakthimi më shqetësues në veri do të ishte skenari që do të zhvleftësonte mandatin e Policisë së Kosovës si reaguesi i parë i sigurisë në veriun e territorit të saj, por edhe do të rifuqizonte rezolutën defakto të skaduar UNSC1244 – të cilën shumë shpesh ne e kemi quajtur ‘zombie rezolutë’ e cila sot nuk përkon me realitetin politik e ligjor të Kosovës së pavarur e sovrane pas 17 shkurtit’, tha ish-Ministrja e Jashtme.

Problemet thelbësore në këtë skenar protektorati, Meliza Haradinaj Stublla i sheh tek nxitja nga Serbia dhe tek rreziku që do të pasonte për Kosovën si një shtet që nuk garanton dot kontrollin e territorit.

‘Një: Nevoja për protektorat nuk vjen nga rreziku i cenimit të të drejtave të komunitetit serb në veri nga qeveria e Kosovës, por nga nxitja, financimi, e orkestrimi i dhunës, terrorizmit e investimit për konflikt më të gjerë të armatosur nga Serbia; dhe… Dy: ‘Protektorati ndërkombëtar’ për veriun do të përbënte një rrezik real që shteti i Kosovës – i njohur ndërkombëtarisht prej gjithsej 117 shteteve sovrane që përbëjnë gati 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së – do të mund të vendoste Kosovën përballë një rishqyrtimi më të gjërë ndërkombëtar të funksionimit të saj si shtet. Pa kontroll efektiv në gjithë territorin e saj, Kosova do të rrezikonte plotësimin e 1 nga 4 kritereve themelore të Konventës së Montevideos që e definojnë ligjërisht një shtet’, tha ajo.

Meliza Haradinaj-Stublla tha se kërkesa për kontroll të veriut nga KFOR-i përkon me projektin shovinisht të ‘botës serbe’ të artikuluar nga shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin. Sipas saj, artikulli i botuar në ‘The Pavlovic Today’ por edhe deklarimi i sërish i Ramës në kërkesë për kontroll të KFOR-it janë bërë me kërkesë të Serbisë.

‘Riaktualizimi i skenarit të kahmotshëm të Serbisë për të aneksuar pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, u jetësua ditëve të fundit edhe përmes mediumeve të financuara nga Serbia duke u thirrur në burime kinse ndërkombëtare diplomatike, por edhe përmes politikanëve që për një arsye apo tjetrën – janë në linjë me qëllimet e Serbisë. Edhe konferenca e kryeministrit Rama është po në atë linjë – e dëmton interesin strategjik të Kosovës në dialog, ia mjegullon asaj pafajësinë shtetërore pas sulmit të paprovokuar terrorist nga Serbia, dhe i ndihmon pretendimit të Serbisë për ndarje të Kosovës – një qëllim të Serbisë që Rama e ka përkrahur edhe vetëm pak vite më parë përmes idesë së shkëmbimit të territoreve’, na tha Haradinaj-Stublla. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco