SYRI TV/ Banorë të Kasharit në protestë për tokat: Nuk i kemi marrë dëmshpërblimet

13:50, 15/09/2023
A+ Aa A-

Teksa kompania “Salillari” ka nisur punimet në Kashar për projektin “Zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik Teda Tiranë”, pronarët e tokës ku ka nisur puna janë ngritur në protestë. Ata thonë se bashkia Tiranë u ka zaptuar tokat, ndërsa dëmshpërblimin nuk ua ka dhënë pronarëve të ligjshëm të truallit, por atyre që kanë hequr dorë prej vitesh nga pronësia e tokës.

Nga SYRI TV

Një grup banorësh të Kasharit janë ngritur në protestë këtë të premte pasi kompania “Salillari” ka hedhur bazat për të nisur punimet në tokën e tyre, për realizimin e projektit “Zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik Teda Tiranë”. Për zhvillimin e këtij projekti, banorët thonë se u janë zaptuar tokat nga bashkia Tiranë, pa miratimin e tyre si pronarë.

Toka ku po kryhen ndërtimet nga kompania “Salillari” ka qenë e disa banorëve të fshatit Gropje të Vaqarrit, por me deklaratë noteriale më 4 gusht 2004, ata hoqën dorë nga pronësia e tokës.

Me ligjin 7501, kjo pronë kaloi tek këto 4 familje që janë ngritur në protestë, të cilët disponojnë dokumentet e pronësisë që prej vitit 1946.

Por një manovër e pashpjeguar deri tani, i ka nxjerrë pronarët e ligjshëm të tokës pa të drejtë përftimi dhe dëmshpërblimi nga bashkia Tiranë u është shpërndarë personave që kanë hequr dorë nga pronësia e tokës.

Banorët u kanë kërkuar punonjësve ndërprerjen e punimeve, ndërsa thonë se nuk u jepet asnjë shpjegim për pronat e tyre.

Banorët kërkojnë të dëmshpërblehen si pronarë të ligjshëm të tokës, ndërsa bëjnë me dije se nëse nuk marrin zgjidhje, protestat do t’i vijojnë pranë bashkisë Tiranë.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco