SYRI TV/ Incident në ceremoninë përkujtimore të Postribës, banori heq kurorat e vendosura nga Benet Beci

12:45, 09/09/2023
A+ Aa A-

Përkujtimi i 77-vjetorit të kryengritjes antikomuniste të Postribës është shoqëruar me incidente. Një banor i Postribës, nip i një prej të pushkatuarve nga regjimi komunist, ka hedhur në rrugë në shenjë revolte, kurorat me lule të vendosura nga kryebashkiaku socialist i Shkodrës, Benet Beci. Ky i fundit u largua nga ceremonia menjëherë pas incidentit. Beci nuk mbajti as fjalën e rastit dhe refuzoi t’u përgjigjej edhe pyetjeve të gazetarëve.

Nga SYRI TV

Kur kanë kaluar 77 vjet nga kryengritja e parë antikomuniste e Postribës, ajo vazhdon të përkujtohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme  të rezistencës ndaj regjimit komunist. Por këtë vit, ceremonia përkujtimore e kryengritjes së Postribës, u shoqërua me incidente. 

Një banor i Postribës, nip i një prej të pushkatuarëve nga regjimi komunist, ka hedhur në rrugë në shenjë revolte kurorat me lule të vendosura nga kryebashkiaku socialist i shkodres Benet Beci. Qytetari i revoltuar e shikon të pavend që të bëjnë homazhe për kryengritjen e Postribës, pasardhësit e regjimit komunist.

Kryebashkiaku socialist i Shkodrës, Benet Beci, u largua nga ceremonia menjëherë pas incidentit. Ai nuk nuk mbajti as fjalën e rastit dhe refuzoi t’u përgjigjej edhe pyetjeve të gazetarëve.

Kryengritja antikomuniste e Postribës në rrethin e Shkodrës është një nga kryengritjet e para dhe të pakta ndaj regjimit komunist jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë.

Më 9 shtator, kryengritësit sulmuan kazermat e ushtrisë dhe burgun e Shkodrës, me qëllim lirimin e të burgosurve politikë.

Revolta u shtyp me gjak nga ushtria, por jo vetëm kaq. Filluan raprezalje ndaj popullsisë së Postribës, djegia e shtëpive të fshatit, gjyqe ushtarake, pushkatime, burgime dhe internime pa masë nga diktatura komuniste.

Një nga organizatorët kryesorë të kryengritjes,  Osman Haxhia, u kap dhe u dënua, ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës.

Në gjyqet e para ajo që konstatohet është se përveç të dyshuarve si kryengritës, ka një numër të madh klerikësh dhe intelektualësh të Shkodrës. 

Edhe pse kryengritja e vitit 1946 nuk ia arriti qëllimit dhe u shtyp me dhunë nga diktatura e sapovendosur në Shqipëri, ajo mbetet një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco