Rama mbron sterilizimin/ VOA: Afera do të shkojë 150 mln euro, kërkohet hetimi i Beqajt

Rama mbron sterilizimin/ VOA: Afera do të shkojë 150 mln euro, kërkohet hetimi i Beqajt

19:10, 29/08/2023
A+ Aa A-

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama vizitoi të martën një nga qendrat e sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë, gati dy javë pasi Prokuroria e posaçme arrestoi ish zëvendës ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe sipërmarrësin Ilir Rrapaj, i cili zotëron 40 për qind të aksioneve të kompanisë e cila në vitin 2015 fitoi kontratën për realizimin e sterilizimit për të gjithë spitalet e vendit. Zoti Rama tha se vizita e tij synonte që të vinte në dukje dallimin mes përfitimit të sistemit shëndetësor nga ky proces, dhe atyre që kanë një cështje të hapur me drejtësinë

Zëri i Amerikës

Arrestimet për kontratën e sterilizimit ishin goditja e dytë, pas hetimeve për inceneratorët në Elbasan, Fier e Tiranë, ndaj disa prej projekteve madhore, të vëna në jetë nga qeveritë e kryeministrit Edi Rama, e të mbrojtura fort prej tij personalisht, pavarësisht dyshimeve të shumta, që në mënyrë të përsëritur ishin ngritur si nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, e po ashtu dhe nga media e opozita.

Pak ditë më parë, zoti Rama tha se edhe po të kthehej pas, ai do t’i mbështeste sërish këto partneritete publike private, duke anashkaluar faktin se kritikat më së shumti kanë qenë të fokusuara te mënyra se si ato u realizuan dhe procedurat e ndjekura. E vërteta është se sot ndodhen në arrest disa ish anëtarë qeverie, si dhe zyrtarë apo ish zyrtarë të thuajse të gjitha niveleve.

Përpara një tavoline ku ishin ekspozuar, siç u tha nga mjekët që e shoqëronin, instrumentat kirurgjikalë të cilët përdoreshin më parë, kryeministri deklaroi se vizita e tij në një nga 17 qendrat e sterilizimit, kishte për qëllim që të bënte dallimin “midis përfitimit të madh që ka patur sistemi dhe çfarëdo qoftë, individë të caktuar mund të kenë bërë pas shpine po themi, që është çështja e tyre me drejtësinë”

Sipas autoriteteve, procesi i sterilizimit ka sjellë në një ulje të infeksioneve spitalore, të ditëqëndrimit të pacientëve si dhe të përdorimit të antibiotikëve. Edhe kryeministri Rama u shpreh se “vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital, ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë sesa gjithë shpenzimit total që është bërë për këtë proces, dhe gjithë kostoja e përgjithshme që është parashikuar për procesin sot që flasim”.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Kontrata fillestare ishte parashikuar që për 10 vite të kushtonte 100 milionë euro, ndërsa në fakt, sipas përllogaritjeve, pritet të rritet me afro 50 për qind. Prokuroria ka vënë në dukje kosto të fryra artificialisht, dhe një studim fizibiliteti po ashtu të manipuluar. E gjitha për të favorizuar kompaninë që sipas hetimeve dyshohet se ishte paracaktuar për shkak të lidhjeve mes sipërmarrësit shqiptar Rrapaj dhe drejtuesve të atërhershëm të ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas Gjykatës së Posaçme madje, rrethi i të hetuarve nuk duhej të ndalej vetëm te ish zëvendësministri Rjepaj, apo dhe 6 anëtarët e komisionit të vlerësimit, por të zgjerohej dhe me ish ministrin Ilir Beqaj, pasi vlerësonte se evidentoheshin “shkelje, të cilat ngrihen në nivelin e përgjegjësive penale" për të, por dhe ish ministrin e Financave Cani, si dhe për katër komisionerë të prokurimit publik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco