FOTO/ “Vajza ime vdiq në Shqipëri, por autoritetet nuk po hetojnë! Ambasada britanike nuk po na ndihmon”

FOTO/ “Vajza ime vdiq në Shqipëri, por autoritetet nuk po hetojnë! Ambasada britanike nuk po na ndihmon”

20:11, 22/08/2023
A+ Aa A-

Një baba zemërthyer nga Britania e Madhe ka kritikuar autoritetet shqiptare se nuk po hetojnë dhe nuk po ngrenë akuzë pasi vajza e tij humbi jetën në një aksident gjatë zhytjes një vit më parë.

Rebecca Gannon ishte 29 vjeç kur humbi jetën në Sarandë, teksa ishte me pushime me të dashurin e saj, Robert Kerans. Ata ishin zhytur për të parë rrënojat e një anije të mbytur.

61-vjeçari George Gannon ka kaluar dhjetë muajt e kaluar në Sarandë duke kërkuar drejtësi, por është përballur me heshtjen e zyrtarëve.

Duke folur për gazetën Daily Mail, ai thotë: “Kjo tragjedi i ka kushtuar familjes time biznesin dhe mendjen, por ne nuk do të ndalojmë së luftuari derisa të marrim drejtësi”.

“Shkova në Shqipëri një muaj pas varrimit të saj dhe kalova dimrin, pranverën dhe pjesën e parë të verës vetëm për të zbuluar se çfarë ndodhi”.

“Si mundet që një vajzë e re, e cila e kishte jetën përpara, të vdesë gjatë pushimeve? Pse ne si familje nuk mund të marrim përgjigje për atë se çfarë ka ndodhur saktësisht? Ajo ishte një zhytëse me përvojë dhe ishte zhytur në Zelandën e Re, Amerikën e Jugut, Kanada dhe Angli. Ajo kishte vite përvojë dhe ishte krejtësisht e shëndetshme”.

“Kam kërkuar të flas me prokurorët dhe kam qenë shumë i sjellshëm sepse e di që nuk ka kuptim të zemërohem, por rojet e sigurisë nuk më lejojnë të kaloj as derën. Certifikata e vdekjes thotë se ajo u mbyt, por unë, gruaja ime, djali im dhe vajza duam të dimë se pse ajo vdiq dhe duam drejtësi”.

“Si mund të ndodhë që pothuajse një vit më vonë, asgjë nuk ka lëvizur? Është një rast i hapur dhe i mbyllur. Nuk është e komplikuar, janë njerëzit që organizuan udhëtimin dhe ne duam t’i shohim ata para një gjyqtari, por nuk duket se do të ndodhë së shpejti”.

“Kjo na ka kushtuar ne më shumë se 40 mijë sterlina pasi po shpenzojmë kursimet tona. Po ashtu kemi mbyllur biznesin tonë në Angli, një furrë buke, sepse bashkëshortja ime është zemërthyer për të punuar”.

“Nuk kemi pasur asnjë mbështetje nga policia shqiptare, prokurorët vendas dhe Ambasada Britanike në Tiranë nuk ka bërë asgjë. Madje na thanë të provojmë Ambasadën Greke, sepse ata mund të ishin në gjendje që të lëvizin gjërat, por çfarë autoriteti kanë ata, pasi Beki ishte britanike”, thotë George, që tani ka nisur edhe antidepresantët.

ImageImageImageImageImageImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco