SYRI TV/ Zhduket kontrata origjinale e Sterilizimit, SPAK: Nuk gjendet në arkivat e ministrisë së Shëndetësisë

13:01, 19/08/2023
A+ Aa A-

Kontrata origjinale e koncensionit të sterilizimit është zhdukur dhe nuk gjendet as në arkivat e Ministrisë së Shëndetësisë. Ka qenë vetë Prokuroria e Posacme Antikorrupsion e cila ka konfirmuar zhdukjen e kontratës origjinale duke sekuestruar vetëm kopjen e e saj të njehsuar. Ky skandal pritet të zgjerojë edhe më tej hetimet për aferën me koncensionin e sterilizimit teksa deri tani, 8 zyrtarë dhe bisnesmenë janë akuzuar zyrtarisht nga SPAK për për veprat penale korrupsion, falsifikim dhe mashtrim.

Nga SYRI TV

Afera e koncensionit të sterilizimit pritet të zgjerohet edhe më tej teksa po dalin në dritë edhe aspekte të tjera skandaloze të këtij koncensioni.

SPAK ka konfirmuar se është zhdukur kontrata origjinale e këtij koncensioni e cila ishte përpiluar dhe firmosur 10 vjet më parë.

Dokumenti i SPAK është publikuar këtë të shtunë nga weblajme dhe nxjerr në pah një situatë të pabesueshme dhe po ashtu të dënueshme penalisht.

SPAK thotë se ka në dorë vetëm një kopje të njehsuar me origjinalin por jo kopjen origjinale me firmën e ministrit të Shëndetësisë të asaj kohe dhe biznesmenit të arrestuar. Kopja origjinale ka humbur dhe nuk gjendet as në arkivat e ministrisë. SPAK më herët kishte marrë vendimin për sekuestrimin e praktikës së plotë dokumentare origjinale të procedurës së koncensionit të sterilizimit por janë gjendur përpara një situate të papritur.

“Në zbatim të këtij vendimi, oficerët e policisë gjyqësore kanë sekuestruar dosjen e koncensionit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Gjithashtu duhet theksuar se me gjithë kërkimet në institucion dhe arkivën e ministrisë së Shëndetësisë, zyrtarët e këtij institucioni nuk gjetën dhe nuk venë në dispozicion kontratën origjinale të koncensionit dhe as anekset përkatëse. Dokumentacioni i sekuestruar është origjinal i kopjes së njehsuar të dërguar nga ministria e Shëndetësisë përsa i përket procedurës së dhënies së koncensionit me shkresën numër 910/ 1 datë 19 shkurt 2020.”

Ky skandal pritet të zgjerojë edhe më tej hetimet për aferën me koncensionin e sterilizimit.

Të enjten, policia me urdhër të SPAK ekzekutoi masat e arrestit për 8 persona mes të cilëve për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, të cilët akuzohen se janë të implikuar në koncesionin e sterilizimit, që kap vlerën e  100 milion eurove.

Ky koncesion është gjetur me shkelje për veprat penale korrupsion, falsifikim dhe mashtrim, ku deri më sot dëmi ekonomik përllogaritet në 76 milionë euro. Masat e arresteve për 8 të akuzuarit janë dhënë që më 23 qershor por zbatimi i tyre është zvarritur deri më sot duke hedhur edhe më tepër mjegull rreth kësaj afere.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco