Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

PD: Qeveria të ndërpresë urgjent pagesat për inceneratorët fantazmë

PD: Qeveria të ndërpresë urgjent pagesat për inceneratorët fantazmë

11:23, 16/08/2023
A+ Aa A-

Partia Demokratike i bëri sot thirrje qeverisë që të ndërpresë pagesat për inceneratorët fantzmë.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti tha se SPAK duhet të thellojë hetimin për miliona eurot e paguara.

DEKLARATA E PLOTË

Prej vitesh nga ky foltore kemi denoncuar afera korruptive dhe klienteliste të qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.

Abuzime me të drejtat e njeriut, me pronat e shqiptarëve, tendera me një ofertë të vetme, rritjen pa kufi të barrës fiskale për bizneset dhe qytetaret, koncesionet me PPP e deri te udhëtimet luksoze me charter.

Ndonëse vendi ynë prej dy dekadash ka një kuadër ligjor të plotë sa i takon menaxhimit financiar publik, dhe mbështetja e institucioneve ndërkombëtare, si FMN apo BB nuk ka munguar për të rritur kapacitetet e administratës për të menaxhuar sipas ligjit çdo qindarkë publike, disa gjakpirës të financave publike kanë ndërmarrë praktika antiligjore, duke shkelur me të katërta këmbët parimet e financimit të shpenzimeve publike.

Rasti më konkret është ai i inceneratoreve.

Janë plot 103 milionë euro të paguara për një shërbim që nuk është kryer, atë të incenerimit të mbetjeve.

Incenerimi, apo ndryshe djegia e plehrave nuk është kryer, thjesht për faktin se një proces i tillë nuk kryhet nga koncesionari.

Ama paratë janë paguar sikur ky shërbim jo vetëm ekziston, por madje nuk është ndërprerë as edhe një ditë.

Ligji Organik i Buxhetit e ka të shprehur qartë se per te kryer një pagese thesari duhet që kërkesa të jetë e shoqëruar nga dokumentacioni që vërteton kryerjen e shërbimit përkatës.

Nëse incenerim nuk ka, atëherë si është e mundur që të vërtetohet në dokumente një shërbim i tillë, përveç rastit kur dokumentet falsifikohen, apo zyrtarët e lartë të institucioneve firmosin në shkelje të ligjit për një punë të pakryer?

Si është e mundur që pagesat janë kryer nga Thesari i Shtetit, ndonëse të gjithë, i madh e i vogël, e di që incenerim nuk ka?

Si është e mundur që paska ende supervizore kaq kurajoze që sfidojnë kaq hapur ligjin dhe organet e sistemit gjyqësor?

Si është e mundur që paska ende zyrtare të Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Infrastrukturë të cilët e kanë për detyrë monitorimin e zbatimit të kontratave koncesionare, të cilët vazhdojnë muaj pas muaji, prej vitesh tashmë, të firmosin fatura për miliona e miliona euro për diçka që nuk ekziston?

Këto nuk janë shqetësime që ne i ngremë sot, kemi vite që kërkojmë zbardhjen e së vërtetës.

Kemi vite që kërkojmë ndërprerjen e pagesave për inceneratorët.

Fatkeqësisht, edhe sot që flasim, jo vetem që pagesat nuk janë ndërprerë, por kërkohet që të paguhet e detyrimet e prapambetura.

I bëjmë thirrje Ministrisë së Financave që të ndërpriten menjëherë pagesat nga Thesari i Shtetit për inceneratorët fantazëm.

I bëjmë thirrje SPAK-ut që të thellojë hetimin dhe gjurmimin e miliona eurove të paguara, me qëllim që të rikthehen në arkën e shtetit dhe në xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

Të jesh në kërkim dhe drejtësia mos të gjejë dot, ndërkohë që miliona euro e gjejnë lehtë rrugën për te ti, përbën një shaka të trashë me publikun.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco