A është kthyer SPAK në policinë private të Edi Ramës?

A është kthyer SPAK në policinë private të Edi Ramës?

12:57, 03/08/2023
A+ Aa A-

Pak shprehje ia dalin të bëhen kaq popullore në mbarë botën sa fraza ‘ndiq paratë’. E popullarizuar nga filmi amerikan ‘Të gjithë njerëzit e presidentit’, shprehja sugjeron se korrupsioni politik mund të zbardhet vetëm duke ndjekur transfertat e parave. Qëllimi final është që të shkohet te ‘koka’ e skandalit, siç ndodhi edhe me Uotergejtin.

Por kjo shprehje, e ‘ringjallur’ në Shqipëri pas një interviste në shkurt të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, nisi të qarkullonte në media dhe rrjetet sociale pas sekuestrimit të inceneratorit të Tiranës. Për pak të krijohej ideja se SPAK kishte rënë në gjurmët e duhura të parave. Për të darovitur këtë mjegullnajë që shpesh krijohet nga lart, duhet thënë se vetëm përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do nxjerrin në dritë të vërtetën për këtë mega-aferë, e cila si në çdo skandal, e ka një ‘kokë’.

-E para, përse SPAK e shtyu sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës për më shumë se një vit e gjysmë? Përse SPAK e shtyu hetimin për Tiranën dhe lejoi të vazhdonin pagesat?

-E dyta, përse kreu i SPAK, Altin Dumani shprehu shqetësim për arbitrazhin kur foli për pronarët e inceneratorit, duke përdorur të njëjtën gjuhë si qeveria? Kjo gjuhë që nuk ka lidhje me punën e tij, a mos ka ardhur pas një kafeje me kryeministrin?

-E treta, si është e mundur që SPAK sekuestroi asetet e Arben Ahmetajt pak orë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se nëse do të ishte prokuror, do të tregohej edhe më i ashpër? E gjitha kjo ndodhi kur paratë e inceneratorit të Tiranës vazhdonin të rridhnin.

-Përse SPAK nuk e mori në konsideratë raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili që në vitin 2022 kishte ngritur shqetësimet e rënda për inceneratorin e Tiranës?

-Përse SPAK po interpreton rolin e Ministrisë së Financave, e cila nuk ka vulën finale të miratimit. A është kjo një përpjekje për të shfajësuar kryebashkiakun e Tiranës, duke e zhvendosur fajin diku tjetër?

-Përse SPAK vendosi të sekuestrojë inceneratorin e Tiranës disa javë pas zgjedhjeve lokale, duke lejuar të paktën 15 milionë dollarë të shkojnë te bosat e vërtetë të inceneratorëve?

-Përse u përhapën fjalët për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës disa javë përpara, duke lejuar bosat që të zbrazin llogaritë e tyre?

-Përse Ministria e Infrastrukturës nuk ka asnjë raport si institucion për monitorimin e kontratës për djegësin e Tiranës?

-Cilët janë pronarët e 20 përqindëshit në parajsat fiskale? Ku kanë përfunduar në të vërtetë 100 milionë dollarët e taksapaguesve shqiptarë?

-Cilat janë mediat që kanë marrë pagesa nga inceneratori gjatë tre viteve të fundit?

-Cili është kuptimi i vërtetë i shprehjes ‘ndiq paratë’ nga Arben Ahmetaj në intervistën e shkurtit? Sigurisht nuk bëhet fjalë për Elbasanin dhe Fierin, sepse ato ishin nën sekuestro.

-A janë akuzat e ngritura ndaj Ahmetajt një hakmarrje politike pas indikacioneve potenciale të asaj interviste? Përse dosja e SPAK ndaj tij nuk u lexua nga deputetët, por përfundoi në duart e medieve qëllimisht për të nxirë vetëm pozicionin e tij, tashmë i shpallur dezertor nga Rama?

-A është kërcënuar Arben Ahmetaj nga burgjet e Shqipërisë me telefonata për të heshtur?

-Përse SPAK ktheu vetëm telefonin e një ndërtuesi që ishte në hetim për Ahmetajn kur lexoi sms-të me donacione për PS-në me Fugën e Ramën? Pse vetëm ky biznesmen nga ish-miqtë e Ahmetajt e rimori telefonin celular nga SPAK?

-Përse SPAK e ka ndarë në disa çështje të veçanta çështjen e inceneratoreve kur ajo është nje e vetme dhe ka të njëjtët bashkëpunëtorë si një grup i vetëm i strukturuar kriminal?

Nëse ndjek paratë, do gjesh gjithmonë gjurmët që lë ajo. Por në vend të kësaj jo vetëm nuk po ndiqen paratë, por po ndiqen ca gjurmë. Ato gjurmë që kërkon të lërë pas ‘koka’ e vërtetë e inceneratorëve.

JA RAPORTI I KLSH PËR INCENERATORIN E TIRANËS

KLSH ka konstatuar se projekti ka rezultuar që në fillim i papërballueshëm për buxhetin e shtetit, ndërsa bashkisë Tiranë nga viti 2018 i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve. Bashkia Tiranë ka paguar për periudhën 2018-2020 rreth 3.2 miliardë lekë (26.5 milionë euro) shtesë, krahas kostos së pastrimi prej 3.9 miliardë lekësh.

Prej vitit 2018 deri aktualisht, thekson KLSH, Bashkia Tirane dhe Ministria e Industrisë dhe Energjisë (MIE) janë duke paguar tarifën prej 29 euro/ton mbetje urbane për incenerimin e mbetjeve për një shërbim ende të pakryer, duke qene se inceneratori ende nuk është përfunduar si objekt industrial për djegien e mbetjeve urbane.

“Aktualisht çmimi i paguar 29 euro/ton nuk është çmimi real i shërbimit qe kryhet, pasi kjo tarifë përfshin edhe incenerimin e mbetjeve proces i cili nuk është kryer deri me sot. Procedura konkurruese për dhënien e këtij projekti me koncension nuk është kryer në përputhje me parimet e transparences dhe përcaktimet ligjore. Janë shkaktuar vonesa të konsiderueshme ne afatin e fillimit dhe vijimit te punimeve te projektit, si pasoje e veprimeve dhe mos veprimeve si dhe shmangies nga detyrimet e përcaktuara ne kontrate si nga Autoriteti Kontraktues (AK) ashtu edhe nga Koncensionari”, thuhet në raportin e KLSH.

KLSH thekson se “për shërbimin e depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve, vihet re se si pasojë e mos përfundimit të ndërtimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve, Koncensionari ende sot nuk ka trajtuar dhe asgjësuar asnjë sasi mbetjesh të marra në dorëzim. Pavarësisht mos kryerjes të procesit të trajtimit të mbetjeve, Bashkia Tiranë ka vijuar të kryejë pagesat e plota të tarifës për këtë shërbim”.

Nga analiza e të dhënave, KLSH ka konkludoi se mungesa e vendimmarrjes së Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, në cilësinë e vlerësuesit dhe miratuesit paaraprakish te të gjitha projekteve koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP), nga pikëpamja e implikimeve fiskale, individuale apo në grup për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale, ne propozimin e opera tori ekonomik “Integrated Energy B. V” shpk, për incineratorin e Tiranës, shpreh në mënyrë eksplicite papërballueshmërinë dhe/ose paqëndrueshmërinë si edhe ndërmarrjen e angazhimeve publike që rrezikojnë në mënyrë të konsiderueshme përballueshmërinë dhe efektivitetin e projektit.

KLSH konstaton se vihet re qartësisht se, shpenzimet buxhetore të Bashkisë Tiranë në momentin e nënshkrimit të kontratës koncesionare për “Ndertim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë, propozuar nga operatori ekonomik “Integrated Energy B.V shpk”, janë dyfishuar jo vetëm krahasuar me periudhën 2015-2017, por kanë rënduar buxhetin e shtetit (për aq kohë sa rimbursohet ende nga MIE) me 2-fishin e vlerës për vitet 2018-2020.

Kjo ka ardhur si shkak i tarifës koncesionare të depozitimit te mbetjeve urbane prej 29 Euro/ ton mbetje urbane, për të cilën subjektet e përfshira në auditim nuk kanë vendosur në dispozicion asnjë evidencë për negocimin paraprak të saj me operatorin ekonomik koncesionar.

KLSH thekson se për shërbimin e depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve, vihet re se si pasojë e mos përfundimit të ndërtimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve, Koncensionari ende sot nuk ka trajtuar dhe asgjësuar asnjë sasi mbetjesh të marra në dorëzim. Pavarësisht mos kryerjes të procesit të trajtimit të mbetjeve, Bashkia Tiranë ka vijuar të kryejë pagesat e plota të tarifës për këtë shërbim;

Ne planin e biznesit përcaktohet se kosto e projektit do të përballohet në vlerë të plotë nga kapitali i shoqërisë dhe nga burimet e brendshme të saj, pa pasur nevojë që të merret një kredi bankare. Ndërkohe Koncensionari Integrated Energy ka kërkuar financim nëpërmjet dy kontratave Kredie Afatgjate dhe Afatmesme për vijimin e projektit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco