Ambasada e SHBA: Mirëpresim marrëveshjen e Kosovës me BE-në, të merren hapa të tjerë konkretë

Ambasada e SHBA: Mirëpresim marrëveshjen e Kosovës me BE-në, të merren hapa të tjerë konkretë

15:16, 14/07/2023
A+ Aa A-

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë njëzëri në kërkesën e tyre për deeskalimin në veri të Kosovës duke kërkuar që Kosova dhe Serbia të zbatojnë pa vonesa planin trepikësh të propozuar nga Brukseli.

Vonesat për të zbatuar planin trepikësh për deeskalim kanë bërë që Kosovës zyrtarisht t’i vendosen sanksione nga Bashkimi Evropian, ndërkohë edhe Gjermania si shtet anëtar ka vendosur të ndërprejë bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha. Heqja e këtyre masave do të varet nga lëvizjet që do të bëhen nga Kosova në drejtim të deeskalimit.

Pas presionit të madh ndërkombëtar, Kosova ka arritur një pajtueshmëri për të kaluar nëpër disa hapa fillestar që kanë për synim dërgimin tek de-eskalimi i plotë. Kjo ka përfshirë edhe redutkimin në 25% të forcave policore nga objektet komunale në veri dhe përreth objekteve komunale. Gjithashtu Kosova është zotuar për sigurimin e bazës ligjore për organizimin e zgjedhjeve të reja dhe është kërkuar një takim i nivelit të kryenegociatorëve në Bruksel. Në këtë takim me të cilin do të mbyllej edhe faza dy javore e hapave të parë duhet të bëhet finalizimi i implementimit të planit të sekuencimit për Marrëveshjen për Normalizim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur në mes të Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajcak dhe Qeverisë së Kosovës për hapat e parë drejt de-eskalimit në veri dhe gjithashtu edhe lëvizjen përpara drejt implementimit të marrëveshjeve ekzistuese në Dialog.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, kanë thënë se SHBA  dhe BE-ja kanë qenë të qarta rreth pritjeve nga palët sa i përket de-eskalimit dhe dialogut.

“Ne mirëpresim marrëveshjen e arritur në mes të Përfaqësuesit Special të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës për hapat e parë drejt de-eskalimit në veri të Kosovës dhe për të ecur përpara në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese të Dialogut. Shtetet e Bashkuara dhe BE kanë qenë të qarta për pritshmëritë tona nga të dyja palët”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së për Express.

Nga Ambasada Amerikane gjithashtu kanë thënë se vazhdojnë t’i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë për të ndërmarrë hapat tjerë konkret për të de-eskaluar tensionet dhe për të evituar veperimet që mund të cilësohen si acaruese të situatës.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa të mëtejshëm konkret për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të shmangur veprimet që mund të interpretohen si përshkallëzuese”, kanë përfunduar nga Ambasada e SHBA-së për Gazetën Express.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas arritjes së pajtimit me BE-në rreth hapave të parë që çojnë tek de-eskalimi, ka thënë se këto veprime të Kosovës tregojnë gatishmërinë për të ndërmarrë hapa konkret për garantimin e paqes dhe për normalizimin e raporteve me Serbinë.

“Qeveria jonë ka arritur një marrëveshje me BE-në për hapat e ardhshëm për de-përshkallëzimin në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo tregon gatishmërinë tonë për të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, në shërbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti./GazetaExpress/

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco