SYRI TV/ Arben Ahmetaj reagon nga arratia: Dikush me tha 'të duan në burg'

14:28, 14/07/2023
A+ Aa A-

Arben Ahmetaj ka reaguar për herë të parë nga arratia mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e tij. Ish-zëvendës kryeministri thekson se ka marrë kërcënime ndërsa nuk kursen as shënjestrimet ndaj kolegëve socialistë që sipas tij u angazhuan për ta sulmuar. Ahmetaj heq përgjegjësinë nga vetja, duke e cilësuar sulm, ndërsa paralajmëron publikimin e dokumenteve që sipas tij, nuk ka qenë ai që ka kërkuar dhe firmosur këto projekte.

Nga SYRI TV

Ndërsa parlamenti u mblodh për t’i hapur rrugë arrestimit të tij, Arben Ahmetaj reagoi nga arratia me anë të një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale. Arben Ahmetaj i cilësoi të sajuara akuzat ndaj tij, ndërsa paralajmëroi nxjerrjen e fakteve të vërteta për inceneratorët, ndërsa shtoi se ka marrë kërcënime.

“Dikush më tha “të duan në burg, vëlla”. Kam marrë kërcënime (I kam me screenshot e me zë ndoshta), madje së fundi dhe një mesazh triumfi si mirëseardhje… Nëse do ta meritoj, sigurisht që do të ndodhë…po jo përpara se e vërteta të marrë rrugë e dritë. Letrat janë atje.  Letrat do të dalin e nëse dikush do të kërkojë t’i fshehë, do të dalin gjithsesi.”

Arben Ahmetaj ka shtuar pikëpyetjet edhe për një luftë të brendshme në Partinë Socialiste, duke atakuar edhe kolegët e tij, që sipas tij, po paralajmëronin fundin. 

“E kam përjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie “se do ikja në të s’ëmës”, habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje , “marrjen peng” të bashkëjetueses sime dhe ish-bashkëshortes sime e më pas kontrollet spektakolare të emetuara si të ishin kallëpe të dala nga goja, e banesave, ku lajmi shkonte më parë në media sesa procesverbali në zyrat e institucionit.

Ahhh, harrova se si filloi, me frikën dhe stopimin e 90% të atyre që punoja në nivelet e larta në politikë apo ekzekutiv e që dikur ndoshta i kam mbështetur e promovuar (me ato mundësi të miat), për të bërë atë që kishim bërë ndër vite, të ishim miq e shokë. 

I kuptoj që “duhet” të kishin e kenë frikë, ndoshta.  Nuk i mirëkuptoj, po e di që ishte gjendur “armiku” që do dimensionohej e ridimensionohej më pas në shumë episode.”

Duke komentuar akuzat e SPAK ndaj tij, Arben Ahmetaj bën edhe një panoramë të vendimeve të marra prej qeverisë për këto koncesione, që sipas Ahmetajt nuk kanë pasur lidhje me detyrën e tij, duke folur mbi alokimin e fondit rezervë apo qëndrimet e paraardhësit të tij Shkëlqim Cani.

“Ministri i Financave ben gati 2000 rialokime e alokime e çelje investimesh në vit. Kush e njeh ligjin e Buxhetit qesh me këte akuzë. I lutem institucionit të drejtësisë ta lexojë këtë ligj. Pozicionet e mia zyrtare në Ministri të Ekonomisë apo Financave nuk marrin pjesë në procedura.

Letrat janë atje. S’kam marrë pjesë në procedurat e inceneratorëve. Letrat do të dalin e nëse dikush do të kërkojë t’i fshehë, do të dalin gjithsesi se është përdorur fondi rezervë për financim e inceneratorit të Elbasanit.

Edhe sikur të ishte kështu do të ishte sërish komplet ligjore. Por financimi i inceneratorit të Elbasanit është bërë kur une s’kam qenë ministër Financash, dhe është bërë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Paraardhësi im, z. Shkëlqim Cani dhe qeveria ka zbatuar ligjin në këtë vendim. Mësova kur u thirra në SPAK se nuk e mbaja mend që s’kisha marrë as pjesë në këtë mbledhje qeverie.”

Pa përmendur emrat e ish-kolegëve, Arben Ahmetaj citon edhe BIRN, që dje publikoi një artikull me titull “Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK”. E referuar refuzimeve që ai i ka bërë korespodencave për Inceneratiorët, kërkon që të dalin sa më shumë dokumente për zbardhjen e të vërtetës.

“Shpresoj të dalin sa më shumë shkresa e letra të miat si ajo ato që BIRN nxori dje, që qytetarët të kuptojnë (aq sa mundet) që puna “ e fytyrës së ngrysur”  ka qënë në interes të publikut.

Ish-zëvendëskryeministri e mbyll reagimin e tij me një paralajmërim për zbulimin  e së vërtetës, ndërsa shkruan se historia do të vazhdojë

“Zoti e di të vërtetën, që unë do të mundohem ditë pas dite ta nxjerrë”.   

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco