Inceneratori/ Ahmetaj i çon mesazh Veliajt: Do dalin më shumë shkresa

Inceneratori/ Ahmetaj i çon mesazh Veliajt: Do dalin më shumë shkresa

10:10, 14/07/2023
A+ Aa A-

Arben Ahmetaj publikoi sot një letër të hapur, duke u dërguar indirekt mesazh njerëzve brenda partisë së tij.

Një prej tij është Erion Veliaj, i cili në dosjen e SPAK, të publikuar dje nga BIRN, rezulton si iniciator i projektit të inceneratorit të Tiranës.

“Shpresoj të dalin sa më shumë shkresa e letra të miat, si ato që BIRN nxori dje, që qytetaret të kuptojnë (aq sa mundet) që puna “e fytyrës së ngrysur” ka qene në interes të publikut,” shkruan Ahmetaj.

“S’kam marrë pjese në procedurat e inceneratorëve. Letrat do dalin, e nëse dikush do të kërkojë t’i fshehë, do dalin gjithsesi,” thekson ai.

Prej ditësh, në mediat pranë qeverisë, ka nisur një sulm i orkestruar ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Por ndërsa përflitet se pas këtij sulmi qëndron dora e Erion Veliajt, dosja më e fundit e SPAK për Arben Ahmetajn zbardh arsyet se përse ka ardhur kjo përplasje.

Sipas dosjes, projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj.

Për më tepër, projekti ndeshi në kundërshtimin jo vetëm të Shkëlqim Canit, por edhe të Arben Ahmetajt më vonë si ministër i Financave.

Shkëlqim Cani u largua nga detyra e ministrit të Financave në shkurt të vitit 2016 dhe u zëvendësua nga Arben Ahmetaj. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i dërgon shkresën me propozimin për ndërtimin me PPP të inceneratorit ministrit të ri.

Dosja hetimore zbulon se shkresa ka të njëjtën përmbajtje me atë të janarit, me shtesën e vetme ku thuhet se është dërguar edhe një studim fizibiliteti. Ahmetaj nuk e miraton propozimin pasi sipas tij: “mungon argumentimi nëse projekti i propozuar me PPP ka kosto më të lirë se në rastin se do të bëhej me prokurim publik me fondet e shtetit.”

Negociatat për miratimin e projektit i merr më pas në dorë Ministria e Mjedisit.

Një email i datës 2 mars 2016, i sekuestruar nga prokuroria në komjuterin e Klodian Zotos tregon se një punonjës i Ministrisë së Mjedisit, Vladimir Bezhani, i kishte dërguar atij një dokument me titull “Bashkia Tiranë”.

Dokumenti është një shkresë e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka drejtuar Erion Veliajt ku shpreh dakordësinë me propozimin e bashkisë së Tiranës dhe sugjeron ngritjen e një grupi pune të përbashkët.  Bezhani i drejtohet Zotos me fjalët: “Shikoje dhe më thuaj nëse je dakord.”

Ministria e Mjedisit dërgon sërish në Ministrinë e Financave një argument se pse varianti PPP do të ishte më i lirë sesa prokurimi me fondet e shtetit, por refuzohet sërish. Sipas SPAK, argumenti u shkrua nga Klodian Zoto.

Drejtorja e Përgjithsme e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi argumentoi se projekt-vendimi kishte karakter individual dhe si i tillë ishte jashtë fushës së përgjegjësisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit.” Të njëjtin argumentim në refuzim përdori dhe ministri Ahmetaj në përgjigjen që i dërgon Ministrisë së Mjedisit.

Ahmetaj refuzon disa herë të tjera dhënien e miratimit si ministri përgjegjëse për tavanet buxhetore dhe implikimet financiare të projekteve në partneritet publik- privat me argumentin se nuk është e qartë se kush do të bëjë pagesat, me çfarë fondesh do të bëhet shpronësimi i tokës për zgjerimin e landfillit dhe se norma e kthimit të përhershëm të investimit (IRR) është llogaritur gabim 5%, kur në fakt rezulton të jetë 8%.

Këtë shkresë, punonjësja e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma ia dërgon ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako shoqëruar me tekstin “Ufffffffff”. Shkresën e dërgon më pas në emailin personal të saj dhe ia dërgon Klodian Zotos.

Zoto i dërgon më pas një email Alba Thomës në janar 2017, ku shkruhet “Përgjigje përfundimtare MF nga MM”.

Kjo përgjigje e shkruar nga Zoto do të përdorej për t'u dërguar në Ministrinë e Financave nga Ministria e Mjedisit dhe sqaronte se mbështetjen buxhetore për impiantin ta mbante qeveria qëndrore, duke qënë se bashkitë në qarkun Tiranë nuk kishin mundësi të përballon kostot.

Ministria e Financave refuzon sërish dhënien e miratimit.

Pas kësaj ideje, ministri Koka i dërgon një letër tjetër Arben Ahmetajt, ku sqaron se shpenzimet për shpronësimin e tokës dhe pagesat për mbetjet që përpunohen do të përballohen nga vetë bashkia me fondet e transfertave të pakushtëzuara që bën buxheti.

Ahmetaj kërkon shkresën e miratimit me shkrim nga qarku Tiranë, sipas modelit financiar që kishte dërguar Ministria e Mjedisit. Më 27 mars 2017, Erion Veliaj i dërgon miratimin Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako.

Ahmetaj refuzon ta miratojë derisa Ministria e Mjedisit ia dërgon me email shkresën e dhënies së miratimit nga Erion Veliaj. Ai më pas i hap rrugë procedurës duke u shprehur “pa komente”. Përgjigjja dërgohet 16 minuta më vonë nga Alba Thoma në adresën e emailit të Klodian Zotos.  Sipas hetimit të SPAK, “Ahmetaj nuk e pengon këtë procedurë pavarësisht problemeve që ajo paraqiste”.

© SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco