Çfarë thoshte Agim Rada për Ramën pak vite më parë: Vetëm një gjë i kam kërkuar, të më lejë të qetë, të më lejë të punoj...

Çfarë thoshte Agim Rada për Ramën pak vite më parë: Vetëm një gjë i kam kërkuar, të më lejë të qetë, të më lejë të punoj...

00:08, 13/07/2023
A+ Aa A-

Skulptori i mirënjohur Agim Rada ka humbur jetën në moshën 70 vjeçare. Edi Rama ka një veti, pushteti e ka bërë që të harrojë të gjithë miqtë e vjetër, por nuk harron t’u kushtojë aty një “IN MEMORIAM” kur ata ndërrojnë jetë, madje edhe atyre që nuk i ka patur miq të vjetër.  E ka bërë këtë gjë edhe me piktorin e njohur Maks Velo, i cili i doli kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, Rama e harroi në të gjallë, por kur vdiq nuk harroi t’i kushtonte një “in memoriam”.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe pas vdekjes së Agim Radës.

Por çfarë thoshte vetë Rada për Ramën pak vite më parë në një intervistë “rrëfim”.

“Edi Rama më ka quajtur ‘bohem’, por ka dhe bohemë të shtirur”- thoshte Rada në një dëshmi të rrallë në emisionin e njohur RREFIM në Tv Scan.

Në atë emision Rada ka folur për miqësinë me të atin e Edi Ramës, Kristaq Ramën, për të cilin ka folur me simpati, por të kundërtën ka folur për të birin, Edin, që dikur e mbante afër…

“Asgjë nuk i dua, vetëm të më lejë të punoj i qetë”, shprehej skulptori rebel për Ramën kryeministër, që dikur e kishte idhull Radën dhe në librin e tij “Refleksione”, ka shkruar gjatë për të….?! Por kjo gjë nuk e ka mikluar aspak Radën, i cili në atë intervistë ka treguar rreth 'miqësisë' që ai ka pasur me Edin deri në vitin 1990, është shprehur se që nga ajo kohë e deri më sot (viti (2019), pra plot 30 vjet me rradhë ai nuk e ka takuar fare dhe as nuk ka pirë qoftë dhe një kafe me kryeministrin e sotëm. Për këtë edhe Rama është kujdesur të thotë miku i hershëm në “in memoriam-in” e tij.

Pjesë nga intervista e Radës:

-Ju disa herë keni përmëndur profesor Kristaqin dhe keni krijuar me të një lidhje shumë të fortë pasi erdhët në Tiranë sërish dhe i keni ruajtur këto lidhje deri sa ai ndërroi jetë.

Kristaqi ka qenë njeri i mirë ka qenë tip i dashur me të gjithë. Unë nuk e harroj këtë, ka qenë njëherë kur kishte 50 vjetorin e tij dhe më tha mua: “Gimo, kam fol dhe me Netën dhe nuk do ftojmë asnjeri. Do e bëj me nënën time me Netën dhe dy djemtë e mij. Por ti do vish më tha, rastësisht sikur po kërkon një gjë dhe unë do të ftoj brenda si me zor”. Dhe unë se harroj, se nuk ishim mësuar ne të hanim dhe të pinim ashtu.“, - shprehet Rada për babain e Edi Ramës.

Komenti për Ramën gjatë intervistës:

-Unë do të lexoj disa nga vargjet që janë shkruar pikërisht për ju nga Edi Rama te Refleksione:

“Kur kapërceva pragun e Institutit të Arteve në vitin 1982, ndjehej menjëherë se nuk ishte më ajo shkolla e tmerreve të gjysmës së dytë të viteve ’70-të. Kishte filluar një farë ç’ngrirjeje, e cila pas vdekjes së gjeneralit Enver Hoxha, u bë edhe më e ndjeshme. Megjithatë mbeti një shkollë dogmash dhe marrëzirash të përditëshme, ku refuzimi mbas çdo lloj shprehje subjektive ishte në rendin e ditës. Po të mos kisha takuar para pak kohësh Gim Radën, skulptorin bohem të rrugëve të Tiranës, ndoshta do t’i kisha humbur vitet e para të shkollës, duke u munduar të pajtoja adhurimin tim të pafre për profetët e ndaluar të avangardës historike të shekullit tone, me bindjet e mija, gjer aty thellësisht komuniste, dhe për më tepër, kushedi se kur do ta kisha shijuar magjinë e vagabondimit nëpër natë. Por që fati nuk më la që të mundohesha gjatë, për të pajtuar dy gjëra që s’kishte gjasë të pajtoheshin dot, e më shtyu drejt atyre pellgjeve plot alkol e dritëhënë në kopshtin gjithë lagështirë të Bar Sahati-t, ku bohemi projektonte dhe përmbyste të vërtetat e ditës, duke rrokullyer dopjet e fërrnetit e rakisë të dëllinjës”.

-Ju ka cilësuar bohem…?

Po, unë vazhdoj të jem i tillë, po bohemët zakonisht vishen me lecka, por ka dhe bohemë të shtirur që nuk janë artistë, por hiqen si artistë. Dhe po t’i shikosh lukun e kanë si artistë të mëdhenj, seç hedhin disa shalla, seç bëjnë disa pardesy të gjata, bëjnë kështu përgjithësisht për t’u dukur, por bohemi është në shpirt, nuk është nga pamja e jashtëme. Unë jam nga ata që e kam pas dhe e kam kurajon për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, pasi mendoj se kjo jetë, ky segment drite që na është dhënë, ta shpërdorosh, ta kalosh për keq, lake, servil, etj. Unë thashë, se çdo kush mund të mendoj se unë jam një mik i vjetër me kryeministrin, aspak. Unë thjesht kam një rrogë, kam një punë, e cila është brenda zanatit tim, te ajo studio unë mendoj se sa të kem frymë të krijoj për vëndin tim, do punoj. Unë ju thashë se atë klerikun e Shkodrës, unë e fala, ja dhashë pa asnjë lek, dhe nuk kam përfitu kurrë nga këto njohje, nga këto mundësira, kurrë- kurrë. Vetëm një gjë i kam kërkuar kryeministrit: të më lejë të punoj për vëndin tim, të më lejë të qetë. Deri tani unë po punoj. Unë kështu them, o Zot me jep shëndet dhe fuqi të punoj. Jo shëndet të vegjetoj, por shëndet të punoj për të realizuar ëndrrat e mija. Studio e punë sime, është Meka ime. Shumë vetë bën vaki që më shikojnë shtrembër dhe mendojnë për mua se pse ky njeri nuk është as me PD-në, as me PS-në, as me LSI-në, me kë është ky?! Sepse kanë qejf që njeriu duhet të jetë me një parti, të futet patjetër në një llogore. Sepse po u fute në një llogore, i ke siguruar gjërat. Unë ju thashë se duke pas mik kryeministra e kshtu, unë jam larguar totalisht prej tyre. Aq sa mund të them se bën vaki se kam dhe 30 vjet pa u taku dhe pa pi kafe me kryeministrin e sotëm. Qysh se ai i hyri asaj rruge, nuk kam lidhje fare, është zgjedhja e tij, unë kam zgjedhjen time...”,- kështu shprehet Rada për Ramën.

Nuk e kam mik të vjetër aspak. Nuk e kam takuar as për një kafe në 30 vjet. Nuk jam bohem i shtirur si disa. S’dua asgjë nga kryeministri (Rama), të më lejë të punoj.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Ramës kushtuar skulptorit Agim Rada.

IN MEMORIAM

Nuk mund të niste më hidhur një ditë e imja, se sa me lajmin e ndarjes nga jeta të Agim Radës, skulptori i rrallë, shoku im i madh i rinisë më të hershme, për të cilin i lidha këto fjalë mes pauzash të gjata e lëmshesh në grykë, po që t’i evitoja fare nuk mundesha dot, sepse me patjetër dikush nga të paktët që e njohën së afërmi, duhet t’i linte të shkruara. Për të, Gimin e pashoq të kohës së vjetër, në mos për askënd tjetër. E di që rreshtat më poshtë janë ca si të gjatë, po ai, në mos askush prej jush, ka të gjithë kohën t’i lexojë dhe të qeshë e të qajë me to, si të dojë dhe si vetëm ai di ta bëjë.

Anti-hero i realizmit socialist dhe hero i disidencës së bordurave, rebel i Tironës së gjimnastikës së mëngjesit dhe xhirove të darkës, dashnor i paepur i rrugicave të Liqenit Artificial dhe tallës po aq i palodhur i spiunëve të zellshëm me kostum teritali rrotull “Gjirit të kurvave”,  Gimi ishte studenti më i përjashtuar nga zboret e aksionet dhe shembëlltyra më komike e dështimit të syrgjynosjeve riedukuese në gjirin e klasës punëtore. Makthi i organizatave të Partisë në shkollë e në jetë dhe i udhëheqësve të rinisë në vijën e parë të luftës kundër shfaqjeve të huaja, Gimi u hidhte dishepujve të vet të asaj kohe të bekuar ëndrrash të palejuara, thërrime nga thesi i eksperiencës së tij në mbjelljen e farës së sevdasë arave të virgjëra të botës së lakmuar femërore, duke predikuar dashurinë e lirë dhe shijen e të ndaluarës, tek shkulte në të qeshura tavolina të tëra, ku mes gajasjeve me dogmat morale dhe turlillojin e personazheve publikë e jopublikë të rrugës së ndërtimit të komunizmit, mbusheshin e zbrazeshin me turlilloj rakish gotat që trokisnin në vendin e duarve, kur mbërrinin klimakset e artikulimit të tij plot befasira retorike, të cilat përmbanin një përzierje të hatashme frazash e fjalirash të mbledhura librave e rrugëve, nga Shekspiri tek Shaban Qosja, Tit Sojli, Mehmet Elezi, Esenini, Majakovski, Pushkini, nga Rubairat e Omar Khajamit tek vjershat e Shefqet Peçit, Lufta dhe Paqja e Tolstoit, Vitet e Vegjëlisë së Enverit, Don Kishoti i Nolit dhe ai i Petro Zhejit, e deri tek batutat e alter egos së tij, gojëbriskut Llaq Xhavo, bashkë me ato të filmave të Kinostudios Shqipëria e Re a të dramave të Teatrit Kombëtar, ku këmbët e lehtësuara nga zbrazja e sasive marramendëse të lëndëve helmuese luftarake, e çonin shpesh të zhytej mes kolltukëve të kuq, prodhim i kombinatit heroik të drurit “Mihal Duri” ose “Mihal Druri”, siç e kishte pagëzuar Agimi.

“Lejomëni të tërhiqem për pak, që të shkoj të thyhem në mes, për t’i kthyer nënës natyrë ato që
i mora pjesë-pjesë!”,  kumtonte me sytë blu të përflakur nga kënaqësia, kur shkonte në banjo apo kur fatorinoja i kërkonte biletën e urbanit, një ofshamë e tij epike e pasonte me një, “Oh, betomu sy që gjer tani s’ke parë të tillë mrekulli!”, ndërsa kur ndeshte në rrugë ndonjë nga ata të preferuarit e tij, pensionistët e Frontit Demokratik me kapele republike dhe këpucë gri me vrima, vinte adresimi në vendnumëro me një zë prej fajtori, “Shoko më falni, a dini gjë ku mund të bëj një autokritikë se nuk po e mbaj dot?!”…

Gimi ishte një forcë e madhe e natyrës, kudo ku hynte dukej sikur e hapte perden e ajrit me shpatën e gojës së tij, kudo ku ulej dukej sikur zinte krejt anën e vet të tavolinës me gjerësinë e të qeshurës së tij, kudo ku ecte spostonte gjithnjë me veten tre a katër të tjerë, si bartës i një mesazhi mistik, që në fakt kishte vetëm magnetin e parezistueshëm të një shpirti të lirë dhe karizmën e pashembullt të një udhëheqësi shpirtrash, që kërkonin tek liria vetveten e tyre ende të pagjetur apo pavetëdijësisht të humbur.

Talent natyral i baltës, ai që përmes baltës të vdekurit e mëdhenj të kombit i sillte në jetë dhe vdekjen e trajtonte si dashnoren e fundit, në radhën e pambarimtë të Dylqinjave të tij që fund nuk do të kishte kurrë, “paçka se fundja nga balta vijmë e drejt baltës shkojmë, po rëndësi ka çfarë lemë pas nga balta jonë”, u tërhoq gjithnjë e më shumë në atelienë e skulpturave, jo për t’u thyer në mes, po për të kaluar orë të pafundme në këmbë, në një vrap të shfrenuar prej ankthit të kohës që ikte, teksa numri i të vdekurve që ëndërronte të sillte në jetë rritej.

Dekadat që pasuan epokën e lavdishme të ilaritetit permanent ishin ndryshe dhe bohemi i harbuar i asaj epoke, u kthye vit pas viti në hijen e vetvetes, mes telasheve e dëshirës për të krijuar, melankolisë dhe nevojës për t’i mbijetuar transformimit të jashtëm e të brendshëm, duke lënë sa më shumë vepra. Rrëmuja dhe rrëmeti i qytetit që dikur ishte i tëri i veti, e ku në çdo lagje, nga Ali Demi në Kinostudio, kishte një Ofeli të dëshpëruar në pritjen e përlotur të të vetmit dhe të papërsëritshmit Gim Rada, hynin e dilnin gjithnjë e më pak në izolimin e tij përmes frëngjisë së celularit, prej nga edhe më shkruajti se vdekja i ishte paraqitur në derë për ta marrë.
E kishte kuptuar se dashnorja e fundit nuk kishte ndërmend ta linte pa e marrë, e se argumenti i tij legjendar, “Gimi i shkretë nuk le asnjë femër, po janë femrat ato që e lënë”, kishte rënë dhe ndarja nga kjo botë ishte vetëm çështje kohe.

Tanimë shoku im i madh i rinisë më të hershme, Gim Rada dora vetë, është shtrirë përjetë në krevatin e të parës që nuk pranoi ta linte dhe ne nuk e ndihmuam dot të shpëtonte prej saj. “Femra është si jeta që nuk dorëzohet kollaj!”, na tregonte ai qysh asokohe, kur mustaqet tona ende nuk e kishin provuar djersën e parë, “Imagjinojini të dyja si një gropë të madhe dhe të padukshme, që nuk rrafshohet njësh me tokën pa u mbushur plot, prandaj kini durim dhe ishalla jeni me fat deri tek lopata e fundit!”.

Eh mër Gim Rada, mos vdeksh kurrë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco