Ahmetaj ishte 'portofoli' i Edi Ramës dhe domosdoshmëria e 'shkrirjes' së ILDKPKI!

Ahmetaj ishte 'portofoli' i Edi Ramës dhe domosdoshmëria e 'shkrirjes' së ILDKPKI!

14:05, 11/07/2023
A+ Aa A-

Nga Besart Xhaferri

Arben Ahmetaj, në një përgjigje për shefin e tij Edi Ramën, i ka kërkuar këtij të fundit të mos bëjë gjykatësin, pasi kjo punë është e sikletshme për shkak të procedurave.

Me siguri fjala “Procedurë”, që çoi pas hekurave për aferën e inceneratorëve Lefter Kokën ,dhe pritet të çojë dhe Ahmetajn është një mesazh I koduar për Ramën.

Për aferën e inceneratorëve Edi Rama është i vetmi që kishte pushtetin, për të finalizuar të gjitha procedurat për ti dhënë jetë mekanizmit korruptiv të skemës inceneratorëve. 

Por skandali në kuadër të hetimit të Arben Ahmetajt përfshin një zinxhir institucionesh ku në krye është ILDKPKI, që ka detyrë primare kontrollin dhe verifikimin e pasurive të zyrtarëve të lartë. 

Ahmetaj rezulton se ka marrë rreth 500 mijë euro në pak vite nga bosët e inceneratorëve, Zoto-Mërtiri, teksa një vilë në Palasë, nuk e ka deklaruar në ILDKPKI, ashtu sikurse nuk ka deklaruar dhe ka fshehur dhe disa apartamente në Tiranë.  

Pyetjet që shtrohen janë të shumta në kuadër të këtij megaskandali korruptiv, ku personazh kryesor është ai që deri dje cilësohej si portofoli i Edi Ramës.

1-E para,  a ka qenë rigoroz dhe koherent procesi i deklarimit dhe verifikimit të pasurisë së Arben Ahmetaj?

2-Inspektorët e ILDKPKI kanë tentuar të bëjnë një verifikim shtesë për deklarimet e Arben Ahmetaj, i cili dekadën e fundit ka mbajtur postet e Ministrit Ekonomisë, 2013-2016, të Ministrit të Financave, 2016-2019, të Ministrit të Rindërtimit 2019-2021 dhe më pas të Zëvendëskryeministrit ?

3-Si ka ndryshuar pasuria e Arben Ahmetajt përgjatë këtyre viteve dhe inspektorët e ILDKPKI a kanë ngritur dyshime të arsyeshme për fshehje pasurie dhe rritje të pasurisë në shproporcion me të ardhurat ?

4-A ka pasur ILDKPKI  informacione  jo zyrtare nga individë ose institucione për fshehje pasurie për zotin e Arben Ahmetaj dhe a ka kryer verifikime për këto informacione, ose a i ka referuar ato në Prokurori?

Këto janë vetëm disa prej pyetjeve që kërkojnë përgjigje konkrete dhe të menjëhershme nga një institucion që ka në dorë kontrollin dhe monitorimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë.

Nëse në kuadër të dosjes Ahmetaj, konstatohen shkelje nga ana e institucionit të ILKPDKI ky institucion duhet të shkrihet dhe të hetohet nga Prokurororia.

Numri i zyrtarëve të lartë të mazhorancës të arrestuar për afera korruptive muajt e fundit është i lartë, kujtojmë Vangjush Dako,  ish kreu I Bashkisë Durrës, Letfer Alla, ish kreu I Bashkisë Bulqizë, Fatos Tushe, ish kreu I Bashkisë Lushnjë, Safet Gjici kreu i Bashkisë Kukës, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, Saimir Tahiri, ish Minister i Brendshem, Alqi Bllako, ish deputet I PS.

SPAK duhet të hetoj edhe punën e inspektorëve të ILDKPKI lidhur me verifikimet e pasurive të këtyre zyrtarëve të lartë të arrestuar për korrupsion.

Paratë e vjedhura të shqiptarëve, duhet t’u kthehen shqiptarëve dhe asnjë institucion nuk mund të bëhet mburojë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco