Përse jo një program real Brain Gain në vend të një 'Ligji të gjendjes së jashtëzakonshme në shëndetësi' ?

Përse jo një program real Brain Gain në vend të një 'Ligji të gjendjes së jashtëzakonshme në shëndetësi' ?

09:57, 07/07/2023
A+ Aa A-

Nga Myqerem Tafaj

Ligji i beftë i maskuar me një emërtim të lustruar “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin Programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet Publike të arsimit të lartë”, ka shkaktuar një pasiguri të madhe, deri në panik, jo vetëm tek studentët e Universitetit të Mjeksisë, por edhe tek maturantët që dëshirojnë të studjojnë për mjekësi të përgjithshme.

Lexova me vemendje Relacionin e ligjit dhe tekstin e tij dhe aty sheh qartë pozicionin shumë të vështirë të juristëve për të argumentuar, më së pari, pse ky ligj nuk është antikushtetues, duke iu referuar madje edhe neneve të kufizimit të të drejtave themelore. Por, në fakt, ligji nuk i referohet shumë nenit 57 të Kushtetutës, i cili njeh vetëm një kufizim për studimet universitare, atë të meritës. Megjithatë, unë nuk dëshiroj të qëndroj në këtë moment të këtij ligji, sepse është cështje interpretimi juridik në këndvështrimin e shumë neneve, por gjithnjë duke filluar referimin me nenin 57 të Kushtetuës. Ky nen nuk citohet fare si nen që mbështet këtë ligj, ndërkohë që referohen nenet 78 dhe 83, të cilët kanë të bëjnë me procedurën e miratimit të përshpejtuar të këtij ligji në Kuvend, a thua se ky është një ligj për një gjendje të jashtëzakonshme të burimeve njerëzore (saktësisht për profesionistë mjekë) në shëndetësi.

Unë nuk mendoj se ky ligj nuk do të ketë efekte kaq të mëdha pozitive për përmirësimin e situatës së mjekëve në sistemin publik shëndetësor, sic pretendon Qeveria në Relacion. Përkundrazi mund të këtë shumë efekte përkeqësuese. Ka plot argumente për këtë.

Maturantët me rezultate të larta, që synojnë të studjojnë për mjekësi të përgjithshme, do të përpiqen që t’i shmangen detyrimeve të këtij ligji, duke zgjedhur rrugën tjetër, pikërisht do tentojnë të ndjekin studimet me pagesë me tarifë shumë më të lartë, por nëse ajo do të jetë realiste dhe jo e fryrë fiktivisht. Shifrat e dhëna në relacion për koston aktuale të studimeve janë vështirësisht të besueshme, sepse ato janë rreth 3 herë më të larta se sa buxheti që akordohet aktualisht për student në vit. Cfarë kanë llogaritur financierët në kosto e studimeve të mjeksisë? Mos kanë llogaritur shpenzimet e QSUT? As 1 % e shpenzimeve të QSUT nuk kanë të bëjnë me studentët, sepse janë të dedikuar si shpenzime të një spitali qyteti (QSUT e luan edhe rolin e spitalit të qytetit për Tiranën, përvec spitalit që afron shërbim terciar). Në interes të studentëve dhe familjeve të tyre, llogaritja e kostos së studimeve duhet të jetë transparente. Në rast se kjo tranparencë nuk do të sigurohet dhe kostoja do të jetë e fryrë fiktivisht, atëherë maturantët më të mirë do të braktisin Universitetin e Mjeksisë dhe do të shkojnë të studjojnë  në univeristetet jo publike ose në universitet publike jashtë vendit, p.sh. në Itali, Francë, Gjermani, etj., ku paguajnë maksimumi 3000 Euro/vit përvec shpenzimeve të jetesës. Por, të mos harrojnë, se studentët në Itali, Gjermani, Francë, etj mund të punojnë dhe të përballojnë një pjesë të shpenzimeve. Kësisoj, ky ligj do të stimulonte një fluks të ri Brain Drain të gjimnazistëve më të mirë që synojnë programin e mjeksisë. Ky do të ishte efekti më fortë negativ i këtij ligji.

Afati 5-vjecar që parashikon ligji si detyrim për të punuar në Shqipëri nuk i përgjigjet aspiratave të grupit të studentëve më të mirë të mjeksisë, të cilët synojnë të specializohen jashtë vendit dhe pastaj të kthehen, por me shanse shumë më të mëdha profesionale, për shkak të nivelit shumë më të lartë të kualifikimit që fitojnë jashtë vendit. Shihni mjekët më të talentuar që punojnë në Shqipëri. Gjeni ndonjë prej tyre që nuk ka bërë kualifikim afatmesëm ose afatgjatë jashtë vendit, madje në universitete dhe klinika nga më prestigjiozet. Ideatorët e këtij programi i kanë injoruar aspiratat e studentëve tanë më të mirë të mjeksisë. Bëni një anketë dhe do të shikoni se sa përqind e tyre e kanë këtë aspiratë. Studentë të talentuar që zotërojnë 2 – 3 gjuhë të huaja të mëdha kanë qëllime shumë të qarta; ata dëshirojnë të specializohen në klinika e huaja prestigjioze, të doktorojnë në universitete nga më të mirat dhe të bëhen profesionistë të nivelit të lartë, për të qenë të aftë të konkurojnë dhe të punojnë e fitojnë mirë, jo vetëm jashtë vendit, por edhe këtu në spitalet tona private. Me këtë ligj grupi i studentëve të talentuar duhet të pres 5 vite që pastaj të ndjekë synimet për karrierë si profesionistë të nivelit të lartë internacional. Ky është vetëm një aspekt. Në tërësi ky ligj duket se i mbyllë brenda vendit mjekët në moshën e tyre më të mirë për të investuar për kualifikimin e tyre profesional shkencor.

Ajo që bie në sy në këtë ligj është se burokratët janë nisur nga ajo që mjekët largohen nga vendi për arsye që nuk kanë të bëjnë me sistemin tonë shëndetësor. Në fakt është krejt ndryshe. Mjekët e rinj detyrohen të largohen nga vendi për shumë shkaqe që lidhen me sistemin dhe qeverisjen. Mjekët nuk kanë mundësi reale për zhvillimin e një kariere të suksesshme profesionale dhe specializime të nivelit të lartë internacional; pagat janë të pamjaftueshme;  rekrutimi është shumë larg meritokracisë (nepotizëm, politizim i sistemit, korrupsion në emërime, etj), dhe plot shkaqe të tjera, Nëse do të ishte ndryshe, mjekët e rinj nuk kishin përse të largohen nga vendi.

Përfaqësuesit e qeverisë e mbrojnë ligjin duke premtuar për përmirësime të shumë kushteve në sistemin tonë shëndetësor në favor të mjekëve të rinj. Po të jetë e vërtetë kjo, atëhere përse duhej një ligj i tillë kaq shtrëngues!

Unë mendoj se ky ligj mund të ishte më mire nëse do të ishte një Ligj për nxitjen e kthimit në Shqipëri të mjekëve shqiptarë që janë shkolluar dhe punojnë sot në spitalet jashtë. Ndër profesionistët në diasporë, mjekët zënë një pjesë të konsiderueshme të saj. Le të kujtojmë muajt e Covidit, se sa shumë mjekë shqiptarë jepnin intervista në TV tona nga vendet ku punojnë. Dihet mirë se, përgjatë këtyre tre dekadave, një pjesë e konsiderueshme e maturantëve tanë më të mire, kanë vijuar studimet në fushën e mjeksisë së përgjithshme, cka do të thotë se ky përbën edhe grupin më të mirë të disporës profesionale shkencore. Nuk është e vërtetë se nuk ka mjekë të rinj të diasporës që janë të gatshëm të kthehen dhe të punojnë në Shqipëri. Por ata kanë nevojë për kushte reale stimuluese dhe jo për takime e konferenca pompoze folklorike. Dhe për cfarë kushtesh më konkretisht: konkurrim i bazuar në meritokraci për cdo vend pune që nga QSUT, Universiteti i Mjeksisë, Spitalet e mëdha rajonale, jashtë nepotizmit, politizimit dhe korrupsionit; paga të bazuara në performancë sipas modeleve më të mira europiane; mbështetje për rivendosjen në vend, sidomos për ata që janë familjarë; clirimin nga kontrolli politik i patronazhistëve në klinikat universitare dhe spitale, si dhe krijimi i kushteve për të ushtruar profesionin sipas parimeve të etikës dhe lirisë profesionale. Kaq kërkojnë mjekët e talentuar që të kthehen në vendin e tyre.

Ka modele të programeve Brain Gain edhe afër nesh, në Europën Lindore dhe Qendrore. Por mungon vullneti politik. Imangjinoni mesazhin për profesionistët e mjeksisë që mund të jepte seanca e sotme e Kuvendit, nëse do të diskutonin për kthimin e mjekëve të talentuar në Atdheun e tyre dhe jo për masat shtrënguese për studentët e mjeksisë të UMT që të mos largohen nga vendi! Dhe ajo që është shumë e rëndësishme të nënvizohet: kthimi i mjekëve të mirëshkolluar, të specializuar apo të doktoruar në universitetet dhe klinikat prestigjioze të botës, do të ishte një prurje shumë e rëndësishme e know how për të gjitha hallkat e sistemit tonë shëndetësor, përfshirë edhe QSUT dhe UMT. Dhe të jeni të sigurtë se kostoja e një program të tillë Brain Gain në shëndetësi do të ishte lehtësisht e përballueshme për buxhetin e vendit tonë, pa përmendur këtu faktin që mund të përdoreshin edhe fonde të BE apo organizatave të tjera për një program të tillë. Eshtë mungesë e vullnetit politik për të zhvilluar një sistem shëndetësor cilësor në Shqipëri dhe për të krijuar klinika dhe spitale të nivelit të lartë internacional, në të cilët do të punonin mjekë të mirëkualifikuar në nivele internacionale të përparuara. Shqipëria dhe shqiptarët ka kohë që presin ekselencë në shëndetësi, në mënyrë që të mos torturohen rrugëve të botës për tu mjekuar, cka nxjerr nga vendi qindra million Euro. Pandemia Covid 19 e rriti akoma më shumë këtë pritshmëri të qytetarëve shqiptarë, sepse ishin ata që e paguan rëndë, jo vetëm me shpenzime marramendëse, por edhe me humbje të mëdha jete. Mjekë shqiptarë me nivel të lartë kualifikimi professional ka shumë këtu brenda vendit por akoma më shumë jashtë vendit. Ajo që mungon është një politikë qeveritare që e kupton dhe e përmbushë këtë pritshmëri të shqiptarëve. Fatmirësisht, një pjesë të kësaj pritshmërie të shqiptarëve po e realizojnë disa klinika e spitale private në Tiranë, që kthyen shumë mjekë shqiptarë të talentuar në vend dhe afrojnë shërbim shëndetësor të nivelit të lartë internacional. Por, për fat të keq, akoma ndiqen politika qeveritare jo favorizuese bashkëfinancuese për shërbimin shëndetësor cilësor privat, edhe pse cdo i punësuar në Shqipëri paguan sigurimin shëndetësor, i cili nuk i vlen asgjë qindarkë, në momentin kur qytetari është i detyruar të kërkoj një shërbim cilësor në klinikat private në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco