‘Rama u nxor jashtë loje nga Vuçiç’, diplomati Nesho: Lirimi i 3 policëve, fitore e Kosovës

‘Rama u nxor jashtë loje nga Vuçiç’, diplomati Nesho: Lirimi i 3 policëve, fitore e Kosovës

14:46, 26/06/2023
A+ Aa A-

Diplomati i njohur Agim Nesho ka folur sot në News24 për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në botë, që nga lirimi i tre policëve të Kosovës deri te rebelimi i Wagner në Rusi.

Nesho tha se rrëmbimi i tre policëve ishte një proces i montuar që të shfrytëzohej nga regjimi nacionalist i Serbisë për të arritur lëshimet që kërkuan nga Perëndimi.

“Lirimi i tyre pa kushte është fitore e diplomacisë qeverisë dhe presidentes.
Vuçiç ndihet tashmë i mundur si ortaku dhe partneri i tij Putin me ngjarjet e fundit në Rusi.
Këtu kemi një situatë në të cilën vetë kryeministri shqiptar nuk di çfarë të kërkojë, as në Bruksel. Është nxjerrë jashtë loje dhe nga Vuçiç.
Gjithë retorika që Vuçiç e thotë për Ramën, udhëheqës global etj, ishte për krijuar një distancë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Është një moment tepër i rëndësishëm. Sigurisht ka pasur dhe efektin nga vendosmëria që komuniteti ndërkombëtar i bëri lidershipit të Kosovës, ndaj është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës”, tha Nesho.

Sa i përket sugjerimit të kryeministrit Edi Rama për mbylljen e Kurtit dhe Vuçiçit në një takim, diplomati Nesho tha se “pozicioni i Shqipërisë ndoshta është më i drejtë ashtu si presidenti Meta tha, që kjo situatë të zgjidhet me dialog mes palëve me ndërmjetësimin e aleatëve, por jo me ato që sugjeron Rama, projekte alla Dejton”.

Ai tha se Rusia u shpartallua me atë çfarë ndodhi në Rusi dhe e pafuqishme për ta përkrahur Vuçiçin. “Kjo bëri që t’i lirojë pa kushte duke pranuar një humbje të madhe në politikën e tij, një politikë tensioni, të ndarjes së influencave në Ballkan. Rama kërkon ta mbrojë Vuçiçin dhe në mënyrë të pambrojtur, por Vuçiç e konsideron si argat”, tha më tej Nesho.

Diplomati i njohur sugjeroi organizimin e një forumi për çështjet shqiptare.

“Ky është dhe një mësim që proceset e përkrahjes dhe vendimmarrjes në hapësirat shqiptare duhet të ketë një organizëm të ri.

Asnjë nuk duhet të marrë avantazhin për të përfaqësuar opinionin shqiptar, por duhet një vendimmarrje e gjerë.

Ka ardhur koha që vetë opozita, elementët pozitivë në Kosovë e Shqipërisë për të organizuar një forum për çështjet shqiptare.

Është rasti për Kosovën të jetë shumë bashkëpunuese me faktorin ndërkombëtar. Ka ardhur koha që qeveria Kurti të jetë jo vetëm bashkëpunuese me Perëndimin, por edhe të sugjerojë se çfarë duhet të bëjë për normalizimin me fqinjin e saj”, tha Nesho.

Sipas tij, çështja e marrja e policëve ishte për ta përdorur për të negociuar për çështje që ‘unë i krijoj në moment’.

“E pa se nuk kishte të ardhme, se Rusia nuk mund ta ndihmonte dhe atëherë i liroi.

Mendoj që Kosova është në rrugë të drejtë dhe si e tillë duhet të përkrahet nga ne”, tha diplomati.

Sa i përket kryengritjes në Rusi të mercenarëve të Wagner, Nesho deklaroi se ishte një veprim që ka tronditur të gjithë opinionin publik në botë për arsye se Rusia është mbajtëse e armëve bërthamore. “Prigozhin nuk ka fuqi për të ndryshuar regjimin, mercenarët kërkojnë pazarin e lartë. Kjo tregon para opinionit publik se Putin nuk është ai tigri dhe luani i madh që kërkon të sfidojë perëndimin, tregon se është një regjim i thyeshëm. Është një paralelizëm për të gjithë diktatorët. Ne jemi një nga këto vendet. Demokracia në Shqipëri është në rrezik dhe rreziku varet nga një regjim i cili nga dita në ditë po konsolidon pushtetin e tij”, tha Nesho.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco