Kulisat e arrestimit/ Prangat për Vangjush Dakon, një kalkulim politik

Kulisat e arrestimit/ Prangat për Vangjush Dakon, një kalkulim politik

19:14, 06/06/2023
A+ Aa A-

Drejtësia e komanduar si me regji ka bërë sot një rokadë në majë të pushtetit socialist, pasi ka liruar nga burgu ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri duke plasur në qeli Vangjush Dakon. Prej disa ditësh në media, SPAK-ut, një institucioni të ngritur për të mos i dalë sekretet, i kishin rrjedhur fjalët se Dakos po i afrohej burgu. Thashethemet u vërtetuan sot pas mesditës kur ia behu edhe urdhri i arrestimit. Zyrtarisht Dako akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me një pallat të ndërtuar në qendër të qytetit të Durrësit, godinë e cila pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i vitit 2019. Banorët kanë bërë kallëzim për zotin Dako dhe ish-zyrtarë të tjerë për vrasje masive të mbetur në tentativë.

Gjithashtu mësohet se hetimi i SPAK ka hetuar edhe për një abuzim të supozuar për një tender për Dakon dhe është shtrirë edhe në verifikimin e pasurisë duke kërkuar verifikime nga institucione të ndryshme.

Fjalët për Dakon u përhapën menjëherë pasi u lirua Saimir Tahiri, një nga dy njerëzit që së bashku me ish-kryebashkiakun e Durrësit konsideroheshin si krahët më të afërt të Edi Ramës gjatë mandatit të parë të qeverisjes së rilindjes. Kur Tahiri fitoi lirinë, ambasadorja amerikane Yuri Kim reagoi publikisht duke e quajtur vendimin zhgënjyes. “Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirant të BE dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare. Ata që janë të përfshirë në bërjen ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miq të fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, tha ajo.

Që nga ky moment, kanale diplomatike shtuan presionin për një kompesin për ndëshkim në radhët e hierarkëve socialistë. Fabula e goditjes së Dakos i shkonte për shtat amerikanëve edhe për një arsye tjetër. Ai është i pari person i shpallur non grata nga SHBA, që kapërcen pragun e burgut si rezultat i drejtësisisë që ka pjellë reforma e drejtësisë.

Por i çuditshëm është edhe një përkim tjetër. Kush e mban mend rastin e një ish-kryebashkiaku tjetër të Durrësit, Lefter Kokës, e mban mend se ai ra në burg menjëherë pasi hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe pasi kishte ndihmuar PS (tek e cila kishte kaluar së fundi) për të arritur fitoren në qytetin bregdetar. Me Dakon fabula u përsërit pikë për presje. Ai u aktivizua fort në fushatën e Emirjana Sakos, dhe sapo u sigurua fitorja iu vunë prabgat për një pallat të shembur katër vite më parë.

Pra, qoftë si rokadë me Tahirin, qoftë si presion diplomatik i amerikanëve, qoftë si kalkulim politik për të mos penguar fushatën e PS-së, arrestimi i Dakos është simboli i një drejtësie të dirigjuar./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco