SYRI TV/ Mbaron amnistia elektorale, Sako rikthen taksat në Durrës

11:45, 30/05/2023
A+ Aa A-

Biznesi i vogël dhe i mesëm në Durrës do t’i rikthehet pagesës së taksave dhe tarifave vendore pas amnistisë elektorale të propozuar nga kryebashkiakja Emirjana Sako 1 muaj para zgjedhjeve lokale të 14 majit. Në kulmin e fushatës zgjedhore,  Këshilli Bashkiak i Durrësit vendosi të shtyjë në kohë pagesën e taksave periodike për mijëra biznese të këtij qyteti, ndërsa  menjëherë pas përfundimit të votimeve, durrsakët do t’i rikthehen pagesave

SYRI TV

Duke nisur nga e mërkura e kësaj jave, biznesi i vogël dhe i mesëm durrsak do t’i rikthehet pagesës së taksave lokale, pas një amnistie lokale dhe absurde të miratuar me propozimin e kryebashkiakes së qytetit, Emirjana Sako.

Në fund të marsit 2023, pra në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi një propozim për të shtyrë në kohë pagesën e taksave periodike të mijëra bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar në qytetin bregdetar.

Sipas atij vendimi, shkak për shtyrjen e pagesës së taksave ishte mungesa e stafit të Bashkisë së Durrësit. “Këshilli Bashkiak vendosi të pranojë propozimin e kryetares së Bashkisë dhe të miratojë shtyrjen e afatit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore për vitin 2023, nga data 20 prill në datën 31 maj 2023, për shkak të mungesës së stafit në sektorin e të ardhurave pranë drejtorisë së taksave dhe tarifave vendore”, thuhet në vendimin numër 111, datë 30 mars 2023 të Këshillit Bashkiak të Durrësit.

Argumenti i dhënë në vendim e Këshillit Bashkiak jo vetëm që është antiligjor, por është edhe absurd. Ligji për taksat parashikon shtyrje të afatit të pagesave vetëm në raste ekstreme apo të pamundësisë së theksuar për ushtrimin e detyrave nga administrata publike. Shtyrja e afatit të pagesës së taksave u vendos për herë të fundit gjatë periudhës së karantinës së detyruar për shkak të Covid-19.

Ndërkohë, mungesa e supozuar e stafit bashkiak për mbledhjen e taksave nuk parashikohet askund si një nga format për të shtyrë pagesën e tyre. Kjo situatë krijon dyshimin se propozimi i kryebashkiakes së Durrësit, Emirjana Sako, i mbështetur nga Këshilli Bashkiak njëngjyrësh, për shtyrjen e afatit të pagesës së tarifave është një manovër elektorale, për të joshur qytetarët që të votojnë në favor të saj dhe Partisë Socialiste që e kandidoi.

Partia Demokratike ka denoncuar qindra raste të shpërdorimit të pushtetit publik në favor të fushatës elektorale për maxhorancën e Edi Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco